lördag 12 januari 2019

Ndriçimi çfarë është ?

PENGESA MË E MADHE NDAJ NDRIÇIMIT





Ndriçimi çfarë është ?





Një lypës ishte tridhjetë vjet ulur në një qoshe të rrugës. Një ditë një i huaj i afrohet dhe lypësi duke hequr kapelën e vjetër nga koka, i murmurit: “Do të bësh një shkëmbim?”


“Nuk kam asgjë për të të dhënë”, përgjigjet i huaji. Më pas pyet: “Çfarë është ajo ku je ulur?”


“Asgjë, përgjigjet lypësi, është thjesht një kuti e vjetër. Kam shumë kohë ulur mbi këtë kuti."


“Nuk i ke hedhur një sy asnjëherë se çfarë ka brenda?” e pyeti ihuaji. “Jo”, i përgjigjet lypësi. “Për çfarë arsye? Atje brenda nuk ka asgjë." I huaji ngul këmbë: “Hidh një sy brenda kutisë!” I huaji u drejtua me kureshtje drejt hapjes së kapakut dhe me habinë e tij të madhe pa që aty brenda kishte flori.




Unë jam ai i huaji që nuk ka asgjë për t’iu dhënë. por që ju jap mundësinë për të parë brenda jush. lo brenda një kutie, por diku më afër: brenda vetvetes.




"Por, unë nuk jam lypës”, mund të më përgjigjeni.




Ata që nuk e kanë gjetur pasurinë e tyre të vërtetë, lumturinë e madhe të ekzistencës dhe paqen që sjell ajo, janë lypësa edhe nëse kanë shumë të ardhura materiale. Ata janë duke kërkuar jashtë për copëza kënaqësie, për siguri apo dashuri, kur brenda vetes kanë një thesar, që jo vetëm i përmban të gjitha këto, por që është pafundësisht më i madh se çdo gjë që një botë mund të ofrojë.




Fjala ndriçim i bën thim'e idesë për një arritje mbinjerëzore dhe dëshirës për ta mbajtur gjallë këtë ndjenjë, por në fakt është thjesht një ndjenjë natyrale në unitet me ekzistencën personale. Është një ndjenjë ndërlidhjeje me diçka të pamatshme dhe të pathyeshme; diçka që në mënyrë paradoksale je vetë ti, por shumë më e madhe se ti. Është gjetja e natyrës sate të vërtetë përtej emrit dhe formës. Pazotësia e ndjenjës së kësaj ndërlidhjeje të çon në iluzionin e ndarjes të vetes nga bota rreth teje. Kështu ti percepton veten në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, si një fragment të izoluar. Frika shtohet dhe konfliktet brenda dhe jashtë teje, bëhen të zakonshme.




Më pëlqen shumë përkufizimi i Budës mbi ndriçimin si “fundi i vuajtjes”. Nuk ka asgjë mbinjerëzore mbi këtë përkufizim, apo jo? Sigurisht, është i paplotë pasi na tregon vetëm çfarë nuk është ndriçimi: nuk është vuajtje. Po çfarë ka aty ku nuk ka vuajtje? Buda nuk na sqaron këtë aspekt; ndaj na duhet ta zbulojmë vetë. Ai përdor një përkufizim negativ ndaj dhe mendja nuk mund ta besojë si një kuptim mbinjerëzor. Përveç kësaj shumica e budistëve mendojnë se ndriçimi ishte vetëm për Budën e jo për ta; të paktën jo në këtë jetë.




Ti përdor fjalën “qenie". A mund të na thuash çfarë do të thuash me këtë?


Qenia është një jetë e përjetshme, përtej formave të shumta jetese të cilat lindin e vdesin. Qenia pos që është përtej është edhe thellë çdo forme, si një thelb i padukshëm dhe i pashkatërrueshëm. Kjo do të thotë që ajo ndodhet thellë brenda teje; është natyra jote e vërtetë. Mos u mundo ta kuptosh atë. Mund ta njohësh vetëm kur mendja është në gjendje qetësie. Kur je i pranishëm, kur je thellësisht i përqendruar tek e tashmja, mund ta ndiesh qenien, por asnjëherë nuk mund ta kuptosh atë. Ndriçimi është të jesh i ndërgjegjshëm për qenien dhe të banosh në atë gjendje “realizimi të plotë”.




Nga libri: Fuqia e së Tashmës-Eckhart Tolle

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.