Intervistë me Niko
Kazantzakin
Gazetari: Do të doja
ta fillonim bisedën tonë në lidhje me librin tuaj, ''Asketikën'', një përpjekje
filozofike për të interpretuar misterin e madh që quhet Jetë. Çfarë është pra
jeta?
N.K.: Jeta nuk është një
fenomen objektiv. Ekzistojnë dy këndvështrime nga të cilat mund ta shqyrtojmë
jetën. Ana pesimiste thotë: Vijmë nga një abys (vend shumë i thellë dhe i
fshehur) i errët. Përfundojmë në një abys të errët. Periudhën e ndritshme të
ndërmjetme e quajmë Jetë. Fatmirësisht sapo të lindim, fillon dhe rikthimi.
Njëkohësisht me fillimin dhe kthimi pas. Çdo moment vdesim. Për këtë shumë
njerëz thonë se qëllimi i Jetës është Vdekja.
Po këndvështrimi
pozitiv?
Fatmirësisht sapo lindim fillon dhe përpjekja
për të krijuar, për të lidhur, për ta bërë materien jetë. Çdo moment lindim.
Për këtë shumë njerëz thonë: Qëllimi i jetës provizore është pavdeksia.
Pra për ju, qëllimi i
jetës së çdo njeriu është njëhsimi i tij me Universin?
Unë jam një krijesë e përkohshme, e
dobët, e krijuar nga balta dhe ëndrrat. Por brenda meje ndjej të krijojnë nje
vorbull të gjitha fuqitë e Universit. Dua që një moment, përpara se te më
shembin, të hap sytë e mi dhe t'i shoh. Tjetër qellim nuk i jap jetës time.
Baltë dhe Ëndrra?
Domethënë trup dhe Shpirt?
Që ta them pak më mirë, zemër dhe
mendje. Ecim nëpër buzët e abysit dhe dridhemi. Dy zëra brenda nesh luftojnë.
Mendja burracake dridhet se mos thotë
ndonjë budallallëk dhe mos cënohet krenaria e saj, por me një abstraktizëm
frikacak, të matur thotë se nuk është e aftë ta shpjegojë. Bërtet, shpjegon,
vërteton, proteston, ''Përse të humbemi duke ndjekur të pamundurën? Brenda
fushës së shenjtë të pesë shqisave, detyrimi ynë është të njohim kufijtë e
njeriut.
Por një tjetër zë brenda meje, mund ta
quajmë fuqi të gjashtë, mund ta quajmë zemër, i kundërvihet dhe i thërret me zë
të lartë: ''Pusho mendje burracake, le të dëgjojmë zemrën''. Cilën zemër?
Esencën e jetës, ''Absurditetin''. ''Jo! Jo! Kurrë mos i njih kufijtë e njeriut!
T'i thyesh kufijtë. Të refuzosh atë që sytë e tu shohin! Të vdesësh dhe të
thuash: Vdekja nuk ekziston!''....
Nënkuptoni se ekziston
nje dakortësi midis zërit të zemrës dhe të mendjes?
Nuk duhet të ekzistojë një dakortësi.
Dakortësi do të thotë palëvizshmëri, palëvizshmëri do të thotë vdekje. E gjithë
Jeta është një telash. Vetëm vdekja nuk është. Jetë do të thotë të shtrëngosh
rripin tënd e të dalësh e të kërkosh telashe. Si të ishte e gjithë kjo Jetë një
ndjekje e përjetshme e diçkaje të padukshme. Nuk kemi përveç se vetëm një
moment në dispozicion. Le ta bëjmë këtë moment përjetësi. Tjetër pavdeksi nuk
ekziston.
A ka pasur momente ku
kishit frike nga vdekja?
Vdekja është një kripë që e bën jetën
shumë të shijshme. I lirë është vetem ai që nuk e ka frikë vdekjen. E vetmja
gjë nga e cila kam frikë është plakja.
