måndag 27 mars 2017


Paragjykimet sociale
 
 
download
Paragjykimet përgjithësisht përcaktohen si gjykime të pafavorshme, përgjithësisht negative karshi njerëzve, formuar mbi bazë karakteristikash të përgjithshme, përkatësie në një grup të caktuar apo informacionesh të cekëta. Kështu kemi paragjykime mbi bazën e seksit, karshi femrave në përgjithësi, paragjykime për shkak të moshës, racës, fesë, kombësisë, por edhe për shkak të pamjes, një veprimi a fjale të vetme, një karakteristike morale a fizike që nuk na pëlqen te të tjerët etj. Shpesh paragjykimet janë kategorike, sepse njerëzit janë të prirur t’i ndajnë njerëzit a t’i mendojnë të futur në kategori, si formë më e lehtë gjykimi. Kështu thuhet me një të rënë që filani “është negativ”, “psikopat”, ‘komunist”, pa u thelluar aspak në faktin që njeriu është shumë dimensional dhe ka një larmi tiparesh që e karakterizojnë. Ta fusësh thjesht në një kategori dhe aq, do të thotë të japësh përshkrimin më të cekët e paragjykues që mund të bëhet për të. Shpesh paragjykimet vinë edhe sepse mendimi a gjykimi i njerëzve është pozitiv për anëtarët e grupit, shtetit, kombit ku ata vetë bëjnë pjesë e për rrjedhojë, negativ a më i ulët për ata që u takojnë grupeve të tjera. Grupi të cilit nuk i takojmë, a ndryshe grupi tjetër, shihet si më homogjen, pra paragjykohet më lehtë duke iu veshur anëtarëve të vet karakteristika të përbashkëta që ata mund të mos i kenë të gjithë. Ndërkohë, grupi ku bëjmë pjesë shihet si heterogjen, më i larmishëm edhe sepse e njohim më mirë dhe në detaje çdo anëtar. Ky lloj paragjykimi sipas grupit i takon teorisë së racizmit simbolik. Sipas saj, anëtarësia në të, formon një pjesë kryesore të identitetit të individit. Për rrjedhojë lind paragjykimi për të tjerët, jashtë grupi, duke i parë dallimet kulturore me ta në favor të vet. Po kështu shihen ndryshimet fetare si jokompatibël me besimin fetar të paragjykuesit. Shqiptari në përgjithësi nuk vuan nga këto lloj paragjykimesh edhe për shkak të izolimit të gjatë dhe pengimit të njohjes e si rrjedhim, fetishizimit të kulturave të ndaluara të të tjerëve. Po kështu në aspektin fetar tek ne kanë munguar paragjykimet ndaj të tjerëve për shkak të fesë, edhe për shkak të mungesës së një kulture të përgjithshme solide a bazale fetare. Perceptimi i anëtarëve të grupeve të tjera si agresivë e violentë, është një tjetër lloj paragjykimi i njohur për ne dekadat e fundit. Shqiptarët janë parë sidomos si objekt i këtij paragjykimi nga europianët në vitet ‘90 pas emigrimit. Burim tjetër i paragjykimeve është hierarkia e grupeve dominuese që legjitimon mitet, sipas të cilave justifikohet moralisht e intelektualisht pozicioni zotërues i disa popujve a shteteve dhe zotërimi syresh i burimeve të shumta natyrore. Këto lloj legjitimimesh mbajnë hierarkitë paragjykuese në këmbë dhe shtojnë akoma më tepër paragjykimet negative karshi popujve të vegjël, të diskriminuar nga historia etj., si yni. Paragjykimet vinë kryesisht nga stereotipet që janë përgjithësime rreth karakteristikave tipike të anëtarëve të një grupi, (ato vazhdojnë edhe kur ka fakte që i hedhin poshtë këto paragjykime). Shqiptarët janë sidomos tipikë për këto vlerësime me këmbënguljen e pamotivuar dhe konsiderimin si dobësi logjike a karakteri, ndryshimin e mendimit të dhënë tashmë njëherë. Tek ne mbivlerësimi i sjelljeve negative të të paragjykuarve është shpesh vlerësimi tipik për ta. Për rrjedhojë shihen si përjashtime shembujt që hedhin poshtë stereotipet. Sipas një tjetër modeli, paragjykimi është një konflikt midis dëshirës për të shprehur paragjykimin dhe asaj për të pasur një vlerësim pozitiv për veten. Duke zhvlerësuar a paragjykuar negativisht të tjerët, njeriu shmang ndjesitë a vetëvlerësimet negative për veten. Edhe kjo është gati-gati tipar kombëtar yni: pothuaj gjithnjë inferioriteti ekuilibrohet me uljen paragjykuese të vlerave të tjetrit, madje edhe pa e njohur pothuaj fare atë. Fenomen ky i njohur në psikologji me emrin disonanca konjitive. Ndërkohë diskriminimi është realizimi konkretisht i paragjykimit, veprimi konkret, përgjithësisht negativ, ndaj objektit të paragjykimit. Këtu shqiptarët janë më të rezervuar dhe mbeten më shpesh tek shprehja me fjalë e paragjykimit.
