Stigmatizimi
i tradhtisë në këngët tona rapsodike dhe popullore është një temë e veçantë, e
cila shtrihet në sinkroni e diakroni në kohë dhe hapësirë, duke filluar nga
antikiteti, te këngët legjendare të Mujit e Halilit e deri te mallkimi i
tradhtisë në luftën tonë çlirimtare e paskëtaj.
Kur
merret në trajtim kjo temë doemos se studiuesi ballafaqohet me dilemë morale,
meqë po të gjurmohet me kujdes kjo lëngatë e kombit, jo më larg se nga koha e
Skënderbeut e deri në ditët tona, mund të konstatojmë me keqardhje se sa më
shumë që është luftuar ky fenomen, sa më shumë që është stigmatizuar, duket
sikur aq më shumë ka marrë përmasa.
Natyrisht
se kështu ndodh jo vetëm me shqiptarët, por edhe me të gjithë kombet e shtypura
dhe të robëruara.
Duke
gjurmuar përmbajtjen e disa këngëve popullore çeçene, kemi zbuluar se nuk e
gjejmë të shprehur fare këtë fenomen nëpër këngët e tyre, edhe pse jeta e këtij
popullit të vogël përballë një Perandorie të fuqishme, sikur është Perandoria
gjithnjë despotike ruse, ka pjellë shumë bij bastardë, por çeçenët nuk merren
me tradhtinë, ata, thjesht e likuidojnë tradhtarin, ata nuk i këndojnë
shembullit, për të ushtruar ndikim te populli.
Ky
aspekt i trajtimit të tradhtisë te çeçenët duket i çuditshëm. Shqiptarët
këndojnë këngë me qëllim për ta stigmatizuar tradhtinë dhe me qëllim për të mos
u përsëritur një akt i tillë bastard, por çuditërisht sa më shumë e
stigmatizojmë aq më shumë kanë ndodhur raste tradhtie.
Studiuesit
tanë të folklorit nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur këtij fenomeni, që mund
të jetë trajtuar mbase edhe fenomen i kushtëzuar nga rrethanat historike të
jetës së këtij populli nën robërinë shekullore të Romës, Bizantit, Turqisë dhe
Serbisë.
Shembujt
e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i
tradhtisë janë të shumta dhe janë shënuar në të gjitha trevat e Shqipërisë, në
tërë të kaluarën, pa dallim.
Këngët
më të njohura ku stigmatizohet tradhtia janë: Kënga e Ballaban Pashës,
tradhtia e Mojsi Golemit dhe pendimi i tij, tradhtia e Hamza
Kastriotit dhe e shumë prijësve shqiptarë të asaj kohe.
Me
aktin e tradhtisë së Halil Patronës nga Sulltan Mahmudi fillon edhe
rrokullisja e jeniçerëve për të përfunduar me Ali Pashë Tepelenën, të cilin e
tradhtojnë madje edhe bijtë e tij. Ngjashëm ndodh edhe me Bushatlinjtë e
Shkodrës etj.
Duke
e vërejtur shtrirjen e këtij fenomeni, shpjegimin e thjeshtë e nxjerrim në
rrethanat historike. Pas çdo humbjeje të betejave, shumica e mundur e popullit
sikur luhatej, dhe për të mbijetuar pranonte bashkëpunimin me forcat pushtuese.
Ky realitet nuk stigmatizohet, por stigmatizohen rastet kur tradhtia bëhet për
tregti dhe përfitim, kur bëhet zeje, jo për të mbijetuar, por për të përfituar
kundër vëllait, fisit, bajrakut dhe kundër kombit apo fesë.
Kënga
e Halilit dhe Musës
Njëra
ndër këngët e tradhtisë e cila ka qenë e përhapur në të gjitha viset e
Shqipërisë veriore dhe verilindore dhe që ka arritur e pandryshuar deri në
ditët tona është kënga e Halilit dhe Musës, ku stigmatizohet premja në besë e
mikut. Për shkak se burri ia ka tradhtuar vëllezërit, Hajrie Garria vret
burrin, Bektash aganë, një turkoshak, i cili thyen traditën dokesore shqiptare
dhe vepron kundër nderit dhe moralit të kombit të cilit i takonte. Ajo nga
frika se edhe djali do ta trashëgonte në gjak tradhtinë, vret edhe të birin.
