torsdag 14 juli 2016

Ligji i qenit’ në Kanunin shqiptar






Kanuni njeh katër lloje qensh: (a) qentë e lidhur, (b) qentë e stanit, (c) qentë e gjahut dhe (d) qentë shtëpiakë. Ka rregulla të veçantë për çdo lloj qeni. Qentë e lidhur quhen kështu sepse gjatë gjithë kohës mbahen të lidhur dhe lëshohen vetëm natën. Qentë e tjerë me disa përjashtime lihen të lirë ditë e natë. Qentë e lidhur janë, qen shtëpie që shërbejnë për të ruajtur shtëpinë e të zotit prej hajdutëve dhe armiqve. Të varfërit mbajnë vetëm një të tillë, pasi e konsideronin si pasuri të paçmueshme. Një i pasur mban aq qen sa t’i teket. Cen Elezi nga Sllova e Dibrës mbante rreth tridhjetë qen. Gjatë ditës i shtrëngonin të rrinin në një gropë të madhe ndanë shtëpisë së tij, ndërsa natën lëshoheshin nga kujdestari i qenve. Ushqimin ua jepte kujdestari pasi vetëm ai mund t’u afrohej pa u rrezikuar. Nëse vetë Ceni, apo djemtë e tij, kuturisnin jashtë pasi binte nata, këto shtazë të egra do t’i coptonin.
Egërsia natyrale e qenve të lidhur ushtrohej nëpërmjet stërvitjes së tyre. Që kur ishin këlyshë, ata nuk përkëdheleshin kurrë nga i zoti dhe fëmijët e tij, madje as thirreshin me të butë. Përkundrazi, shpesh i ngacmonin me paramendim me qëllim që t’ua dobësonin nervat. Nuk i qasnin kurrë në kuzhinë apo në mjediset e tjera të shtëpisë, por mbaheshin në lëmë, ku në një qoshe kishin koliben e tyre. Kolibja sajohej përgjithësisht me një gardh dosido të ngjeshur me baltë, duke mos i krijuar qenit një strehë të rehatshme. Kolibja vendosej sa më larg trinës së jashtme për të ruajtur largësinë e duhur midis qenit dhe vizitorit që hynte. Ata duheshin lidhur një orë përpara lindjes së diellit dhe lëshoheshin thuajse një orë para perëndimit.
Ky ligj ishte i rreptë, dhe lejonte vetëm dy ndryshime. Nëse një qen ishte jashtëzakonisht i egër, mund ta lidhnin herët dhe ta zgjidhnin më vonë. Nëse zona ishte e rrezikshme, ose i zoti i qenit ishte në gjak me dikë, qeni lëshohej sapo të perëndonte dhe lihej i lirë deri në agim. Në rastin e dytë, për shkak të kësaj mase, jabanxhiu që futej në fshat qysh më të gdhirë, duhej që të pyeste për siguri, nëse bujtësi i tij ishte në gjak me ndokënd apo jo. Nëse ishte kështu, ai merrte masat duke e thirrur mikpritësin që nga larg-qeni i egër, po s’e trazove, nuk lëviz përtej rrethinave të lëmit të vet. Pastaj shkëmbejnë disa pyetje dhe përgjigje konvencionale, për ta bindur mikpritësin se jabanxhiu vjen si mik dhe jo si armik. Pasi bindet, bujtësi e urdhëron jabanxhiun të qëndrojë në vend dhe të mos flasë- sepse qeni sulet nga t’i vijë zëri. Mandej ai e lidh qenin, ndërkaq ndonjëra prej grave shkon për ta kontrolluar jabanxhiun, dhe nëse i mbushet mendja se është i padëmshëm, e sjell në shtëpi.
