Gjatë fillimit të mesjetës filozofët perëndimorë kishin humbur thuajse çdo kontakt me filozofinë e lashtë Greke. Para vitit 1150 ekzistonin shumë pak përkthime të filozofëve të Antikitetit Grek, të cilat kryesisht qëndronin të paprekura nëpër biblioteka, duke krijuar një të çarë të thellë midis Filozofisë së Lashtë Greke dhe Filozofisë Latine të mesjetës. Disi i çuditshëm është fakti se njeriu që do ta mbyllte këtë të çarë dhe do të krijonte një vazhdimësi në mendimin filozofik europian ishte një dijetar Arab, i cili lindi dhe e zhvilloi pjesën më të madhe të ativitetit në pjesën myslimane të Spanjës. Mbyllja e këtij hendeku të krijuar në kohë i dedikohet tërësisht Abu al Valid ibn Ahmet ibn Ruzhdi, i njohur në Europë si Averroe, Averroes, apo Aven Ruiz. Ishin pikërisht komentet e këtij gjeniu mbi veprën e filozofit të madh Grek ato që i dhuruan Perëndimit Latin shkëlqimin e munguar të Filozofisë së Aristotelit. Averroe studioi rrënjësisht dhe shkruajti komente të imtësishëm mbi të gjithë veprën e Aristotelit, me përjashtim të “Politikat”, vepër të cilën nuk arriti kurrë ta shtinte në dorë. Që nga fillimi i shekullit XIII, deri në fundin e shekullit XVII, vepra e Aristotelit u studiua rregullisht në Europë vetëm përmes përkthimeve në latinisht të komenteve të Averroes. Papa Gregori IX urdhëroi ngritjen e një komisioni për të shqyrtuar masat që duheshin marrë për t’u mundësuar të krishterëve studimin e librave dhe autorëve të ndaluar, ose, e thënë më shkurt, gjetjen e një justifikimi për të studiuar librat e Ibn Ruzhdiut. Idetë e Averroes do të kishin një ndikim të thellë në mendjet më të ndritura të filozofisë dhe teologjisë perëndimore, ndër të cilët mund të përmendim Tomas D’Akuinin, Beikon, Espinozën, Liebnic e shumë të tjerë (në veçanti filozofët e shkollës Franceze). Tomas D’Akuin i studioi në mënyrë aq të hollësishme dhe u familjarizua aq shumë me komentet e Averroes, sa atij i referohej thjesht si “komentuesi”(në filozofinë perëndimore Ibn Ruzhdi identifikohet shpesh me një emërtim të tillë), ndërkohë që Aristotelit i referohej si “filozofi”. Megjithatë, në vitet 1270, Sigeri i Brabantit, Betiusi i Dacisë e Bernieri i Nivelës u dënuan në Paris për herezi për shkak të “Averroizmit” të tyre. Edhe Dante, i cili tek Ferri i referohet Averroes si Ai që komentin e madh bëri, u dënua për “Averroizëm” pak kohë pas vdekjes dhe libri i tij De Monarchia u dogj me urdhër të Papës Gjoni XXII. Në afreskun e famshëm të Rafaelit Shkolla e Athinës, në Vatikan, figura e “komentuesit” gjendet pas asaj të Pitagorës, ndërsa sheh nga pas supit të grekut të madh të antikitetit. Vepra e Ibn Ruzhdiut u studiua deri në vitin 1831 në Universitetin e Meksikos, ndërkohë që statuja e tij ruan ende vendin e nderit në ambjentet e Universitetit të Barcelonës dhe përgjatë murit të lashtë që dikur rrethonte qytetin e Kordovës.