Ndër paragjykimet, më të njohurat janë ato seksore, sipas të cilave siç dihet, femra nuk vlen a konsiderohet më pak e aftë se mashkulli. Te shqiptarët në veçanti, ky paragjykim ka qenë zotërues për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë, ndonëse më pak, edhe sot. Ky paragjykim është reflektuar që nga ngarkesa me dru e femrës e deri te mospërfshirja apo përfshirja e saj minimale në punë me rëndësi a pozicione të larta shtetërore. Ndonëse tek ne flitet jo pak për këtë realitet paragjykues, ende nuk kapet thelbi i problemit. Synimi kryesor, fokusi mbetet barazia gjinore, propaganda për të, pa realizuar a u fokusuar tek bindjet a besimet e meshkujve por edhe të vetë femrave lidhur me raportin burrë-grua. Pse gratë ndjehen ende të diskriminuara, ndonëse ka kaq kohë që flitet e veprohet shumë e madje në ndonjë vend edhe dënohet me ligj seksizmi. Edhe sepse pritshmëritë e vetëbesimi i vetë grave, sidomos tek ne, janë ende të dobëta, dhe reagimet negative ndaj femrave që synojnë a arrijnë pozicione lidershipi janë ende të forta. Pra ka ende barriera psikologjike, paragjykime të brendësuara fort, njëanshmëri në qëndrimet individuale e institucionale, që i pengojnë femrat sado të kualifikuara të arrijnë pozicione të larta.
Nacionalizmi është një paragjykim që bazohet në karakteristikat e përbashkëta kulturore, identitetin e përbashkët dhe në mbivlerësimin e tyre në raport me ato të kombeve të tjera. Kështu theksohen shpesh pa të drejtë mjaft karakteristika kinse pozitive që i ka vetëm ky apo ai komb a popull, a grup njerëzish. Shpesh ky paragjykim sidomos tek ne është efekt i kundërt i kompleksit të inferioritetit, sidomos të së shkuarës, apo edhe i dëshirës për të dalë së fundmi me nxitim në arenën ndërkombëtare të vlerave, ku kemi munguar gjatë si rrjedhojë e izolimit. Kështu kemi shfaqje të tepruara nacionalizmi në sport, art etj, dhe së fundmi edhe në politikë a gjeopolitikë duke kërkuar të bëjmë efekte që për vetë realitetin ku jemi, janë absurde. Në disa raste njerëzit tanë kërkojnë të rrisin vetëvlerësimin duke e parë veten si pjesë të një grupi superior apo duke u identifikuar me njerëz të famshëm si p.sh. me futbollistë fitimtarë të ekipit kombëtar, artistë tanët të njohur në botë, ndonëse të paktë etj. Kështu i jepet vetes duke paragjykuar pozitivisht, identitet i njësuar me vlerat më të larta apo të amplifikuara kombëtare. Kjo ka vlerën e vet në rrethana të caktuara historike, por duhet kombinuar me vlerat individuale dhe nuk duhet lejuar të kalojë deri në shovinizëm, apo siç thuhet ‘në strehë të fundit për maskarenjtë e sharlatanët e dështuar individualisht’. Një atlet i vetmuar vazhdonte stërvitjen duke vrapuar rreth stadiumit, kur shokët e tij brenda në stadium shijonin kurorat e lavdisë. Pas disa kohe u shpall kampion: është një shembull që më vjen ndër mend sa herë njerëzit kërkojnë me padurim lavdinë e madhe nëpërmjet identifikimeve ekstreme. (Në disa raste, madje në mungesë të arritjes së lavdisë nacionale a individuale, shqiptarët identifikohen edhe me lavdi ekipe kombesh të mëdha, me klube fitimtare si Milan a Real, me lojtarë të mëdhenj, duke u bërë a vetëshpallur milanistë, juventinë etj. Kjo është sërish një derivat i kërkimit të identitetit individual pas nacionalizmit të parealizuar). Shqiptarët janë gjithashtu tipikë për favorizimin ekstrem të vetes mbi bazë përkatësie grupi a kombi kur u kërcënohet vetëvlerësimi, në situata të caktuara politike a historike, apo kur ndjehen të marxhinalizuar. Shumë rrallë, madje edhe kur faktet historike janë kokëforta (për to shpeshherë as dinë e as duan të dinë), i japin të drejtë vetes, veç vetes dhe aspak të tjerëve.
