fredag 24 juni 2016

Përse shfaqet vetprezantimi?


Të gjithë e pranojmë se politikani që mban një fjalim dhe aktori që luan një rol përpiqen të projektojnë një farë imazhi tek audienca. Goffman shkon më tej duke vënë në dukje se ka nga pak teatër në të gjitha situatat sociale. Një burrë që pret autobusin dhe që dëshiron që të tjerët ta dinë se po bën këtë dhe nuk po sorollatet kot, sheh vazhdimisht i shqetësuar rrugën nga pritet të vijë autobusi. Një grua që po kthehet nga puna dhe ka harruar diçka në zyrë, kërcet gishtat, i bie kokës me gishtin e mesit apo atë tregues dhe vetëm pas kësaj kthehet mbrapsht për të marrë atë që ka harruar. Një student i krijon vetes një pamje intelektuali duke përdorur fraza elegante kur i përgjigjet pedagogut. Edhe në këta shembuj të thjeshtë, njerëzit përdorin menaxhimin e impresioneve për të ndikuar perceptimin e të tjerëve.
Cilat janë arsyet e vetprezantimit? Në disa raste ne përdorim vetprezantimin strategjik: ne me qëllim përpiqemi të krijojmë dhe kontrollojmë perceptimin e të tjerëve. Një njeri që dëshiron të Zgjidhet në parlament, fjala vjen, përdor gjatë fushatës taktika  integrimi si premtime, komplimenta etj., që të bëhet sa më tërheqës. Premtime si “Unë do të ul taksat nëq oftë se do të Zgjidhem” apo komplimenta si “Ju duhet të jini krenarë që jini banorë të një qyteti kaq të lavdishëm”, janë mëse të zakonshme gjatë fushatave elektorale. Kandidati gjatë fushatës mund të kalojë në vefpromovim, duke theksuar cilësitë e veta pozitive kur përshkruan veten. Ai mund të ekzagjerojë arritjet e tij në parlamentin e kaluar dhe të shmangë apo të mbulojë dobësitë.
Në qoftë se bën ndonjë gabim, ai duhet gjithnjë të kërkojë falje. Kjo taktikë zvogëlon apo zhduk përgjegjësinë për dështimet, hapat e gabuar, devijimet.
Edhe në qoftë se disa herë, njerëzit me qëllim orientojnë në drejtim të gabuar audiencën nëpërmjet vetprezantimit strategjik, në raste të tjera imazhi i tyre publik afrohet shumë me vetimazhin apo imazhin që kanë për veten. Kur takoni dikë në një mbrëmje dëfrimi apo në auditor, motivi juaj i parë mund të jetë një verprezantim autentik: ndërkohë që dëshironi të bëni një përshtypje të mirë, ju gjithashtu dëshironi që tjetri të njohë “unin tuaj real”. Kësisoj përpiqeni të sigurohemi që imazhi publik që krijoni nëpërmjet vetprezantimit tuaj përputhet me imazhin privat që kini për veten (Schlenker 1980). Për më tej, në qoftë se ndjeni që audienca është duke krijuar një përshtypje të gabuar, ju do të intensifikoni përpjekjet komunikuese për të influencuar mbi përshtypjen e tyre për ju.
Si një pjesëmarrës aktiv në mjedise ndërpersonale, ju shpesh mund të zgjidhni midis vetprezantimi strategjik dhe atij autentik. Gjatë një interviste për t’u pranuar në punë, gjatë takimit të parë me prindërit e së fejuares ose gjatë një takimi të rastit në një kafene, ju mund të dëshironi të jini i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, por gjithashtu dëshironi të krijoni një imazh publik sa më tërheqës të jetë e mundur. Përcaktimi se cili nga këta dy motive predominon tek individë të ndryshëm është një detyrë mjaft e vështirë, madje edhe për studiuesit dhe ende pjesërisht e pazgjidhur. Megjithatë ne njohim disa faktorë që priren të inkurajojnë vetprezantimin strategjik. Kur një individ me të cilin po ndërveprojmë është shumë tërheqës dhe situata kërkon një identitet social specifik, vetprezantimi ynë priret të bëhet strategjik. Faktorë të tjerë, si rëndësia e atributit apo tiparit për vetkonceptin tonë, tentojnë të nxisin vetprezantimin autentik. Mbi të gjitha, disa prej nesh kanë një tendencë më të madhe se të tjerët për ta paraqitur veten në mënyrë strategjike.

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.