****
Sulmi i qenit të shtëpisë ndaj të huajve, parashikohet në ligj sipas tri shkallëve: (a) kur qeni vetëm i kërcënohet për ta kafshuar, (b) kur qeni arrin që ta kafshojë dhe (c) kur qeni vritet. Në të trija shkallët, bëhet një dallim midis sulmit gjatë ditës ose natës. Nëse gjatë ditës qeni i shtëpisë përpiqet ta kafshojë të huajin, ky i fundit mund ta vrasë qenin pa pësuar ndonjë ndëshkim. Dita është e udhëtarit jo e qenit, kështu që të drejtën e ka ai, jo qeni. Për ta sulmuar të huajin, qenit i duhet të këpusë zinxhirin ose të shkulë hurin në të cilin është lidhur. Edhe i zoti ka faj, sepse s’është kujdesur që zinxhiri dhe huri të jenë të sigurtë. Eshtë për t’u shënuar se në Martanesh, i huaji dëmshpërblehej me 100 grosh.
Gjithashtu nëse gjatë ditës qeni roje arrin ta kafshojë të huajin, i zoti duhet ta dëmshpërblejë atë, pavarësisht nëse vritet apo jo qeni. Në Dibër, i zoti i shmanget dëmshpërblimit të gjakut kur qeni i tij plagos udhëtarin. Nga veriu më piktoresk, të zotit i duhet që ta mbajë të lënduarin në shtëpi derisa të shërohet pa i dhënë ndonjë dëmshpërblim, përveç kësaj duhet të paguajë mjekët deri në shërimin e plotë të tij, ndërsa të lënduarit i shlyen fitimin që do të nxirrte ky, po të ishte shëndoshë e mirë. Pasi veriorët ishin tepër të varfër, shpenzime të tilla bëheshin një barrë e tepërt. Prandaj, herë pas here, i kontrollonin zinxhirët dhe hunjtë dhe i çonin gratë për ta shoqëruar të huajin deri në fund të shtëpisë; burrat s’e kryenin vetë këtë detyrë, sepse s’ishin të paprekshëm si  gratë ndaj pritave të hasmit. I varfëri, kur shikonte se qeni i tij po i vërsulej dikujt, nga dëshpërimi mund ta vriste qenin, duke menduar të keqen më të vogël. Qëllonte që burri të përpiqej për t’i ikur përgjegjësisë, duke bërtitur se ai nuk qe jevgjit që punonte zinxhirë por vetëm blerës, pasi s’e kish bërë enkas zinxhirin me difekt. Udhëtari mund t’ia kthente, se ai nuk ishte mish për qenin. Atëhere, nxirrnin pistoletat dhe fillonte gjakmarrja. Përgjithësisht, i zoti i qenit, helm e pikë, e ftonte të lënduarin që të pranonte mikpritjen sipas ligjit.
Kur qeni roje mbyste të huajin ditën, përgjithësisht merrej sikur ta kishte vrarë i zoti, kështu shpërthente gjakmarrja midis dy familjeve. Megjithatë, në Dibër, familja e cënuar mbetej e kënaqur nëse dëmshpërblehej me të holla për gjakderdhjen.
****
Gjatë natës, ligji mbante tërësisht anën e qenit të shtëpisë dhe të të zotit. Sado që ta kërcënonte të huajin, ky nuk mund ta vriste qenin. Po ta bënte një gjë të tillë, duhej të paguante paratë e gjakut ose të hynte në gjak me të zotin, tamam sikur ta kishte vrarë këtë të fundit. Kanuni e thotë qartë se “natën, qeni është i barabartë me njeriun”. Me të vërtetë, në vende si Çermenika, qeni kishte peshë më të veçantë dhe vrasja natën e tij, ishte më e rëndë. Nëse një qen roje arrinte ta kafshonte të huajin natën, ky nuk përfitonte asgjë prej të zotit të qenit – as mikpritjen apo harxhet e mjekimit dhe as zhdëmtimin e fitimit të humbur. Fqinjët e përqeshnin:- “Çudi! Ta lejosh veten të të kafshojë qeni?! Qenke njeri për së mbari. “Nuk jepej dëmshpërblim, edhe po qe se qeni i shtëpisë e mbyste të huajin natën, për këtë vrasje nuk merrej gjaku. Një herë e një kohë, e reja e Demir Lleshit vajti një natë nga ara e babait. Qeni i fqinjit iu vërsul dhe e mbyti, por meqë kishte rënë nata, në vaktin e qenit, gjaku i saj humbi. Nuk ngriti peshë fakti se qeni kishte shkelur ligjin pasi ajo ndodhej në tokën e saj.
