Martesat transnacionale, një emërtim, në dukje
abstrakt për një dukuri aq konkrete dhe të njohur nga secili dhe secila: Është
fjala për martesat e personave me prejardhje të huaj që jetojnë në Zvicër me
një partner/e nga vendi i prejardhjes së tyre.
Ky fenomen
është objekt i projektit studimor me titull pune “Martesat transnacionale në
Zvicër”, pjesë e të cilit është edhe studiuesja me prejardhje nga Kërçova,
Shpresa Jashari.
Shpresa ka
magjistruar në lëndën e gjermanistikës, politologjisë dhe të drejtave
ndërkombëtare në universitetin e Cyrihut dhe tani është doktorante e
antropologjisë në Universitetin Neuchatel.
“Në studimin
“Martesa transnacionale në Zvicër” bëhet fjalë për martesat e personave të
lindur ose të rritur në Zvicër me dikë nga vendi i prejardhjes së prindërve të
tyre.
Kjo temë ka
disa vite që në Zvicër debatohet në mënyra shumë kundërthënëse dhe që nuk
trajtohet më si çështje private. Ajo është bërë temë e politikës.
Projekti po
realizohet në Universitetin Neuchatel dhe është financuar nga Fondi Nacional i
Zvicrës (SNF). Ekipi përbëhet nga Prof. Janine Dahinden, Joëlle Moret dhe unë”,
thotë Shpresa Jashari, bashkautore e studimit të filluar rishtas.
“Ne kemi
filluar me intervistat e para dhe që tash po shihet se sa kompleks dhe
shumështresor është fenomeni – krejtësisht në kundërshtim me diskurset shpesh
të njëanshëm dhe stereotipikë që janë në qarkullim. Projekti ka filluar mirë;
por ne jemi vetëm në fillim dhe natyrisht, kërkojmë partnere dhe partnerë të
tjerë për intervistim”, plotëson Shpresa Jashari.
Studimi
synon që personat e prekur t`i bëjë të flasin vetë për veten
Emocionet të
cilat e shoqërojnë debatin për martesat e aranzhuara ose martesat me detyrim,
sigurisht e kanë bërë më të ngutshme nevojën për një trajtim shkencor të kësaj
teme. Me këtë pajtohet edhe bashkautorja e studimit.
“Patjetër se
e kanë bërë. Kur një temë arrin të ngjallë një kërshëri të tillë në diskursin
publik dhe kur ajo në agjendën politike figuron e lidhur me detyrimin,
konfliktin dhe keqtrajtimin, është me rendësi përcaktuese që ajo të shikohet më
saktësisht dhe që fenomeni fillimisht të kuptohet. Për bashkëjetesën shoqërore
në përgjithësi dhe për politiken në veçanti është me rëndësi që debatet publike
të rrjedhin mbi një bazë solide informatash dhe që çiftet transnaconale të mos
futen në mënyrë paushalle nën dyshimin për keqpërdorim”, thotë me tutje
Jashari.
Studimi
synon që personat e prekur t`i bëjë që të flasin vetë për veten: Si e rrëfejnë
ata historinë e vendit të tyre? çfarë është, sipas pikëpamjes së tyre, e
rëndësishme në zgjedhjen e partnerit/es? Sa varet kjo nga kontekstet politike,
juridike, ekonomike ose diskurset në Zvicër por edhe në vendin e prejardhjes?
Ky fokusim
mbi perspektivën e personit të prekur mundëson që të transmetohen praktika
sociale, strategji dhe përfaqësime që lidhen me martesat transacionale. Krahas
kësaj bëhet e mundur që të kuptohen përmbledhje komplekse të kushteve, në të
cilat ato janë të ndërlidhura: politika restriktive për migracionin, politizimi
dhe kulturalizimi i gjendjeve problematike sociale.
Duke folur
për “target grupet” që synon studimi, bashkëbiseduesja jonë shprehet: “Ne nuk
lidhemi me ndonjë grup të caktuar etnik ose nacional. Prandaj ne kërkojmë
partnere dhe partnerë për intervistim te të cilët martesa transnacionale është
duke rrjedhur ose që tashmë është përmbyllur, ashtu sikurse edhe persona që
janë ndarë nga një partneritet i tillë. Nga njëra anë vijnë në shprehje
personat të cilët – respektivisht prindërit e të cilëve - kanë migruar në
Zvicër nga një vend jashtë BE-së dhe që janë rritur në Zvicër ndërsa në anën
tjetër partneret/ët e këtyre personave.
Format e
marra në përgjithësi të këtyre martesave, si ato joproblematike ashtu dhe ato
konfliktuoze janë me interes për kuptimin gjithëpërfshirës të martesave transnacionale
ne Zvicër, gjë që ky studim po e synon, thotë Shpresa, e cila tërheq vërejtjen
edhe nga vështirësitë që i dalin ekipit gjatë punës.