Homofobia shfaqet si paragjykim për shkak të orientimit a preferencave seksuale të njerëzve. Kryesisht shfaqet siç dihet, ndaj homoseksualëve, gay, lesbike etj. Tek ne kohët e fundit po promovohen forttë drejtat e homoseksualëve dhe po luftohet kundër paragjykimeve për ta. Ka angazhim deri në rang qeveritar. Por po promovohet gjithashtu në media e në mjedise publike një qëndrim disi i tepruar publik fals në favor të tyre, nisur edhe nga interesa politike, vetëvlerësimi etj. I njohur edhe si efekti “token”, ky lloj qëndrimi vë në dukje me bujë veprime të parëndësishme, por spektakolare pozitive karshi të paragjykuarve, për t’i përdorur më vonë këto si justifikime për moskryerjen e veprimeve më thelbësore pozitive në favor të tyre. Kështu, duke dashur të dalin publikisht si jo paragjykues e të moderuar, u shfaqën në publik me biçikleta krahas homoseksualëve,punonjës të administratës së Avokatit të Popullit, në një kohë që puna e tyre kryesore është jo demonstrimi a propaganda, por mbrojtja e homoseksualëve rast pas rasti për diskriminime konkrete. Shfaqemi kështu edhe si më të avancuar se popuj shumë më të qytetëruar të vendeve nga më të zhvilluarat. Rrezikojmë veç kësaj të lindim e ngjallim pse jo një kulturë jotradicionale dhe edukim jonormal të brezave të rinj duke fetishizuar atë çka duhet shumë ta mbrojmë ndaj diskriminimit e paragjykimeve. Për këtë arsye, por edhe për vetë natyrën e formimit e mentalitetit tradicional shqiptar, mund të mbahet një qëndrim disi më i ekuilibruar, sigurisht gjithmonë, kundër paragjykimeve homofobike. Paragjykimi nuk luftohet me një vrull e formalisht, por ka disa kushte për t’u realizuar, të cilat do i shohim edhe më poshtë.
Racizmi është një paragjykim që bazohet në tipare fizike, si ngjyra e lëkurës etj., e që mbi këtë bazë determinon karakteristikat kulturore të një race (p.sh ajo e zezë) a grupi si më inferiore. Tek ne, ky paragjykim nuk është shumë i përhapur, ndonëse edhe pakicat raciale tek ne janë të pakta, dhe nuk kanë qenë asnjëherë problem. Pakicat egjiptiane që shfaqin herë-herë probleme kanë patur përplasje më shumë me politikat shtetërore sesa me njerëzit në përgjithësi. Gjithsesi paragjykimet e shqiptarëve ndaj pakicave të tilla, ndonëse në masë të vogël ekzistojnë, por kurrë deri në diskriminim, eksese a veprim konkret karshi tyre.