Plakja, po përse?
A nuk është gjynah dhe e padrejtë që të
mos zgjasë një mijë vite rinia e njeriut! A thua mos pati frikë Perëndia se mos
do t'i marrim fronin, dhe dalë ngadalë na ç'armatos, na heq dhëmbët, na dobëson
gjunjët, na shkatërron veshkat, na turbullon sytë dhe rrjedhin hundët dhe buzët
tona? Jo, jo, nuk më intereson vdekja, biles do të uroja me deshirë që të me
kapte ndonjë plumb një herë e mirë. Por atë shuarje të ngadaltë, atë nuk do e doja!
Domethënë keni
nostalgji për rininë?
Po, sigurisht. Kush mund të përballet me tërmetin, me zjarrin, me rininë?
Rinia është një bishë që nuk e di se është bishë. Rinia kërkon pavdeksinë, nuk
e gjen, kompromise nuk pranon dhe nga krenaria, refuzon gjithçka. Jo çdo rini. Por rinia
e damkosur nga e vërteta.
Gazetari: E verteta
eshte se fatkeqsisht shumica e njerezve, ashtu sikurse dhe une, nuk e shohim
jeten si nje forme pavdeksie...
Është logjike. Sapo më sollët tani një
kujtim nga rinia ime i cili përcaktoi mënyrën time të mendimit në vijim. Një
ditë po kaloja nga një fshat i vogël. Një plak rreth nëntëdhjetë vjeç po
mbillte një pemë bajameje.
- O gjysh, i thashë, seriozisht po mbjell bajame tani?
Ai, ashtu i kërrusur siç ishte, u kthye dhe më tha:
- Po. Une biri im veproj si të isha i pavdekshëm!
- Ndërsa unë, ju përgjigja, veproj si të ishte për të vdekur në çdo
moment. Cili nga ne te dy kishte të drejtë miku im?
Kush nga të dy kishte të drejtë, tashmë që mënyra juaj e mendimit është
shumë më e pjekur?
Tek trupat tanë të gjallë këto dy rryma luftojnë me njëra tjetrën:
a) Malorja, drejt kompozimit, drejt jetës, drejt pavdeksisë.
b) Dysheza, drejt shpërbërjes, drejt materies, drejt vdekjes.
b) Dysheza, drejt shpërbërjes, drejt materies, drejt vdekjes.
Të dyja rrymat burojnë nga rrënjët e thella të esencës zanafillase. Në
fillim jeta është e papritur, duket si e paligjshme, si para-natyrale, si një
reagim provizor ndaj burimeve të errëta të përjetshme, por thellë thellë
ndjejmë: Jeta është edhe ajo anarkike, është vrulli i vetë Universit.
Shumë njerëz thonë se njeriu është kafsha që përcepton vdekjen...
Jo, unë them se Njeriu është kafsha që përcepton pavdeksinë.
Po a nuk është shumë e shkurtër jeta jonë?
Një rrufe është jeta jonë. Por na del koha. Të vdesësh çdo ditë. Të lindësh çdo
ditë. Të refuzosh gjithçka që ke çdo ditë. Atëherë jeta bëhet një refuzim i
pandalshëm, kështu i kundërvihesh tretjes dhe kërkon të pasigurtën.
Çfarë do të thotë
fjala besim për ju, në kundërshtim me kundërshtarët tuaj që ju i konsideroni si
më pak fetarë se sa ju?
Si të besojnë jobesimtarët se çfarë
mrekullish mund të lindë besimi? Harrojnë se Shpirti i njeriut bëhet i
plotfuqishëm atëherë kur pushtohet nga një ide e madhe. Tmerrohesh atëherë kur,
pas disa provave të vogla, kupton se brenda nesh ekziston një fuqi që mund ta
tejkalojë fuqinë e njeriut. Tmerrohesh... pasi nuk... mundesh më të gjesh
justifikime për veprimet e tua prej burracaku, apo duke u hedhur fajin të
tjerëve.