Për kësi rregullash bëhej vetëm një përjashtim. Nëse një shtëpi gjendej pranë një rruge kryesore, natën mund ta vrisje ndonjë qen agresiv pa u ndëshkuar.
Kur vritej për inat  çështja bëhej tepër serioze. “Ai që të vret qenin e shtëpisë, don të grabisë gruan”, thotë Kanuni. Të tilla vrasje ndodhnin natën, sepse për ditën me diell, agresori do  ta kishte vështirë që t’i afrohej shtëpisë. Pasi nata i përkiste qenit, krimi bëhej më i rëndë.
Në Mirditë, Kurbin dhe Martanesh ai që vriste qenin “në koliben e tij”, d.m.th. në tokën e vet dhe si rrjedhim për inat, duhet që t’i paguajë të zotit 500 grosh, që ishte një gjë e madhe ndër këto zona të kapluara nga varfëria. Në Shqipërinë e Veriut, ai që vriste qenin e shtëpisë, linte peng jetën. Kur vritej nga i zoti i qenit, farefisi i tij, vriste dikë nga familja e këtij të fundit, me shpjegimin se s’mund ta lejonin që i afërmi i tyre të barazohej me një qen. Në shumicën e rasteve, pasi të dy palët bëheshin “një për një”, pastaj, i zoti i qenit pranonte që të bëhej pajtimi me kusht që të merrte paret e gjakut për kafshën e vrarë. Po t’i shkrepej, ai mund të vinte si kusht një dem ose një kalë që kushtojnë më tepër se shuma konvencionale e gjakut. Qëllonte që gjakmarrja vazhdonte-është rregjistruar fakti se një herë janë vrarë dymbëdhjetë vetë, për hir të një qeni. Në çdo vend, burri që e falte menjëherë vrasësin e qenit të vet, shpotitej si njeri i dobët. Në Lumë,  i dyshuari për vrasjen e një qeni roje që e patën gjetur të ngordhur, krim që kushtonte sa vrasja e një njeriu, nuk mund të dilte i pastër derisa të mos bindëte njëzet e katër pleq që të betoheshin për të.
Duke patur egërsinë, si vetinë më të rëndësishme, qentë e stanit trajtoheshin ashpër njëlloj si qentë e shtëpisë. Kështu, në përgjithësi i shkëpusnin që të vegjël nga e ëma, në mënyrë që për një kohë të gjatë të mos dinin fare se ç’ishin përkëdheljet. Por ata ishin shumë të kujdesshëm me bagëtitë, dhe nuk ndaheshin kurrë prej tyre. Këlyshët ushqeheshin me qumështin e deleve ose të dhive- prandaj, thoshin fshatarët e Shpatit, ata ruanin lidhjen e ngushtë me to. Kur rriteshin, barinjtë i ushqenin me bukë misri të papjekur mirë që i bënin si topa që mezi gëlltiteshin. Megjithatë, lëkura e tyre e fortë dhe e shkëlqyeshme tregonte se kjo dietë ishte e mjaftueshme.
Ligji i qenit të stanit ndryshonte nga vendi në vend sipas pozitës së kësaj kafshe në ekonominë lokale. Në veri, ku njeriu ishte i varur thuajse tërësisht nga bagëtitë e veta, qeni i stanit kishte rëndësi të madhe pasi ishte roja i të gjithë mjeteve të jetesës së të zotit, prandaj mbrohej prej ligjit, sa më s’ka. Në zona të tilla si Kurbini, ku njerëzit merreshin me bujqësi dhe me blegtori, qeni i stanit nuk ishte kaq i rëndësishëm për të zotin dhe ligji ishte diçka më i butë. Në zonat pjellore si Luma dhe Krasniqja, ku mbizotëronte bujqësia, qeni i stanit bëhej edhe më i parëndësishëm, dhe ligji nuk ishte shumë i ashpër. Në veri ishte më e rëndë vrasja e qenit të stanit, se e qenit të shtëpisë, ndërsa në vendet e tjera ky raport përmbysej.
