Spiunazhi botëror është i lidhur ngushtë edhe me ato
që njihen si karremët e seksit, sepse sekretet më të mëdha mësohen nga shtrati.
Sigurisht që nuk përjashtohet mundësia e rasteve kur qëllimi për të futur në
kurth objektivin nëpërmjet joshjes të kthehet në dashuri të vërtetë.
Ishte KGB’ja
që krijoi fillimisht një prej shërbimeve më të sofistikuara që stërviste
spiunet femra për të joshur meshkujt. Një vajzë e quajtur Vera ka rrëfyer në
një libër historinë se si KGB rekrutonte femra të bukura, duke u premtuar se
ato do kishin gjithë pasurinë e mundshme nëse ato binin dakord që të joshnin
seksualisht njerëzit e vënë në shënjestër. Kërcimtare, aktore, këngëtare të
cilat stërviteshin për të joshur cilindo person që do të duhej t’i nxirrnin
informata.
Maria Konnenkovws
nuk i rezistoi dot as Einsteini me gjenialitetin e tij. Në vitet ’40, agjentja
sekrete sovjetike e takonte dhe mblidhte të dhëna për bombën që do ndërtohej.
Maria Knuth, një tjetër vajzë me emrin e shenjtëreshës, por që veç e tillë nuk
ishte. Kërcente në kabare dhe magjepste me bukurinë e saj oficerët britanikë
dhe amerikanë. Elizabeth Bentley, një amerikane gjithë sharm ra në dashuri me
kontrollorin e saj rus, pasi u rekrutua nga KGB-ja. Të gjitha vajza të bukura
dhe inteligjente, të cilat fituan famë në shërbimet ku punonin.
Misioni i
tyre ishte të bënin për vete çdokënd që i duhej KGB-së dhe për këtë
stërviteshin. Pas kësaj, fillonte shantazhi. Agjentet instalonin në dhomat e
gjumit kamera ku regjistronin gjithçka ndodhte dhe i kërcënonin “viktimat” e
tyre se do i bënin publike.
Në këtë
mënyrë KGB-ja kompromentoi ambasadorin britanik në Moskë, Jeffrey Harrison, në
vitin 1968. Ambasadori u dashurua pas një gruaje të bukur ruse, e cila punonte
si shërbëtore në Ambasadën britanike, e quajtur Galia. Ajo ishte e
futur me mision aty nga KGB-ja. Pasi çifti doli nga dhoma e gjumit në një
apartament të Leningradit, Harrisont iu treguan foto të tij me Galian gjatë
kohës që bënin dashuri. Harrisonit iu komunikua se në qoftë se nuk i jepte
KGB-së informacionet që ajo kërkonte, fotot dhe lidhja e tij me Galian do të
bëheshin publike.
Në vend që të bashkëpunonte, Harrison u kthye në Londër ku pohoi lidhjen me
Galian te oficerët e MI5. Ai u nxor në pension menjëherë. Megjithëse ky lloj
kurthi kësaj radhe dështoi, shumë kurthe përpara Harrisonit ishin të
suksesshëm.
Koloneli Lui Gibo, atasheu ajror francez, në vend që të jepte informacion
dhe të fshihte lidhjen, vrau veten.
Por, jo
vetëm KGB-ja që përdori spiunazhin seksual. Irlandezët përdornin femra të
bukura për të shpërqendruar ushtarët gjatë shërbimit të tyre ose në stacionet e
policisë gjatë operacioneve ushtarake. Britanikët krijuan gjithashtu një
skuadër spiunesh seksuale. Shërbimet britanike të inteligjencës hapën dy shtëpi
në Belfast për t’u bërë shantazh liderëve të lëvizjeve politike dhe për marrë
informacione sekrete. Këto shtëpi publike ishin të populluara me prostitutat më
të mira të Evropës: ato ekzekutonin detyrat e caktuara nga shërbimi i
inteligjencës angleze për shumë para.
Shërbimet
sekrete të Gjermanisë Lindore përparuan në këtë fushë duke përdorur seksin si
mjet shantazhi. Ata zhvilluan një plan për të joshur sekretaret e vetmuara që
punonin në institucione të rëndësishme shtetërore në Berlinin Perëndimor.
Kontakti i parë ndodhte në një stacion autobusi, kafe apo gjatë pushimit të
drekës. Një djalë i pashëm niste fillimisht bisedën e më pas niste loja e
joshjes. Problemi i sekretareve të vetmuara ishte aq serioz sa autoritetet e
NATO-s urdhëruan që të vareshin nëpër muret e zyrave të tyre foto që i
udhëzonin që ta mbanin zemrën dhe gojën të mbyllur.