E di që ti, jo fati, as e shkruara, as
njerëzit përreth teje, por vetëm ti ke të gjithë përgjegjësinë, për çfarëdo që
të bësh. Atëherë fillon e ke turp që të qeshësh, ke turp të tallesh, nëse një
shpirt i ndezur zjarr kërkon të pamundurën. Tani e kupton shumë mirë se kjo
është vlera e njeriut: të kërkojë dhe të dijë se po kërkon të pamundurën, dhe
të jetë i sigurtë se do ta arrijë, pasi e di se nëse nuk do të dorëzohet dhe të
tërhiqet, nëse nuk do tja vëjë veshin atyre që logjika e varfër do t’i thotë,
por do të mbajë me dhëmbët e shpirtit të tij dhe do të vijojë me besim, me
vendosmëri për të ndjekur të pamundurën, atëherë do të bëhet mrekullia, ajo që
mendja jonë e zakonshme që kurrë nuk arriti të ketë krahë dhe të fluturojë, nuk
arriti as ta imagjinonte: e pamundura bëhet e mundur.
A do ta takojë ndonjëherë mendja jonë Perëndinë?
Do ta gjejmë Perëndinë atje ku do të shkojmë. Do ta gjejmë, por jo siç e
përshkruajnë ata që kurrë nuk e kanë parë, si një plak me mollzat e faqeve të
kuqe, që rri i ulur mbi retë prej pupulash dhe urdhëron. Por si një zë që
shpërthen nga brendësia jonë dhe na përgatit për luftë.
Çfarë nënkuptoni?
Perëndia nuk është ujë i ftohë, jo, nuk është i freskët që ta pish dhe të
freskohesh. Është zjarr mbi të cilin duhet të ecim të zbathur. Jo vetëm të
ecim, por kryesisht, dhe kjo është më e vështira, të kërcejmë mbi të.
Sigurisht, kur të arrish që të mundesh të kërcesh, zjarri shndërrohet në ujë të
freskët, por deri sa të arrish çfarë beteje duhet, çfarë ankthi, o Perëndi!
A ekzistojnë momente gjatë ditës tuaj ku luteni?
Sigurisht por nuk mjafton vetëm lutja, duhet të bësh jetë asketike. Lutja
sot quhet veprim. Të asketosh çdo ditë do të thotë: të jetosh me njerëzit dhe
të ngjitesh çdo ditë, dhe jo vetëm të Premten e Madhe, me Krishtin në malin e
Golgotës, dhe të kryqëzohesh.
Cila është lutja juaj?
Besoj tek një Perëndi, kaçak, me fuqi të madhe por jo i plotfuqishëm,
vuajtës, luftëtar në kufijtë më të skajshëm, gjeneral perandor në të gjitha
fuqitë e ndritshme, të dukshme dhe të padukshme. Unë besoj tek maskat e
shumënumërta që ka marrë Perëndia me kalimin e shekujve dhe e dalloj atë pas
kësaj rrjedhe bashkimin e patretshëm. Besoj tek beteja e vështirë dhe
vigjilente që bën, për të zbutur dhe për të bërë pjellore materien që të jetë
jetëdhënëse për bimët, kafshët dhe njerëzit. Besoj tek zemra e njeriut, fushën
me dhe në të cilën kaçaku lufton ditë e natë me vdekjen.
Çfarë do të thotë të jetë dikush i lirë sot?
Virtyti sublim nuk është të jetë dikush i lirë, por të luftojë për liri.
Liria nuk ka qëllim. As nuk gjendet në këtë tokë, në këtë tokë gjendet vetëm
lufta për liri. Liri do të thotë të luftosh në tokë pa shpresë!
Domethënë? A mund të ma shpjegoni pak më mirë?