Vjen
e motra tue pyetë
-Të
mij vllazen çka i ka gjetë?
-I
ka shitun miku i vet
-I
ka shitë treqind duket.
-Na
paç në qafë ti mori motër,
-Qysh
na rrejte na prune n’ Shkodër,
-Ty
mos t leftë, kurrë djalë në votër,
-Mos
leftë djalë, vëlla mos left çikë,
-Ket
punë motra se ka ditë.
-Mos
ku gajle vëlla i motrës
-T’
i pret motra qentë e Shkodrës.
Këto
vargje janë të lidhura mjeshtërisht dhe në nivel të lartë artistik ku
ndërthuren dialogjet ashtu sikur në tragjeditë e Eskilit, të Eurupidit apo të
Sofokliut, dhe të cilat shpjegojnë më së miri esencën e tragjedisë së motrës, e
cila nuk kishte dyshuar se burri do t’ ia punonte pas shpine; duke ia tradhtuar
vëllezërit kryengritës, që i kërkonte pushteti për t’ i ekzekutuar.
Mallkimi
të vëllait, ajo i përgjigjet duke mallkuar madje edhe veten dhe duke marrë mbi
vete fajin që nuk e kishte, por që ajo konsideronte se ishte pleksur në atë
faj. Pikërisht ajo ndjenjë, edhe pse realisht e paqenë e fajit, e bën atë të
vrasë edhe birin, i cili sipas bindjes së saj, ishte pjellë e tradhtisë.
Kënga
e shtatë shaljanëve
Një
këngë tjetër e mirënjohur që ka motiv mallkimin dhe ndëshkimin e tradhtisë
është edhe kënga e “Shtatë shaljanëve”, të cilët i prenë në besë, Veziri i
Shkodrës.
Nga
kjo këngë po shkëpusim vetëm një fragment shumë domethënës.
Nga
shtatë shaljanët, që ishin hyrë në saraje, në besë të Vezirit kishte shpëtuar
gjallë vetëm, Deli Pjetri, i cili me vrap kishte arritur në Shalë dhe kishte përhapur
fjalë, për gjëmën e madhe dhe tradhtinë, që kishte ndodhur në sarajet e
Vezirit, në Shkodër. Nëna e tij duke e parë djalin që kishte shpëtuar dhe ishte
kthyer pa shokët, pyet e tmerruar:
-Pse
ke ardhë bir, ku i ke shoktë,
-Unë
për ty i prefsha floktë.
Djali
i shpjegon se nuk i ka tradhtuar shokët, por ka shpëtuar dhe është kthyer në
Malësi për ta dhënë kumtimin e zi të tradhtisë së Vezirit shqiptar.
Nga
dy vargjet e sipërme të këngës zbërthejmë botën shpirtërore të një nëne, e cila
është besnike e moralit tradicional dhe e aktit sublim të mbajtjes së besës.
Nga frika se djali, i cili ishte kthyer vetëm, mund t’ i kishte tradhtuar
shokët, ajo në një moment mallkon veten, ashtu sikur Hajrie Garria, por këtu
kemi të bëjmë me një zhvillim tjetër të situatës. Nëna, biri i së cilës do të
kishte tradhtuar, do t’ i priste flokët si shenjë mallkimi kundër vetvetes
kundër pjellës së vet. Edhe me këtë rast kemi të bëjmë me një element po aq të
fuqishëm sikur në tragjeditë e mirënjohura të antikës.
Kënga
e Kolë Gjeqit
Në
Kurbin të Shqipërisë së mesme është shënuar edhe një këngë shumë
karakteristike, që ka të bëjë me tradhtinë dhe vëllavrasjen.