Paragjykimet fetare tek ne janë pothuaj inekzistente dhe bashkëjetesa paqësore fetare e trajtimi i njerëzve të feve të tjera, martesat mes fesh të ndryshme etj., janë bërë shpesh shkak mburrjesh në botë, për të demonstruar tolerancën tonë fetare. Në të vërtetë, fetë historikisht nuk kanë patur bazament edukativ e tradicional këtu. Shkollimi, institucionet dhe formimi fetar ose kanë qenë të cekët, ose të importuar a të realizuar nëpërmjet konvertimesh pragmatiste nga njëra fe në tjetrën. Për më shumë, nën regjimin komunist janë vënë edhe barriera ideologjike e politike si ato të vitit 1967, që eliminuan krejt institucionet fetare e ndaluan besimin fetar. Për rrjedhojë, shqiptari në përgjithësi në disa breza të rinj konsekutivë është rritur pa fe e besim, gjë që e ka bërë vetëm formal konsiderimin e tij si popull me tri besime. Në të vërtetë edhe ajo çka dinë mjaft të huaj për ne në këtë aspekt është tepër e cekët. Kështu tregon mosnjohje të thuash se shqiptarët janë 70% popull mysliman kur ne kryesisht, veç nga emri dallojmë si të tillë dhe jemi mjaft pak zbatues, praktikantë të riteve fetare. Pra edhe njohja e feve nuk ka qenë në rrënjë, e për rrjedhojë nuk ka pasur luftëra a konflikte fetare e për më pak as paragjykime a diskriminim fetar. Nuk duhet pra të mburremi kaq shumë në këtë aspekt, por natyrisht duhet ta vlerësojmë faktin historik pozitiv që është në favor të harmonisë e tolerancës fetare.
Paragjykimet e kota, formale, apo për shkak të një karakteristike që tjetrit i duket jo e pakëndshme ose e padëshirueshme. Këto janë paragjykime individuale që sjellin raporte negative të pajustifikuara mes njerëzve. Kështu paragjykohen negativisht njerëz sipas karakteristikash fizike, si lloji i fytyrës, mbajtja e trupit, shprehjet e fytyrës, etj. Tipike shprehja absurde paragjykuese shqiptare, për të panjohurit e papëlqyeshëm pa asnjë shkak: “Ky sikur më ha bukën?!
Paragjykimi apo diskriminimi gjuhësor: ka në bazë përdorimin e gjuhës, ku përfshihen gjuha amtare individuale, dialekti ose karakteristikat e të folurit të individit si aksenti, volumi i fjalorit (sa shumë fjalë njeh e me ç’variacion i përdor etj). Kështu tek ne paragjykohen njerëzit që vijnë nga Veriu e malësitë mbi bazën e gjuhës së tyre, por edhe të kufizueshmërisë së fjalorit për të cilin në disa raste me shpoti thuhet se reduktohet në 300 fjalë. Po kështu paragjykimi gjuhësor lidhet edhe me sintaksën, ndërtimin e fjalisë, konstruktin e saj etj. Tek ne deri edhe miset e vajzat e bukura do të jepnin mjaft shkas për këto paragjykime a më saktë kritika. Por çuditërisht, tek ne ende vazhdon të ndodhë e kundërta. Kjo sepse goditjen e ka marrë vetë gjuha e për rrjedhojë njerëzit e përdorin atë si të duan, shpesh duke e shkelur e shtrembëruar, dhe duke e çuar në degradim gjithnjë e më të madh. Kështu, njerëz me nivel të ulët formimi e shprehjeje gjuhësore jo vetëm nuk paragjykohen, madje as gjykohen, por paragjykojnë njerëzit e formuar e me nivel kulturor gjuhësor të lartë. Kjo sidomos kur të parët arrijnë edhe deri në majat e pushtetit. Kështu ka ministra a deputetë, politikanë që flasin për tmerr në dialekt a me gabime gjuhësore e sintaksore, ka vajza modele a mise që nuk njohin Ismail Qemalin, a ndërtojnë fjali gramatikisht të tmerrshme. Dhe ndodh që për shkak të masës gjithnjë e më të madhe të injorancës së këtij lloji, që ata jo vetëm nuk paragjykohen, por kthehen gradualisht në normalitet duke i zhvendosur diskriminimet tek të kulturuarit. Do të thuhej:“Në mbretërinë e budallenjve, njerëzia tallen me të mençurit”.