Si fillon drita nga një yll dhe përhapet në përjetësinë e zezë duke ecur e
pavdekshme? Ylli vdes, por drita e tij kurrë. E tillë është dhe britma e
lirisë. Nuk është liria si të bësh petulla dhe t’i hash. Është një kështjellë
dhe duhet ta fitosh me shpatën tënde. Cilido që e pranon lirinë nga duart e
huaja, është skllav.
Çfarë duhet të ketë kujdes dikush që të mos bëhet skllav?
Është shumë e thjeshtë. Mos pesho, mos mat, mos u rehato! Ndiq rrahjen e
thellë të zemrës tënde... Mos shpreso asgjë, mos ki frikë asgjë, ji i lirë.
Në fundin e rrugës për
fitimin e lirisë gjendet lumturia?
Lufto. Bëj betejë më Shpirtin. Ta
konsolidosh që të mos humbet. Të të konsolidojë që të mos humbesh. Arsyeja që njeriu
pushoi së qëni kafshë është se lufton për të arritur të pa arritshmet. Lumturia
ama nuk gjendet në fundin e rrugës, gjendet përgjatë të gjithë rrugës.
Si dhe kur shprehet
lumturia?
Shprehet atëherë kur njeriu lufton me
një esencë të fortë, të padukshme, më superiore se ai vetë. Përgjatë kësaj
beteje shohim një pemë të lulëzuar, një hero, një grua, yllin e agimit dhe
thërrasim: Ah! Dhe asgjë tjetër nuk mund ta mbajë gëzimin tonë. Kur këtë Ah! do
ta dëshirojmë, duke e analizuar për t’ua transmetuar njerëzve, për ta shpëtuar
nga vetë tretja jonë, pikërisht atëherë do të kuptojmë se çfarë do të thotë
lumturi e vërtetë.
Nënkuptoni se në
kundërshtim me lirinë, lumturia banon në botën e njerëzve?
Lumturia mbi tokë është e prerë në
lartësinë e njeriut. Nuk është një zog i rrallë që duhet ta ndjekim herë në
qiell e herë në mendjen tonë. Lumturia është një zog shtëpiak në oborrin tonë.
Ke pinelat, ke ngjyrat, pikturoje parajsën dhe futu brenda.
Cili është detyrimi më
i madh i Njeriut kundrejt vetes?
Dikur më pyeti një fëmijë: I dashur
gjysh, më jep një urdhëresë. Unë ju përgjigja –Arrij atje ku mundesh biri im...
Ai u kthye, më pa me një vështrim të rëndë dhe thërriti me zë të lartë: -Gjysh,
me jep një urdhëresë më të vështirë, më kretane (nga Kreta).
Arrij atu KU NUK MUNDESH biri im!
A është e vërtetë se
kemi fuqi shumë të madhe të fshehur brenda vetes?
Po. Është e vërtetë. Kjo fuqi buron nga
përplasja. Ky ka qënë për mua gjithmonë një mister i thellë dhe i pakuptueshëm.
Agonia ime e madhe, burimi i të gjitha gëzimeve dhe hidhërimeve të mia, që nga
rinia ime e deri më sot, ishte beteja midis shpirtit dhe trupit. Psikika (bota
psikologjike) është arena ku këto dy ushtri takohen dhe ndeshen. Psikika e
njeriut është një grumbull vemjesh, të cilat me një frymë hyjnore shndërrohen
në flutura.
Cili është detyrimi i
njeriut kundrejt bashkënjerëzve të tij?
Të dashurojë përgjegjësinë. Të thotë:
Unë dhe vetëm unë e kam për detyrë të shpëtoj qëniet e botës. Nëse ato nuk
shpëtohen, unë e kam fajin. Shpesh herë njeriu është shumë i shkretë. Ndërsa
mund të zhvendosë male, të bëjë mrekulli, zhytet në pleh, në dembelizëm dhe në
pabesi! Perëndi kemi brenda nesh dhe nuk e dimë. Shumica e mëson vetëm momentin
që vdesin, por atëherë është shumë vonë.