Edhe
me këtë rast tradhtia vjen nga Shkodra, por jo nga Veziri, as nga Bejtash Aga
apo Bejta Syla, por nga një cub shkodran. Veziri i Shkodrës kishte premtuar një
qyp me lira, për personin, i cili do ta zinte apo do ta vriste, Kolë
Gjeçin. Me qëllime lakmie e përfitimi, një shkodran, (kënga popullore nuk na
njofton me emrin e tij) që ishte rritë në bukë të familjes së Kolë Gjeçit,
ndërsa nënën e tij e konsideronte si motër, kontakton me Kolën, duke ia fshehur
sa më thellë dyshimin. Pasi i shtrohet buka, dhe qëndron si vëlla në shtëpinë e
moçme, ai largohet si vëlla i largët, Kola e pyet të ëmën:
-Pa
vështro ti mori nanë,
-Ata
miq që erdhën mbramë,
-Pse
kanë ardhë ata shkodranë?
-Për
me m’ vra, a për me m’ nxanë?
Nëna
e bindur se shkodrani, të cilin e kishte rritë me bukë nuk do të bënte akt
tradhtie i përgjigjet të birit:
-Pasha
nanën je tuj gabue,
-Njani
sish asht gjak me mue,
-Vllazen
jemi, e nuk e drue
-Shpija
jem e tij ka kanë,
-Bukën
tem aj e ka ngranë.
Edhe
me këtë rast, ashtu sikur me rastin e Hajrie Garrisë, nëna e Kolë Gjeçit
gabohet duke qenë thellë e bindur në qenien e saj se, njeriu të cilin e kishte
rritur me bukë nuk do ta tradhtonte.
Shkodrani,
pas disa ditësh e vret më pritë Kolë Gjeçin, ia heq kokën, e vendos së calik
dhe shkon te Veziri në Shkodër, të cilit i drejtohet:
-Tu
ngjatë jeta shka ke urdhnue
-Urdhni
sot në vend të ka shkue,
-Ti
kolë Gjeqin e ke lypë,
-Ja
ku e ke në ket calik.
Veziri
shqiptar, çmeritet kur e kupton se vrasësi është njeriu, që është rritur në
bukën e Kolë Gjeçit, të cilin ai e kishte trajtuar si vëlla. Duke u zemëruar
për veprën e tij të ligë, Veziri ia kthen vrasësit:
-Flliqë
na i paske vend e votër,
-Tue
tradhtue vëlla e motër,
-Mbasi
vllanë me vra ke shkue,
-Ti
gja s’ lejke pa punue,
-Varne
cubin qen t’ terbue,
-Se
Shqipninë e ka shnjerëzue.
Në
këto tri këngë të traditës folklorike shqiptare tradhtia ndëshkohet rëndë.
Hajrie Garria mbyt të shoqin dhe birin, shtatë shaljanët, në përpjekje për të
dalë nga saraji, vrasin birin e Vezirit, ndërsa një tjetër Vezir i Shkodrës,
urdhëron të varet njeriu, i cili kishte vrarë kryengritësin, që e kërkonte
pushteti, mirëpo ai kishte vrarë njeriun, në bukën e të cilit ishte rritur.
Tradita
dokesore shqiptare nuk lejonte që vëllai ta tradhtonte, apo ta vriste vëllanë,
as atëherë kur pushteti e kërkonte kokën e kundërshtarit.
Stigmatizimi
i tradhtisë në këngët tona rapsodike dhe popullore është një temë e veçantë, e
cila shtrihet duke filluar nga antikiteti, te këngët legjendare të Mujit e
Halilit e deri te mallkimi po jo edhe ndëshkimi i tradhtisë në luftën tonë
çlirimtare e paskëtaj.
Kur
merret në trajtim kjo temë, doemos se studiuesi ballafaqohet me dilemë morale,
meqë po të gjurmohet me kujdes kjo lëngatë e kombit, jo më larg se nga koha e
Skënderbeut e deri në ditët tona, mund të konstatojmë me keqardhje se sa më
shumë që është luftuar ky fenomen, sa më shumë që është stigmatizuar, duket
sikur aq më shumë ka marrë përmasa.
Natyrisht
se kështu ndodh jo vetëm me shqiptarët por edhe me të gjithë kombet e shtypura
dhe të robëruara.
Studiuesit
tanë të folklorit nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur këtij fenomeni, që mund
të jetë mbase fenomen i racës dhe i rrethanave historike të jetës së këtij
populli nën robërinë shekullore të Romës, Bizantit, Turqisë dhe të Serbisë.