Shërbimet
sekrete njihen për metodat investigative, të cilat në pjesën më të madhe të
rasteve janë të panjohura për publikun. Me kalimin e viteve, një pjesë e
informacioneve të klasifikuara mund të bëhen publike, duke hedhur dritë mbi
mënyrën e funksionit të organizatave përgjegjëse për mbledhjen e sekreteve që
kanë lidhje me sigurinë e vendit.
Por, për të
mbledhur informacion, shërbimet sekrete nuk përdorin gjithnjë metodat
tradicionale të hetimit. Shërbimet sekrete, veçanërisht CIA janë përpjekur
gjithnjë të përdorin metoda që në gjuhën e përditshme quhen paranormale për të
arritur objektivat. Shumë projekte të bëra publike dëshmojnë se shërbimet
sekrete kanë ngritur grupe pune që kanë studiuar hipnozën, kanë përdorur
objekte studimi, të cilëve u kanë injektuar drogëra të ndryshme për të parë
reagimet dhe dobësinë e subjekteve në gjendje të caktuara.
Një prej
këtyre ishte projekti “Artichoke”, i cili mblodhi bashkë divizionet e
inteligjencës të ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe FBI-së. Informacionet se
disa vende përdorin parashikues dhe persona me aftësi për të lëvizur gjërat me
mendje ishin të vagëta në SHBA, prandaj CIA vendosi të hetonte për të parë sesa
e mundur ishte një gjë e tillë.
Janë krijuar
shumë programe në vite të ndryshme, një pjesë e tyre tani janë hapur për
publikun, për të bërë kërkime në këtë fushë. Konkluzionet paraqiteshin në çdo
mes viti para Senatit dhe rezultatet mbaheshin sekrete nga “parashikuesi”.
Gjithsesi, përdorimi i femrave të bukura për të joshur njerëzit e duhur ka qenë
një ndër metodat më efikase dhe rusët kanë qenë pa dyshim mjeshtër në këtë
pikë.
Cindy
Në vitin
1986, Mordechai Vanunu, një teknik izraelit që kishte punuar në impiantin
atomik të Dimonas, zbuloi për shtypin anglez se Izraeli kishte një arsenal
atomik. Deklaratat e tij jo vetëm që binin në kundërshtim me ato të zyrtarëve
të vendit, por sipas tij ato mund të konfirmoheshin fare lehtë. Pa dyshim që
shtypi anglez mblodhi të gjithë versionin e plotë të Vanunusë. E, Sunday Times
i ofroi atij një vendstrehim të fshehtë duke punuar për verifikimin e rrëfimeve
të tij.
Një ditë,
Vanunu deklaroi përpara shtypit anglez se kishte njohur një vajzë me të cilën
po planifikonte një fundjavë romantike në Romë. Gazetat e lejuan këtë gjë, por
ishte një gabim i madh. Shoqja e re e tij nuk ishte, siç thoshte, një studente
amerikane, por një agjente e Mossadit: Cheryl Ben Tov, e njohur me emrin Cindy.
Detyra e saj më shumë se sa të joshte naivin Vanunu, ishte ta çonte atë jashtë
Mbretërisë së Bashkuar. Sapo mbërriti në Romë, Vanunu u rrëmbye nga agjentët e
Mossadit, u drogua dhe u dërgua me anije për në Izrael ku u proçesua për
tradhti. U dënua me 18 vjet burgim, 11 nga të cilat i kaloi në izolim. Ai u
lëshua në vitin 2004, por ishte i detyruar të mos dilte nga Jerusalemi, nuk
mund të fliste me të huajt e as të përdorte internet apo celular. Po Cindy? Ajo
jeton me bashkëshortin dhe dy vajzat e saj në SHBA, ku ka korrur sukses si
agjente.
Mata Hari
Edhe pse
është e njohur si një nga spiunet më legjendare të historisë, ndoshta Mata Hari
nuk kishte të bënte fare me spiunazhin. Pat Shipman, autorja e biografisë së
saj, argumenton që më shumë se sa një magjistare, ajo ishte naive, e gënjyer
nga meshkujt prej të cilëve nuk kërkonte informacion, por thjesht dashuri.
Holandezja
Margaretha Geertruida Zelle u rrit me dëshirën për t’u kënaqur nga seksi i
fortë. Në vitin 1893, në moshën 16-vjeçare, u përjashtua nga shkolla pasi pati
marrëdhënie me dekanin e shkollës. Dy vjet më vonë, u njoh me kapitenin Rudolf
MacLeod: i gjatë, simpatik dhe shumë më i vjetër se ajo. Tërheqja ishte e
menjëhershme. U martuan tre muaj pasi u transferuan në Indonezi. Por, martesa i
dështoi shpejt, dhe meqë mbeti pa para vendosi të shkojë në Paris. Këtu, pas
disa marrëdhëniesh me pagesë, gjeti punë në një cirk. Ajo kërcente dhe njihej
me emrin Mata Hari – “Syri i Ditës” në gjuhën malajziane.
