fredag 16 februari 2018

METODOLOGJIA DHE KARAKTERI I PROBLEMIT


1.METODOLOGJIA DHE KARAKTERI I PROBLEMIT

 

Një nga arritjet më thelbësore të psikoanalizës është se ajo e ka kapërcyer ndryshimin e rremë ndërmjet psikologjisë sociale dhe asaj individuale. Frojdi nënvizonte se nuk ekziston ndonjë psikologji individuale e njeriut e izoluar dhe e shkëputur nga mjedisi social rrethues, sepse njeriu nuk jeton i izoluar.Ai nuk pranonte ekzistencën e asnjë lloji homo psychogicus, të asnjë Robinson Kruzoje psikologjik të ngjashëm me njeriun ekonomik, që e gjejmë në teorinë ekonomike klasike. Përkundrazi, një nga zbulimet më të rëndësishme të Frojdit ishte të kuptuarit e zhvillimit psikologjik të marrëdhënieve më të hershme sociale të individit, pra marrëdhëniet me prindërit, vëllezërit dhe motrat.

 

Është e Vërtetë, shkruante Frojdi, se psikologjia individuale merret me njeriun e veçantë dhe studion se si ai përpiqet të kënaqë impulset e tij instinktive. Por vetëm në raste të rralla psikologjia individuale i lejon vetes të shkëputet e të mos studiojë marrëdhëniet e këtij individi me të tjerët. Në jetën psikike të individit futet gjithmonë dikush tjetër si model, ndihmës apo imponues, prandaj që nga Fillimi i saj psikologjia individuale, në këtë kuptim të gjerë, por plotësisht të bazuar të këtyre fjalëve, është njëkohësisht edhe psikologji sociale.

 

Nga ana tjetër Frojdi u shkëput rrënjësisht nga iluzioni i psikologjisë sociale, objekt i së cilës ishte “grupi”. Sipas pikëpamjes së tij, “instinkti social” nuk është më shumë objekt i psikologjisë, sesa është i tillë edhe njeriu i veçantë, për aq kohë sa ai të jetë një instinkt i “lindur dhe parësor”. Për më tepër, ai e shihte “fillimin e formimit të psikikës në një rreth më të ngushtë, siç është familja”. Ai ka treguar se dukuritë psikike që veprojnë në grup, duhet t’i kuptojmë duke u bazuar në mekanizmat psikike që veprojnë tek individi dhe jo mbi bazën e “ndërgjegjes së grupit”.

 

Ndryshimi ndërmjet psikologjisë individuale e sociale shpaloset si ndryshim sasior e jo cilësor. Psikologjia individuale mban parasysh të gjithë faktorët që ndikojnë në fatin e individit dhe na vizaton një tablo të plotë të gjendjes psikike të individit. Sa më shumë që e zgjerojmë sferën e studimit psikologjik, d.m.th sa më i madh bëhet numri i njerëzve, veçoritë e përbashkëta të të cilëve na lejojnë që t’i tubojnë ata në një grup, aq më tepër duhet ta zvogëlojmë vëllimin e studimit tonë për tërësinë e gjendjes psikike të anëtarëve të veçantë të këtij grupi.

Kështu pra, me rritjen e numrit të objekteve të studimit, në filozofinë sociale zvogëlohet depërtimi në gjendjen psikike të çdo individi në kornizat e grupit që po studiohet. .....

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.