Me 38 veprat e tij filozofike Averroe renditet ndër emrat më të mëdhenj të mendimit botëror. Por puna e tij nuk kufizohet me filozofinë. Interesat e tij preknin një gamë shumë të gjërë fushash, ku përfshihen: një koment mbi shkrimet e Galenit e një seri librash mbi astronominë, muzikën, poezinë e retorikën. Si një ndër fizikantët dhe mjekët më në zë të kohës, Averroe i kushtoi një vend të veçantë mjeksisë në veprën e tij. Në këtë fushë ai shkroi 16 libra të shkëlqyer, ku për t’u veçuar është “Kulliat”, një enciklopedi prej shtatë volumesh e cila merrej me anatominë, diagnostikimin, materien mjeksore, patologjinë, psikologjinë dhe patalogjinë e përgjithshme. Të shtatë volumet u përkthyen në vitin 1255 në latinisht me titullin “Colliget” dhe u ribotuan disa herë. Kjo vepër linte pas bindshëm çdo vepër të mëparshme mjeksore.
Averroe lindi në Kordova të Spanjës në vitin 1128 dhe rridhte nga një familje juristësh e funksionarësh të lartë shtetërorë. Siç ndodhte edhe rëndom në familjet e ngritura të kohës, ai mori një edukim të përzgjedhur nga mësuesit më të mirë të Kordovës, që ishte një ndër qendrat më të zhvilluara të kulturës së atëhershme Europiane. Ai shkëlqeu në studimin e Kuranit, jurisprudencës, teologjisë e traditës. Njëkohësisht ai i kushtoi rëndësi të madhe edhe studimit të astronomisë, letërsisë, matematikës, muzikës e biologjisë, por rezultatet më të shkëlqyera i shfaqi në mjeksi dhe filozofi. Averroe gëzoi mbështetjen e Kalifëve të dinastisë së Almohadëve, që kishte mundur dhe zëvendësuar atë të Almoravidëve. Fillimisht u emërua mjek personal i Kalifit Abu Jakup Jusuf, për t’u emëruar më pas gjyqtar (kadi), së pari në Sevilje e më pas në Kordova.
Ishte vetë Kalifi ai që i kërkoi të komentonte veprën e Aristotelit, të cilin Averroe e adhuronte dhe e shihte si mendimtarin gjenial dhe gjigandin që kishte arritur tek e vërteta. Ruhen edhe sot komentet mbi “Kategoritë”, “Retorika”, “Poetika”, “Fizika” dhe “Brezat e Korrupsioni”, si edhe komentet e gjatë mbi “Kafshët” dhe “Metafizika”. Komentet janë të tre tipeve; të shkurtër, të cilët mund të konsiderohen si përmbledhje të subjektit; mesatarë dhe të gjatë, që ishin komente të hollësishëm mbi të gjithë veprën. Të tre llojet e komenteve duket sikur i korrespondojnë tre fazave të ndryshme të edukimit të studentëve; komentet e shkurtër ishin të përshtatshëm për fillestarët; mesatarët, për studentët që e njihnin veprën në një shkallë të caktuar dhe të gjatët për studentët e avancuar. Shumë studiues të Aristotelit, të hershëm e të vonshëm, bashkohen në përfundimin se këto komente janë një zbërthim korrekt i veprës së gjeniut Grek. Komentet e gjatë, në fakt, mund të konsiderohen si reflektime vetiake të Averroes, të bëra përmes analizave të shumta personale të cilat bazoheshin në interpretimin e koncepteve të Kuranit. Në të vërtetë vepra e Averroes shtyhet përtej zbërthimit e komentimit të Aristotelit dhe me të drejtë ajo identifikohet si teoria filozofike e Ibn Ruzhdiut. Teoria është tejet komplekse dhe tejet e vështirë për t’u kuptuar, duke bërë që në shumë raste ajo të interpretohej në këndvështrime krejt të kundërt. Për këtë arsye në Perëndim Averroes do t’i atribuohej teoria e së ashtuquajturës e vërteta e dyfishtë (Averroizmi, i