Aktet
e tradhtisë nuk ishin ndërprerë gjatë tërë kohës së sundimit turk por as gjatë
kohës së sundimit serb në trojet e robëruara të Shqipërisë.
Janë
të shumta dhe të mirënjohura këngët, që kanë si subjekt tradhtinë. Nga këto
këngë po përmendim disa sosh ku tradhtar është kumbara, njeriu i besuar, i cili
në të kaluarën konsiderohej si njeri i shtëpisë. Kënga e Sinan
Dragushës, të cilin e tradhton kumbara, kënga e Bec Sinanit, e Lec
Gradicës, Dan Darocit, të cilët po kështu i tradhtojnë kumbarët e shtëpisë,
pastaj kënga e Ndoc Mark Gegës, e cila shtjellon disa veçanti krejtësisht
të veçanta lidhur me këtë motiv si dhe këngë të tjera të shumta që i i përkasin
këtij fenomeni.
Kënga e Ndoc Mark gegës
Kënga
e mirënjohur e Ndoc Mark Gegës, sjellë disa elemente krejtësisht të veçanta dhe
është kënga më tipike e këtij lloji. Për dallim nga të gjitha këngët e tjera,
përmbajtja e kësaj kënge është më shumë lirike sesa epike. Nga studimi i
kujdesshëm i vargjeve të kësaj kënge, nga mënyra lirike e këndimit, e
shpeshherë edhe e recitimit të vargjeve me një dinamikë, që nënkupton ritmin e
lëvizjes së kryengritësve dhe komitëve në trojet arbërore, të cilët i kërkonte
për t’ i ekzekutuar pushteti turk për shkak se ata ose kishin kryer
kundërvajtje ose thjesht nuk i bindeshin pushtetit, nga mënyra e interpretimit
të ndeshjes në Ndoc Mark Gegës me Çaushin turk, arrijmë në përfundim se aktet e
tradhtisë ishin bërë krejt të rëndomta dhe dukej sikur këngëtarët tashmë nuk
stigmatizonin, por këndonin për një fenomen që ishte përhapur në çdo krahinë të
vendit dhe dukej krejtësisht i zakonshëm.
Kënga
e Ndoc Mark Gegës është këngë antologjike e kundruar nga shumë segmente, qoftë
për nga shtjellimi i syzheut, përmbajtja, gradacioni, ritmi luftarak, dialogu i
ashpër dhe burrëror por edhe nga përfundimi deri diku tragjik dhe komik.
Të
dy personazhet kryesor të këngës, Ndoc Mark Gega dhe Çaushi, dëshirojnë të
shpëtojnë nga luftimet që po zhvilloheshin.
Ndoci,
i cili kishte shkuar në shtëpi për të festuar ditën e Shën Kollit, rrethohet,
meqë një Vocërr faqezi, e kishte parë atë kur ishte nisur për në shtëpi,
dhe e kishte denoncuar te çaushi, i cili sipas detyrës kishte marrë sejmenët
dhe ishte nisur në rrethim të kullës së Ndocit, që ndodhej në shtëpi së bashku
me të atin, Markun, 70-vjeçar.
Zëri
i tellallit i bën me dije Ndocit se ishte rrethuar dhe nga ai kërkohej të
dorëzonte fillimisht armët e pastaj të dorëzohej edhe vetë, meqë edhe po të
kishte krahë të fluturonte, nuk mund të shpëtonte i gjallë.
Këtë
moment këngëtari anonim popullor e ka interpretuar me përshkrim heroik dhe pa
asnjë element të tragjizmit, meqë, Ndoc Mark Gega ishte prej atyre
kryengritësve, i cili i kishte dy duar për një kokë dhe nuk priste fat tjetër
veç luftimit, mundësisht edhe çarjes së rrethimit. Në moment ai i drejtohet
babait:
-Baba
Gegë ti çka po thue,
-Ne
Çaushi na ka rrethue,
-Po
i lypë armët, pa u dëmtue.
-A
me i dha a me luftue?
Babai,
i cili i përkiste traditës së fortë të burrërisë dhe qëndresës, i përgjigjet me
përbuzje dhe duke e qortuar të birin:
-Mos
lashtë Zoti, bir, pa t marrue,
-Qysh
mu ba burri si grue,
-Me
dhanë huten pa luftue!