Në malet e veriut, ligji i qenit të stanit ditë apo natë qoftë ishte një. Kalimtari mund të kafshohej në cilëndo orë të ditës apo të natës, por nëse ai e vriste qenin, vritej nga i zoti. Asnjë shfajësim s’mund ta falte për krimin e kryer. Ai mund të kishte humbur rrugën ose të ishte i huaj (pra një mik që duhej mbrojtur). Por pa dobi! Mali qe terreni i qenit ditë e natë. Përse t’i afrohet deleve? Mos deshte të vidhte ndonjë? Nuk kishte ndonjë rrugë tjetër që kaloi nga kopeja? Ai mund t’i ngjitej rrugës së madhe që është krejt  tij, ditë e natë. Nëse kalimtarin e mbyste qeni, familja e tij nuk kishte të drejtë të kërkonte paratë e gjakut ose të niste gjakmarrjen; “gjaku i tij humbte”. Në Dibër mbizotëronin po ato ligje të ashpra. Në zonën e Kurbinit, pjesërisht blegtorale dhe pjesërisht bujqësore, burri që vriste qenin e stanit përgjithësisht shpëtonte me pagimin e parave të gjakut; nuk ishte nevoja që ta paguante me jetë. Në Martanesh, ku kishte një gjendje të përafërt ekonomike, ai që vriste një qen stani kur i kërcënohej jeta, dhe e provonte arsyen e vrasjes së tij, gjobitej me 100 groshë, në rrethana të tilla kaq ishte shuma e blerjes së qenit të shtëpisë.
Në Çermenikën fqinjë ai nuk gjobitej fare. Në Lumën pjellore, ligji thoshte “për një qen s’mund t’i merret jeta burrit”, dhe sipas kësaj teorie, udhëtari që shtegton nëpër mal, mund ta vrasë qenin e stanit nëse nuk e le që të kalojë. Për dënim, atij i duhet vetëm që të shkojë tek i zoti i qenit dhe t’i kërkojë të falur. Në përgjithësi ai ka frikë që të shkojë vetëm- sepse i zoti i qenit mund të dyshojë se ai e ka vrarë qëllimisht, dhe për pasojë mund të sillet keq. Kështu që zakonisht shkon i shoqëruar nga të tjerë. Këta rrëfejnë krimin e tij dhe i kërkojnë të falur. Falja kurrë nuk kthehet mbrapsht.
Edhe në zonat më fisnike, vrasja inatçore ose pa arsye e qenve të stanit mund të shkaktojë gjakmarrjen. Në Lumë, “kohë më parë” ndodhi një rast ekstrem. Dhentë e fisit Onuzi, po mrizonin në një vathë malore pran avathës së fisit Doçi. Qentë nisën të kacafyteshin midis tyre dhe bariu i Doçajve vrau një qen të Onuzëve. Bariu i Onuzëve nxjerr revolverin dhe shtie mbi njeriun e Doçajve duke e lënë të vdekur. Kështu midis barinjve nisi një luftë e përgjithshme dhe brenda pak minutash mbetën të vrarë gjashtë njerëz nga Onuzët dhe dymbëdhjetë nga Doçajt, për hir të një qeni. Gjakmarrja bëri kërdinë për vite me rradhë, dhe nuk u ndal derisa Sulltani dha vetë urdhër për ndalimin e saj. Brezat pasardhës të udhëtarëve mësuan metoda praktike për trajtimin e qenve të stanit. Metoda e parë ishte “vënia në gjumë e qenit”. Nëse një udhëtar kishte fatin e keq të haste ndonjë qen në shtegun e tij dhe bariu nuk dukej andej pari për ta thirrur, ai kalonte mënjanë duke ecur kundër erës me shpresë që as zhurma as era e tij mos të arrinte te qeni. Nëse qeni sulmonte, udhëtari mund të ndiqte shembullin e Uliksit, kur u rikthye në shtëpi dhe u ul. Ka mundësi që edhe qeni të ulet dhe ta bllokojë derisa të mbërrijë bariu, por nuk ka të ngjarë që ta sulmojë përsëri. Kjo metodë praktikohej më shumë në Shqipërinë e Mesme, sesa në veri, ku udhëtari prirej më fort të ngjitej në ndonjë pemë duke shpresuar që bagëtitë të kalonin sa më shpejt, që të çlirohej. Qeni nuk e vinte re dhe shkonte tok me bagëtinë. Ai ngjitej në pemë, por kur kopeja ishte e madhe dhe kulloste, atëhere udhëtari detyrohej që të rrinte gjysëm dite përmbi pemë, ndërsa qentë i lehnin poshtë këmbëve; sepse në veri të Shqipërisë e kishin zakon që t’i linin bagëtitë në kullotë për orë të tëra vetëm me qentë e stanit.
