1.METODOLOGJIA DHE KARAKTERI I PROBLEMIT
Një nga arritjet më thelbësore të psikoanalizës është se ajo
e ka kapërcyer ndryshimin e rremë ndërmjet psikologjisë sociale dhe asaj
individuale. Frojdi nënvizonte se nuk ekziston ndonjë psikologji individuale e
njeriut e izoluar dhe e shkëputur nga mjedisi social rrethues, sepse njeriu nuk
jeton i izoluar.Ai nuk pranonte ekzistencën e asnjë lloji homo psychogicus, të
asnjë Robinson Kruzoje psikologjik të ngjashëm me njeriun ekonomik, që e gjejmë
në teorinë ekonomike klasike. Përkundrazi, një nga zbulimet më të rëndësishme
të Frojdit ishte të kuptuarit e zhvillimit psikologjik të marrëdhënieve më të
hershme sociale të individit, pra marrëdhëniet me prindërit, vëllezërit dhe
motrat.
Është e Vërtetë, shkruante Frojdi, se psikologjia
individuale merret me njeriun e veçantë dhe studion se si ai përpiqet të kënaqë
impulset e tij instinktive. Por vetëm në raste të rralla psikologjia
individuale i lejon vetes të shkëputet e të mos studiojë marrëdhëniet e këtij individi
me të tjerët. Në jetën psikike të individit futet gjithmonë dikush tjetër si
model, ndihmës apo imponues, prandaj që nga Fillimi i saj psikologjia
individuale, në këtë kuptim të gjerë, por plotësisht të bazuar të këtyre
fjalëve, është njëkohësisht edhe psikologji sociale.
Nga ana tjetër Frojdi u shkëput rrënjësisht nga iluzioni i
psikologjisë sociale, objekt i së cilës ishte “grupi”. Sipas pikëpamjes së tij,
“instinkti social” nuk është më shumë objekt i psikologjisë, sesa është i tillë
edhe njeriu i veçantë, për aq kohë sa ai të jetë një instinkt i “lindur dhe
parësor”. Për më tepër, ai e shihte “fillimin e formimit të psikikës në një
rreth më të ngushtë, siç është familja”. Ai ka treguar se dukuritë psikike që
veprojnë në grup, duhet t’i kuptojmë duke u bazuar në mekanizmat psikike që
veprojnë tek individi dhe jo mbi bazën e “ndërgjegjes së grupit”.
Ndryshimi ndërmjet psikologjisë individuale e sociale
shpaloset si ndryshim sasior e jo cilësor. Psikologjia individuale mban
parasysh të gjithë faktorët që ndikojnë në fatin e individit dhe na vizaton një
tablo të plotë të gjendjes psikike të individit. Sa më shumë që e zgjerojmë
sferën e studimit psikologjik, d.m.th sa më i madh bëhet numri i njerëzve,
veçoritë e përbashkëta të të cilëve na lejojnë që t’i tubojnë ata në një grup,
aq më tepër duhet ta zvogëlojmë vëllimin e studimit tonë për tërësinë e
gjendjes psikike të anëtarëve të veçantë të këtij grupi.
Kështu pra, me rritjen e numrit të objekteve të studimit, në
filozofinë sociale zvogëlohet depërtimi në gjendjen psikike të çdo individi në kornizat
e grupit që po studiohet. .....
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.