Paragjykimet sociale II (në komunizëm e demokraci)
Paragjykimet klasore bazohen në qëndrimet diskriminuese e të njëanshme në raport me dallimet e bëra ndërmjet klasave ekonomike e sociale. Tek ne, borgjezia a pseudoborgjezia e re ende nuk i shfaq dot këto paragjykime, paraqitet e rezervuar sepse është ende në formim dhe fare pranë në kohë të skamjes së të kaluarës. Parada qesharake mode, imitime mjerane të Perëndimit, të grave të disa të pasuruarve rishtazi a ekspozime të këtij lloji, bëjnë më tepër efektin e kundërt që akoma më shumë vë në pah dobësinë a mosekzistencën e kësaj ende jo-klase. Këtu do të kishte vend për të analizuar edhe si vlerë historike, një paragjykim klasor të së shkuarës, së fundmi të zhdukur me demokracinë dhe krejt pothuaj të panjohur për brezin e ri. Është fjala për: Paragjykimet klasore komuniste. Ato u shfaqën pasi filloi të mbillej në Shqipëri ideologjia komuniste. Kjo u bë pothuaj në një terren djerrë. Nga specifika e mentalitetit, por edhe nga mënyra se si u mboll gjithçka, ishte e shëmtuara origjinale. Kështu, i ashtuquajturi komunizmi shkencor, ekonomia politike etj, si të pakapshme për nivelin kulturor të masave, madje dhe të liderëve komunistë shqiptarë, u reduktuan në teorinë e së ardhmes së lugës së florinjtë, në zhdukjen e shfrytëzimit, në barazitë absolute etj. Këto u shkrinë me idealin e çlirimit të vendit që për momentin ishte më i rëndësishmi. Pas luftës, ideologjia komuniste, natyrisht tejet e vulgarizuar, si ideologji e partisë së vetme në pushtet mbeti e vetmja. Kultivimi i saj mori formë më të organizuar nëpërmjet kursesh partie, formash edukimi etj, por duke mbetur përsëri në pjesën më të madhe formale dhe e cekët, më shumë se ideologji, mësime apo më saktë udhëzime e urdhëresa partie. Më vonë për kuadrot më besnike të partisë komuniste u ngrit dhe një shkolle partie, ku më tepër jepej politikë sesa ideologji, qoftë edhe marksiste, sepse për vetë nivelin e studentëve të tipit të shkollës së natës, nga teoria e ideologjia e etërve të komunizmit teorik, pak u përvetësua e ca më pak u kuptua. Një anëtar i vjetër i Byrosë Politike të partisë pranonte “me modesti” në bisedat me masat se “ai me shokët e tij nuk e njihnin ‘shkencën’ e komunizmit, por mjaftonte që ua thoshte Enver Hoxha dhe ata brohorisnin. Niveli i ulët kulturor dhe barriera ideologjike e izolimi i kampit socialist përjashtonin çdo mundësi kontakti me kultura apo ideologji të tjera. Lindi kështu një lloj fanatizmi komunist i nivelit më të ulët që mund të njihej në gjithë vendet e ish-kampit socialist. Më pas, u çuan studentë jashtë shtetit, në vendet e tjera të kampit socialist, dhe disa u arsimuan. Ata syresh që studiuan ideologjinë e komunizmit u bënë kuadro të partisë e të diktaturës që e mbajtën atë më tej për 45 vjet. Të tjerë, inxhinierë, mjekë, pedagogë, ndonëse të paktë, krijuan një shtresë të vogël inteligjencie teknike. Së bashku me të diplomuar të tjerë më vonë nga shkolla e lartë e porsakrijuar shqiptare, këta ndonëse të pakët në numër, herë-herë, e nën frikën e ndëshkimit u përpoqën të identifikohen me grupe apo sisteme të tjera reference, lexuan edhe vjedhurazi kur mundën se ç’bëhej në botë, vunë në provë brenda vetes edhe ide, qëndrime apo bindje të tjera, por mjaft zbehtë. Ndërkohë ata jetonin nën ankthin e pushimit nga puna, të qarkullimit e të transferimit dhe, në mjaft raste edhe të ndëshkimit. Përsa i takon nivelit të mënyrës së jetesës erdhi një kohë që të gjitha shtresat, të quajturat klasat punëtore, fshatare, intelektuale shqiptare jetonin e ishin më proletarë seproletarët e të gjitha vendeve. Megjithatë, përsa