U bë mjaft e
famshme dhe pushtoi skenat kryesore të teatrove të Evropës. Ajo pati një seri
të gjatë të dashurish. Mes tyre ishte diplomati gjerman Alfred von Kremer që në
vitin 1916 i dha asaj 20 mijë franga për një mision sekret me kodin H21. Mata
Hari i mori paratë, por me sa duket nuk e mori aq seriozisht misionin. Madje,
një herë kur hyri në Paris pranoi të bëhej spiune e Francës, pas kompensimit me
një shumë të madhe prej një milion frangash. Por, gjatë një misioni sekret
gjermanët arritën të zbulojnë lojën e saj të dyfishtë.
Mata Hari u
arrestua më 13 shkurt 1917. Por, ndaj saj mungonin provat e vërteta për
aktivitete të spiunazhit. Faji i vetëm i Mata Harit, shkruan Shipman, ishte se
“ishte mjaft e bukur, udhëtonte vetëm, ishte e pasur dhe gjatë procesit të saj
kishte pranuar se kishte shumë të dashur. Pra, e nxori veten si një grua të
pamoralshme, të cilës nuk mund t’i zije besë”. Ajo u ekzekutua më 15 tetor të
vitit 1917. E veshur me kujdes, ajo përshëndeti skuadrën e pushkatimin me
përçmim dhe refuzoi t’i mbylleshin sytë.
Christine
Keeler
Yevgeny
Ivanovit, diplomatit rus në Londër në fillim të viteve ‘60, jeta duhej t’i
dukej një festë: ishte i pashëm, i shoqërueshëm, popullor në trupin diplomatik
dhe i njohur për lidhjet me gratë më të bukura të Londrës. Mes tyre ishte dhe
Christine Keeler, një vajzë e emancipuar që shpejt u bë e dashura e tij. Pak
kohë më vonë, Christine vazhdon të frekuentohet edhe me sekretarin e Shtetit,
John Profumo, një burrë i martuar. Por, Ivanov nuk ishte një tip xheloz, edhe
pse sipas disa hipotezave ishte ai vetë që i organizonte këto lidhje për shkak
të misioneve sekrete ruse.
Ajo për të
cilën ishte për të ardhur keq ishte fakti se në vitin 1963, lidhja ndërmjet
Profumos dhe Keelerit përfundoi në gazeta. Skandali shpejt u lidh edhe me një
rast spiunazhi të mundshëm. Pavarësisht mungesës së provave, Profumo u detyrua
të jepte dorëheqjen edhe pse gjithmonë mohoi të kishte zbuluar ndonjë sekret.
Keeler fitoi
një shumë të madhe parash për rrëfimet e saj në shtyp, por pak vite më vonë
humbi çdo gjë për shkak të investimeve të këqija që bëri. Ivanov u rithirr në
Moskë. Profumo u fal nga bashkëshortja e tij, por karriera e tij politike
tashmë ishte e mbyllur. Vdiq në vitin 2006, në moshën 91-vjeçare.
Jeremy
Wolfenden
Gazetari
Jeremy Ëolfenden humbi jetën për shkak të një kurthi. Pas
studimeve në Oksford, ai u bë korrespondent i Daily Telegraph në Moskë. Por,
kishte dy dobësi që e bënë atë një pre të lehtë: homoseksualitetin e
papranueshëm në mesin e viteve ‘60 (edhe pse babai i tij, lord John Ëolfenden,
edhe pse i zhgënjyer nga orientimi seksual i të birit, legalizoi
homoseksualitetin në Mbretërinë e Bashkuar) dhe pasioni për alkoolin. I dashuri
i tij ishte një berber simpatik në shërbim të ministrit të Tregtisë së Jashtme
ruse: takimet e tyre u dokumentuan nga një fotograf i fshehur brenda një
dollapi në një hotel në Ukrainë, ku takoheshin të dy.
Me ato foto, KGB-ja i bënte shantazh Ëolfendenit të spiunonte për rusë.
Por, gazetari vendosi t’ia rrëfente të gjitha Ambasadës angleze. Kështu, sapo u
kthye nga Londra për një pushim të shkurtër, u thirr nga një zyrtar i
kundërspiunazhit që i sugjeroi të bashkëpunonte si me rusët ashtu dhe me
anglezët. Loja e dyfishtë e bëri atë të pinte shumë. Gjendja gjithnjë bëhej më
e tensionuar. Ai vdiq në vitin 1965, në moshën 31 vjeçare: kufoma e tij u gjet
në banjon e shtëpisë, me kokën e goditur nga përplasja me lavamanin. Aksident
apo krim?