Megjithatë, nëse një kope kulloste pranë rrugës së madhe, qeni i stanit i nënshtrohej ligjit të njohur tashmë se “s’është e drejtë që qeni ta presë rrugën”. Kur ndodhet afër ndonjë rruge, bariu duhet ta mbajë nën kontroll qenin e stanit ditë e natë, me anë të thirrjeve ose më së shumti të rripit që është më i sigurt. Shtegtari që has ndonjë qen të braktisur në rrugë të madhe, pasi thërret dhe nuk merr fare përgjigje prej bariut, ka të drejtë ta vrasë qenin pa patur nevojë që ta dëmshpërblejë të zotin.
Qentë e gjahut lihen të lirë të lëvizin në shtëpi, në kuzhinë dh enë arë pa patur nevojë kurrë për t’u lidhur.
Nëse zagari zinte një lepur, vetëm i zoti kishte të drejtë që ta merrte lepurin. Ndodhte që zagari ta ndiqte gjahun deri larg, dhe një i huaj e qëllonte lepurin përpara se ta kapte i zoti i qenit. Në këtë rast, ky i fundit ia kërkonte lepurin duke i ofruar të huajit një fishek të ri për t’i zëvendësuar atë që kishte harxhuar. Nëse oferta nuk pranohej fillonte gjakmarrja, i huaji hapte zjarr i pari.
Nëse dy burra shkonin për gjueti me një qen të vetëm, në fund të ditës, i rripnin lepujt dhe i ndanin në mënyrë të barabartë.
Mbeten për t’u përmendur disa rregulla të veçuara. Klerikët, priftërinjtë ndër katolikët ose ordotoksët dhe hoxhallarët ose shitët ndër muslimanët e kishin të ndaluar që të mbanin qen shtëpie. Shtëpitë e tyre duhet të rrinin hapur ditë e natë për besimtarët e famullisë ose mysafirët dhe nuk mund të bllokoheshin nga qentë. Në rast se mbanin qen stani nuk duhesh që t’i sillnin në shtëpi, por t’i linin në një farë largësie nga vatha. Nuk kishte ndonjë ndalim për mbajtjen e zagarëve dhe të qenve roje.
Kur qeni i shtëpisë zhdukej përkohësisht gjatë periudhës së çiftimit dhe i zoti nuk e gjente dot në agim që ta mbante lidhur për gjatë ditës, ai mbante përgjegjësi për këtë sjellje të qenit. Nëse ditën qeni lihej i lirë në këto kushte, thuhej se i zoti e kishte lidhur në kohën e duhur por qeni kishte këputur zinxhirin. Për fatin e mirë të të zotit dhe të kalimtarëve, qeni gjatë kësaj periudhe, në përgjithësi, ishte shumë i zënë me punët e veta për t’iu shkaktuar telashe të huajve.

Margaret Hasluck

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.