kohë që mund të jetonte disi, edhe shtresa intelektuale në shumicën e saj, së bashku me të dyja ¨klasat mike¨ duartrokiste, parakalonte, entuziazmohej nga fitoret e arritura, falenderonte partinë, ngrinte në qiell ideologjinë, dënonte me djegie në turrën e artikujve të shtypit e më tej me syrgjynim çdo intelektual devijues apo deviacion nga ideologjia apo idealet, të servirura nga lart si të tilla. Komunizmi ruhej kësisoj i shenjte e tabu në teori e praktikë. Kur në 1991 ndodhi kolapsi i komunizmit edhe në Shqipëri u vu re veç të tjerash se të ashtuquajturat bindje komuniste te disa nuk kishin ekzistuar kurrë, te disa të tjerë kishin jetuar përkohësisht e më vonë ishin çrrënjosur prej kohësh, e disa bënin sikur i besonin për të ruajtur privilegjet. Kurse te disa të tjerë vazhdonin të mbijetonin në formën e paragjykimeve sociale. Përse ndodhi kjo? Në Shqipëri për rreth gjysmë shekulli u tentua të krijohej një mentalitet komunist. Të gjitha gjykimet, opinionet, mentaliteti u vunë në rresht nën komandën “majtas ndero”. Ideologjia dhe idealet komuniste natyrisht të vulgarizuara, dogmat dhe sloganet, u futën në ndërgjegjen e njerëzve diku forcërisht e diku zunë rrënjë për vetë nivelin e ulët e injorancën e njerëzve. Megjithatë, duke qenë të cekëta ato dhe mbartësit e tyre, ato nuk mund të ekzistonin si bindje, por vetëm si paragjykime sociale, pra gjykime të cekëta, të pafavorshme, përgjithësisht negative karshi njerëzve të tjerë. Kështu njerëzit paragjykoheshin mbi bazën e origjinës e përkatësisë së tyre klasore, grupore. Ata që ishin të partisë, të luftës, ishin shumica, ishin të mirët, tanët. Pakica e ashtuquajtur armiqësore, vinin nga ish-klasat e ashtuquajtura shtypëse, tregtarët, borgjezët, klerikët, apo ata që kishin rënë ndesh (ata ose etërit e tyre) me partinë komuniste në pushtet e ideologjinë e saj. Këta dënoheshin, internoheshin, në rastin më të mirë jetonin të strukur në qytete e fshatra të vogla pa asnjë të drejtë shkollimi e të paragjykuar si të deklasuar, armiq, biografi të këqija etj. Kjo ka qenë ndër format më të shëmtuara, më absurde e më të turpshme të paragjykimit e diskriminimit klasor njerëzor që ka njohur historia e njerëzimit. Këto paragjykime duke qenë dogma e slogane, ideologji e ide të panjohura në thellësi e teorikisht dhe të paargumentuara apo të paprovuara praktikisht, por veç të injektuara me forcë a me mashtrim, nuk mund të merrnin veçse këtë formë: paragjykime klasore komuniste. Ky lloj kaq i përhapur e i shëmtuar i paragjykimeve sociale jetoi në vendin tonë gjatë, gati gjysmë shekulli. Si lloj i veçantë e specifik i paragjykimeve sociale, ato kanë patur e kanë pasojë të përbashkët vepruese, trajtimin dhe dënimin si armik të çdo njeriu që nuk vepronte e mendonte sipas ideologjisë komuniste, apo direktivave të partisë në pushtet. Si bazë teorike shërbente paprekshmëria e marksizëm-leninizmit, e ideologjisë dhe e idealeve komuniste, tabuja e tyre dhe e vijës së partisë. Çdo devijim, cenim, mohim, reagim sado i vogël ndaj tyre, mjaftonte për ta futur njeriun në kallëpin e parapërgatitur të armikut, deviatorit, agjentit, elementit antiparti. Cilësimet “me biografi të keqe”, “armik i popullit e i partisë”, “element antiparti”, “agjent i imperializmit dhe i revizionizmit” kanë qenë etiketimet standarde që shoqëronin paragjykimet sociale klasore komuniste. Këto paragjykime përbënin padyshim derivatet më të shëmtuara të paragjykimeve komuniste me bazë teorike shkeljen e vijës së partisë dhe cenimin e ideologjisë marksiste dhe me pasoja përçarjen dhe urrejtjen kombëtare e deri atë brenda familjes.