Gjatë
luftimeve të ashpra mes Ndocit, babait të tij, Markut dhe Çaushit vriten e
plagosën shumë sejmenë, po ashtu vritet edhe babai i Ndocit. Duke parë epilogun
e rrethimit dhe nga frika se mos po e merrte plumbi Çaushi ikë duke i lënë
sejmenët në rrethim. Ai bekon ditën e Bajramit si ditë me fat, që po shpëtonte
vetë, ndërsa për sejmenët nuk e bënte fare dert, meqë mbreti do të regjistronte
sejmenë të tjerë.
Edhe
Ndoc Mark Gega lumturon Ditën e Shën Kolit, që kishte rastisur të binte në të
njëjtën ditë me Bajramin dhe në ditë të shenjtë kërkonte të shpëtonte vetë, dhe
për babanë, nuk e kishte dert. Tekefundit, ai kishte kërkuar të mos
dorëzoheshin dhe ishte plak 70 vjeç, i cili nuk kishte më përse të jetonte, për
më tepër nuk po shkonte gjakhupës, sepse i kishte vrarë shtatë a tetë sejmenë.
Kënga
e Ndoc Mark Gegës është një margaritar i rrallë i këngëve tona ku heroizmi dhe
tragjikja shkrihen në një tërësi të realitetit ekzistues, në një kohë dhe në
rrethana ku ishte tëholluar tejmase kufiri mes jetës dhe vdekjes, ku shpëtimi i
rastit ishte një qelepir, për të jetuar edhe një ditë më shumë, qoftë edhe mbi
kurriz të njëri tjetrit, pse jo edhe mbi kurriz të babait plak, nga djali i
cili i kishte shpëtuar rrethimit, apo Çaushi, i cili kishte shpëtuar falë
qëndresës së zaptive.
Kjo
këngë është e pasur me një dialog refleksiv, pa shumë përshkrime pa stilizime
të zakonshme. Ngjarja zhvillohet me një ritmikë të shpejtë dhe të
jashtëzakonshme. Tradhtari, simahori, i cili në këtë rast ishte një Vocër
Prenku faqezi, e lajmëron Çaushin se e ka parë Ndocin, që ishte nisur drejt
shtëpisë së tij, dhe pastaj ngjarja zhvillohet me shpejtësi. Çaushi sapo merr
lajmin mobilizon sejmenët, me qëllim për ta zënë shumë të kërkuarin sapo të
futej në shtëpi, përndryshe, ai do t i qepej malit dhe nuk e zinin dot.
Për
dallim nga këngët e tjera ku zakonisht ndëshkohet tradhtari, në rrëfimin e
kësaj kënge ai ndëshkohet me denoncim publik, duke i bërë të ditur emrin, me
qëllim që turpi e tradhtia të mbeteshin në këngë, brez pas brezi dhe vepra e
tillë të stigmatizohej e të demonizohej, si shembull i tradhtisë.
Është
me interes edhe një dukuri, që vërehet në këto këngë, të cilat, mbi të gjitha
janë krijime të fuqishme artistike. Në disa raste denoncohet emri i tradhtarit,
por në shumë raste nuk denoncohet, po zakonisht është kumbara i shtëpisë, apo
dikush i afërm. Ky anashkalim i emrave të tradhtarëve në shumë raste
konsiderojmë se është bërë me qëllim për të mos i demonizuar pasardhësit, apo
vëllezërit, e fisin, që kishte krijuar një reputacion për të mirë, duke iu
përmbajtur parimit të kanunit, se nuk ka fis pa një pis, dhe një dele e
keqe nuk e prish kopenë e bagëtisë.
Këngëtari
anonim popullor, i cili ishte rrëfimtar besnik i përshkrimit të ndodhive,
kishte qëndrim të qartë klasor dhe politik. Ai, kurdoherë kishte mbështetur
interesin e popullit dhe duke marrë anën e kundërshtarëve të regjimeve
sunduese, duke stigmatizuar tradhtinë, përmes shembujve që kanë sjellë në
ndodhitë e caktuara.
AhmetQeriqi
Marrë nga sa-kra.ch
Marrë nga sa-kra.ch
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.