fredag 30 december 2016

Zilia shkakton zemerim



Le të kënaqemi me atë që kemi, pa bërë krahasime; ai që vuan nga lumturia e tjetrit, nuk ka për të qenë kurrë i lumtur. Unë kam më pak se ç’prisja; por, ndoshta, unë kam pritur më shumë se ç’duhej. Ja, se nga çfarë duhet të trembemi më shumë; prej këtej vijnë zemërimet më të dëmshme, që janë të aftë të sulmojnë edhe gjërat më të shenjta.

Ai që, pasi ka marrë shumë, e quan fyerje që nuk i dhanë edhe më shumë. “Ai më caktoi në vendin e pretorit, por unë shpresoja të më jepte vendin e konsullit; ai m’i dha postin e sekretarit, por nuk më bëri drejtor ; më zgjodhën në një kolegj, po pse vetëm në një? Ai m’i bëri të gjitha nderet, po nuk e shtoi pronen time; ai më dhuroi atë që ishte i detyruar t'ja dhuronte gjithkujt, dhe nuk vuri asgjë nga e tija.
Më mirë është të falënderosh për atë që ke marrë;pastaj, prit atë që mbetet dhe gëzohu që nuk je ngopur, sepse është kënaqësi të vazhdosh të shpresosh. Ua kalon të gjithëve? Gëzohu që je i pari në zemrën e mikut tënd! Ka shumë njerëz që ta kalojnë? Shiko ata që të ndjekin nga pas!Sa shumë ua kalojnë në numër atyre që ke përpara! Do që të dish se cila është e meta jote më e madhe? Shtrembërimi i së vërtetës: ti e ngre shumë lartë atë që jep, dhe ul shumë poshtë atë që merr.
Ajo që na e zbut zemërimin, ndryshon sipas atyre që na e shkaktojnë atë: për dikë është frika, për një tjetër nderimi, për një të tretë përçmimi. Ç’është e vërteta, nuk ka asnjë kuptim të përplasësh në burg një skllav të vogël e të mjerë! Pse duhet të kesh dëshirë ta godasësh atypëraty, t’ia thyesh këmbët menjëherë? Të këmbesh një ndëshkim me një tjetër, kjo nuk ta heq mundësinë për të dënuar. Le të presim të bëhemi përsëri zotër të vetes; përndryshe, në vend që të flasim ne,do të flasë zemërimi; vetëm kur ky të ketë rënë,duhet menduar për të gjykuar fajin. Sepse ne gabojmë pikërisht në këtë pikë; shkojmë deri te arma, te dënimi me vdekje, dhe dënojmë me vargonj, me burg e me uri, një krim, që një qortim i lehtë do të mjaftonte për ta ndrequr.

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.