Markus Wolf
E quanin “Njeriu pa fytyrë”, Markus Ëolf, mjaft i aftë për t’iu shmangur
fotografive. Ishte një nga anëtarët më të zgjuar të shërbimeve sekrete të
ish-Gjermanisë Lindore. Nga ai është inspiruar John Le Carre për personazhin
“Karla”, mjeshtrin sovjetik të spiunazhit në romanet e tij gjatë Luftës së
Ftohtë.
Në fillim të viteve ‘50, Ëolf e kishte kuptuar se vdekja e miliona
personave gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte favorizuar karrierën e shumë
grave në qeveri, në biznes dhe në industrinë e Gjermanisë Perëndimore. Shumë
nga ato ishin të vetmuara dhe gati për të rënë në krahët e kujtdo. Për këtë
arsye Ëolf organizoi një departament special me agjentët më simpatikë dhe më
inteligjentë: Spiunët “Romeo”. Duke joshur femra naive, por të fuqishme, në një
farë pike të infiltruarit u futën deri në sekretarinë e Helmut Schmidtit,
kancelarit të Republikës Federale Gjermane në vitet ‘70. Mekanizmi i ideuar nga
Ëolf funksionoi deri kur kundërspiunazhi i Gjermanisë Perëndimore nuk gjeti një
mënyrë për të identifikuar agjentët e Republikës demokratike gjermane.
Karriera e Wolfit përfundoi me ribashkimin e Gjermanisë. Në vitin 1993 u
akuzua për tradhti dhe u dënua me dy vjet burg e më pas pezullim. Vdiq në
moshën 83-vjeçare, në përvjetorin e 17 të rënies së Murit të Berlinit.
Anya
Kushchenko
E quajnë
“Anna La Rossa”. Në realitet quhet Anya Kushchenko. Është 28 vjeçe dhe një nga
spiunet ruse të arrestuara 27 qershorin e vitit 2010 në Shtetet e Bashkuara.
Nuk dihen mirë se kush ishin detyrat e organizatës së saj. Shumë regjisorë dhe
producentë janë në parë për ta bërë protagoniste të filmave të tyre të
ardhshëm.
Elizabeth
Bentley
Ishte një
grua shumë e bukur amerikane, e cila u aktivizua si agjente sekrete për KGB-në
në vitin 1940. Ajo u rekrutua nga sovjetikët dhe ra në dashuri me kontrollorin
e saj, Jacob Golos. Ajo joshi të paktën tetë zyrtarë amerikanë dhe në biseda
intime u nxirrte të dhëna në llogari të sovjetikëve
Lona Cohen
Ishte
anëtare e Partisë Komuniste në SHBA. Ajo u rekrutua në spiunazhin sovjetik nga
bashkëshorti i saj, Morris Cohen. “Lesley”, ky ishte kodi i saj, dërgonte
materiale nga projektet e armëve atomike amerikane në konsullatën sovjetike në
Nju-Jork.
Maria
Konnenkova
Albert
Einstein mund të ketë qenë gjeni, por jo aq i zgjuar sa për të shmangur
magjepsjen me agjenten sekrete Maria Konnenkova. Ajo e takonte Eisnteinin në
vitin 1940, për të mbledhur informacione për përpjekjen e amerikanëve për të
shpikur bombën e parë bërthamore
Melita
Norwood
Në vitet ‘30
ajo mbështeti rusët nën udhëheqjen e Stalinit për planet e bombës bërthamore.
Agjentja 0087 punonte në një institut të kërkimeve shkencore dhe çonte
dokumente sekrete rusëve, pa rënë në sy nga MI5.
Ethel
Rosenberg
Aspironte të
bëhej këngëtare dhe aktore, por kryesisht punoi si sekretare në një kompani
anijesh. U akuzua dhe u dënua me vdekje për dhënien e sekreteve të ushtarakëve
amerikanë rusëve. Sipas gjykatësve, Rosenberg kishin sjellë vdekjen e 50 mijë
ushtarëve në Kore e gjithashtu kishin shitur edhe sekretet bërthamore te
sovjetikët
Maria Knuth
Ishte një
gjermane e rekrutuar nga KGB-ja, për shkak të bukurisë së saj dhe për aftësinë
e saj për të tërhequr oficerët britanikë dhe amerikanë gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Ajo kërcente në kabare. Edhe më parë Knuth ishte përdorur për qëllime
spiunazhi./mapo/
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.