cili është një interpretim kokë e këmbë i gabuar i mendimit filozofik të Ibn Ruzhdiut), sipas së cilës, e vërteta që arrihet përmes filozofisë është e ndryshme nga e vërteta që arrihet përmes besimit. Në fakt për Averroen ekziston vetëm një e vërtetë, të ndryshme janë vetëm rrugët që të shpien tek ajo. Për të shpjeguar këtë tezë ai shkruan librin “Mbi Harmoninë mes Besimit dhe Filozofisë” (libër që pati një impakt të jashtëzakonshëm në filozofinë perëndimore). Në libër ai mbështetet tek Aristoteli për të shpjeguar se ekzistojnë tre mënyra të ndryshme argumentimi: a) Argumentimi demonstrativ, apo shkencor, i cili bëhet duke u bazuar mbi fakte të vërtetuar shkencërisht; b) argumentimi dialektik, i cili bëhet mbi baza të aprovuara nga më autoritarët; c) argumentimi retorik, i cili bëhët mbi baza që auditorit i duken bindëse. Argumenimi demonstrativ i shkon për shtat filozofit, argumentimi dialektik i përshtatet teologut, ndërsa argumentimi retorik i shkon për shtat masave të gjëra. Tre mënyrat e avitjes drejt së vërtetës korrespondojnë me tre ndarje hierarkike të njerëzve, që me pak fjalë do të thotë se më të ngriturit, pra filozofët, do të arrijnë një nivel më të lartë të së vërtetës, ndërsa të tjerët, përmes besimit, do të arrijnë në një nivel më pak të lartë. Ky arsyetim aristokratik dhe tejet racional ishte shumë i avancuar për kohën (mbetet i tillë edhe sot). Ai mendon se edhe besimtarëve mësimet e shenjta duhet t’u ofrohen në bazë të formimit intelektual të secilit (njerëzit e fesë nuk mund t’u shtjellonin besimtarëve pika të Kuranit që këta të fundit ishin të paaftë t’i kuptonin. Një veprim i tillë bënte që në mënyrë të pashmangëshme të lindnin herezitë). Ndërkohë që sipas tij besimi është i detyrueshëm për të gjithë, edhe për vetë filozofët. Vetë Averroe ishte shumë besimtar dhe e gjithë vepra e tij karakterizohet nga përpjekjet e vazhdueshme për të demonstruar se mendimet e Aristotelit (filozofia) në asnjë mënyrë nuk binin ndesh me mësimet e shenjta të Kuranit, përkundrazi ishin dy rrugë të ndryshme që të shpinin tek e njëjta e vërtetë. Averroe e shihte shpirtin njerëzor si një pjesëz të një shpirti hyjnor gjithëpërfshirës, ndërkohë që mendonte se individi as nuk dominohet krejtësisht nga fati i tij e as nuk e ka atë krejtësisht nën kontroll.
Por kjo orvatje për të gjetur pika të përbashkëta, apo për të bashkuar Aristotelin (filozofinë) me Kuranin e vuri Averroen në qendër të sulmeve të fondamentalistëve myslimanë. Këndvështrimet e tij racionale u dukeshin fanatikëve tejet fyes, aq sa një herë ai u godit me gurë prej tyre në Xhaminë e Madhe të Kordovës. I detyruar nga rrethanat, Kalifi Al Mansur e dënoi Averroen për herezi dhe urdhëroi djegien e disa veprave të tij. Ibn Ruzhdiu u largua nga posti i kadiut dhe u dëbua nga Kordova për t’u vendosur në Marrakesh. Pas disa kohësh ai u rehabilitua përsëri në oborrin e Kalifit, ku ndenji edhe për pak kohë deri sa ndërroi jetë më 10 dhjetor 1198. Në shekujt e pasardhës idetë e tij do të provokonin shkëndija të rëndësishme në botën e krishterë, gjë që e rradhit padyshim Averroen ndër mendjet e ndritura që i hapën rrugën Rilindjes Europiane.
Mblodhi dhe përktheu Lorenc Rabeta
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.