Sa lloje njerëzish
ekzistojnë, nëse bazohemi tek të mësipërmet?
Ekzistojnë tre lloje njerëzish. Ata që
ushqimin që hanë e bëjnë pleh, të tjerë që e bëjnë festë dhe kërcim dhe të
tjerë që i japin jetë dhe e bëjnë Perëndi.
A ndjeni se po i
afroheni fundit?
Po, po i afrohem... Por ndoshta është
thjesht një fillim i ri... Një anije është trupi ynë që lundron mbi ujrat blu.
Cili është qëllimi ynë? Të fundosemi! Ajo që dua të lë pas është një kështjellë
e djegur. Asgjë tjetër nuk dua të lë pas.
A besoni se e keni
gjetur rrugën drejt Parajsës?
Besoj se kam gjetur hyrjen. Mendoj se
porta e Parajsës gjendet në fundit e Ferrit. Por edhe sikur të isha i sigurtë
se do të shkoja në Parajsë, do t’i lutesha Perëndisë që të shkoja nga rruga më
e gjatë...
A e keni përfunduar
misionin tuaj në këtë Planet?
Shpirti njerëzor nuk duhet kurrë që
besojë se e ka përfunduar qëllimin e ekzistencës së tij. Kur uji nuk rrjedh,
turbullohet, mbledh llum, kur shpirti nuk rrjedh, grumbullon po llum. Zemra e
njeriut duhet të jetë një bishë. Një bishë e pazbutur...O Zot, as ti nuk munde
ta zbusësh.
Kush është pra kjo
detyrë sublime?
E kemi për detyrë, përtej halleve
individuale dhe zakoneve të leverdisshme, të vendosim një qëllim dhe të
përpiqemi ta arrijmë atë. JO për ta arritur, pasi një shpirt krenar sapo të
arrijë qëllimin e tij, e zhvendos akoma më tej, që të mos ndalojë kurrë rrugën
ngjitëse. Vetëm kështu jeta fiton fisnikëri dhe bashkim. Kjo do të thotë njeri:
të vuash, të të bëhen padrejtësi, të luftosh dhe kurrë të mos dorëzohesh! Mos
harro se guri, hekuri dhe çeliku nuk durojnë, njeriu duron.
A mundet njeriu të
fitojë gjithçka nëse ka besim tek shpirti i tij?
Nuk ka rëndësi objektivi, por rruga për
arritjen e tij. Mos prano të pyesësh veten:
‘’Do të fitojmë? Do të mundemi?’’ Thjesht lufto! Sidoqoftë, gjithçka që nuk u
realizua kurrë, është se nuk e dëshiruam aq sa duhet.
Por kur nuk ja
arrijmë?
Nevojitet durim dhe këmbëngulje. Të të
pëlqejë rreziku. Mund të humbemi, mund t’ia dalim. Mos pyet! Shpesh herë në
jetë dhe unë kam ndjerë sikur po i binim murit me kokë. Shumë koka do të thyhen. Por do vijë një moment, që do
të thyhet dhe muri.
Çfarë do të donit tu
këshillonit lexuesve tanë përpara se ta mbyllim?
Të kenë gjithmonë brenda tyre pak
çmenduri. Të gjithë njerëzve u nevojitet pak çmenduri... Përndryshe nuk mund të
këputet litari dhe të lirohesh. Përtej mendjes, greminës së shenjtë të zemrës,
duhet të lëvizin duke u drithëruar. Njëra këmbë të shkelë në dhe të sigurtë,
por tjetra të kërkojnë në errësirë mbi abisin. Kur të mos munden të ndryshojnë
realitetin, le të ndryshojnë syrin që shikon realitetin. Këtë bëja kur isha
fëmijë, këtë bëj dhe tani.
Ju falenderoj shumë
për kohën tuaj të çmuar
Edhe unë ju falenderoj.
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.