“Nuk është e
lehtë në fakt që t`i bindësh njerëzit për t`i intervistuar. Kjo ka të bëjë edhe
me paragjykimet ekzistuese, të përmendura më lartë, me të cilat përballen
çiftet transnacionale. Por ne, në intervistat tashmë të realizuara kemi bërë
përvoja shumë të mira dhe në mesin tonë mbretëron një atmosferë e shkëlqyeshme.
Prandaj, ne u gëzohemi bisedave të mëtutjeshme.”
Jo
prejardhja por konteksti social
Sa herë që
bëhet fjalë për martesat e aranzhuara në mes të partnerëve me qëndrim në Zvicër
dhe bashkëkombësve të tyre në vendin e prejardhjes, nuk shpëtojnë pa u
përmendur shqiptarët. Prandaj dhe është e pashmangshme pyetja e drejtuar
Shpresa Jasharit se sa janë në fokus të studimit shqiptarët dhe në këtë
kontekst, a ka ndikuar edhe fakti se ajo është shqiptare, për t`u bërë pjesë e
ekipit.
“Martesat
transnacionale nuk kanë të bëjnë me kulturat, prejardhjet por te ato bëhet
fjalë për procese sociale shumë komplekse. Kështu, për studimin tonë nuk ka
ndonjë masë që të nxjerrim një komunitet të caktuar në kuptimin që të themi:
Këta njerëz janë kështu dhe kështu. Por ajo që ne gjithsesi duam është që të
intervistojmë ata persona që me të vërtetë janë të prekur nga diskursi rreth
kësaj teme. Dhe këtu bëjnë pjesë, siç e thoni edhe ju me të drejtë, krahas
njerëzve nga, le të themi Turqia, Sri Lanka ose Somalia, edhe ata nga Kosova,
Maqedonia dhe Shqipëria. Fakti se unë flas shqip, është me siguri një plus për
studimin e të dhënave tona por unë shpresoj megjithatë shumë, se ka edhe arsye
tjera për të më angazhuar në këtë projekt!”
Vendet për
të cilat aludohet ose thuhet qartë se praktikojnë tipet e përmendura të
martesave kanë elemente identifikuese të përbashkëta; fenë ose kulturën
patriarkale. Cili element është më përcaktues për këtë dukuri?
“Pa marrë
para sysh se ne ende nuk kemi realizuar analiza sistematike dhe rrjedhimisht
nuk mund të shpallim rezultate, unë kam përshtypjen se fakti që po kërkoni
arsyet për martesat e këtilla në kulturën apo religjionin e personave të
përcaktuara po ashtu është një shembull për diskursin mosbesues lidhur me këtë
temë, për të cilën ne bëmë fjalë më parë. Pastaj, veç kësaj mua më duhet ta bëj
pyetjen bazike:
A është
diçka negative të dëshirosh të jesh bashkë me dikë që nuk është nga Zvicra?”
Çfarë roli luan "interesi"?
Duke ditur
diferencën e madhe në standardin jetësor në mes të Zvicrës dhe vendeve “të
dyshuara” prej nga vijnë partnerët/et e martesave transnacionale, a mund të
thuhet se interesi personal (viza, mirëqenia në Zvicër etj.) ka një peshë për
këto martesa, është pyetja e radhës.
“Unë mendoj se fjala ‘interes’ në këtë rast nuk
është më e qëlluara, kështu që ky koncept në këtë rast duhet vështruar në
kuptimin e tij të dyfishtë: Interesi në kuptimin e atraktivitetit, kureshtjes,
të shumtën shkon krahas interesit në kuptimin e të shikuarit te tjetri të
përparësisë për veten. Natyrisht që në shoqëri ekziston edhe shfaqja e
dashurisë romantike në të cilën interesi për tjetrin rritet vetëm nga ndjenja e
pastër. Dhe pastaj, ka në anën tjetër edhe arsye të caktuara përse një person
është interesant për tjetrin. Këto kritere për përzgjedhjen e partnerit
veprojnë shpeshherë pavetëdijshëm, që ndryshe do të thotë se dashuria ‘ndodh’
të shumtën brenda shtresës së njëjtë sociale. Këto kritere, të vetëdijshme dhe
të pavetëdijshme, mund të jenë shumë të ndryshme si për shembull shkalla e
caktuar e arsimimit, prestigji i bazuar në pamjen e caktuar të jashtme ose në
profesionin e caktuar të partnerit, hobi ose interesat e
caktuara apo
siguria ekonomike (si brenda ashtu dhe jashtë vendit), një strukturë specifike
familjare ose madje, kur të bëjmë fjalë për aranzhimin e martesave të familjeve
mbretërore evropiane në shekujt e kaluar, edhe kalkulimi politik.
Po të
shikojmë në rrethin ku jetojmë shohim se ka tepër pak çifte që pëlqejnë gjëra
që janë plotësisht të ndryshme dhe që kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme
për jetën e përbashkët si çift, apo jo? Dhe, këtu nuk bëjnë përjashtim as
çiftet transnacionale”, përfundon Shpresa Jashari, bashkautore e studimit për
martesat transnacionale. /albinfo/
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.