Siç dihet paragjykimet sociale jetojnë gjatë e janë mjaft rezistente. Në rastin tonë, veç formës së organizuar, ato injektoheshin te njerëz të thjeshtë edhe nga njerëz të tjerë me paragjykime që ishin më të pushtetshëm e me influencë (shefa, kuadro të punës e nganjëherë luftëtarë a prijës popullore të luftës që kishin adaptuar ideologjinë komuniste). Pasi zinin vend, ato mbaheshin në këmbë me përforcime të vazhdueshme që kishin sidomos ndikim në psikologjinë e njerëzve të thjeshtë me nivel të ulët kulturor e shpirtëror. Siç dihet, më vonë, pas një periudhe të parë naiviteti ideologjik, te një pjesë e njerëzve, me zgjimin e tyre, ato u ushqyen me qëllime të caktuara. Ato i shërbenin arritjes së qëllimeve të një kaste të caktuar; mbajtjes në fuqi të saj, kënaqjes së nevojave e kërkesave të tyre për një jetë në pushtet e më të privilegjuar se të tjerët. E mbrojtur nga një perde e tillë paragjykimesh, kjo kastë mbetej e paprekshme. Aty ku për njerëz të veçantë në udhëheqje, në shtresa të mesme të piramidës apo për anëtarë të veçantë të familjes së tyre, këto paragjykime thyheshin, ata korruptoheshin apo mashtrimi dilte sheshit, atëherë vepronte ligji dhe njëri nga nenet më të preferuar të tij, neni sfinks i agjitacionit e propagandës.
Paragjykimet komuniste shërbenin gjithashtu në mjaft raste me sukses, për mbulimin e shkaqeve të humbjeve e dështimeve në ekonomi, politike e kudo. Kështu dështimet në sektorin e naftës iu atribuoheshin sabotatorëve, armiqve të klasës, agjentëve etj, ndonëse edhe pas burgimit të tyre nuk u gjet naftë. Kështu edhe në çdo fushë tjetër, sidomos nga vitet `70 e tehu, gjendeshin gjithnjë “koka turku”për t’u prerë dhe grupazhet ndiqnin njëri-tjetrin. Ndofta Shqipëria e kësaj periudhe mbetet një nga shembujt më klasikë të atribuimeve të këtij tipi madje të bëra në formë tepër trashanike e gati të hapur.
            Një rol të jashtëzakonshëm për mbajtjen dhe kultivimin e paragjykimeve sociale komuniste ka luajtur shtypi, propaganda zyrtare e media, të cilat duke qenë unike, ushqenin vazhdimisht e çdo orë lexuesit e shikuesit me idetë e gjeneruara nga aparatet propagandiste partiake. Duke qenë pa konkurrentë e tepër intensivë, ndikimi i tyre ka qenë i konsiderueshëm madje edhe në formën e deformimeve mbetës, sidomos te njerëz me nivel të ulët, pa asnjë kontakt me kulturën botërore e ideologjitë e tjera. Rrënimi i ekonomisë socialiste, dështimi i politikës së shtetit komunist, dhe së fundi kolapsi total i komunizmit, çrrënjosi me shpejtësi madje edhe te fanatikët, paragjykimet komuniste. Te një pjesë e këtyre të fundit, apo dhe tek ata ku komunizmi zinte vend si bindje, këto u kthyen në paragjykime që gjithashtu u prirën drejt zvogëlimit e çrrënjosjes, zhdukjes së tyre. Madje edhe te veteranët, pensionistët, komunistët e vjetër, falangat e fundit ndofta të paragjykimeve komuniste, edhe në qoftë se ekzistonte bindja te komunizmi, ajo u lëkund apo humbi fare. Humbi, së paku dhe besimi tek ata (liderët) që e mishëronin atë e që i tradhtuan idealet naive të masave të komunistëve të thjeshtë injorantë. Përsa i përket rinisë së dikurshme komuniste, e sidomos krerëve të saj, as që mund të flitet për bindje apo paragjykime të këtij lloji. Ekziston një shtresë mes tyre, trashëgimtare postesh a bij prindërish të privilegjuar nga sistemi diktatorial apo të indoktrinuar nga familje fanatike komuniste, që ruan gjurmë apo lloje të moderuara paragjykimesh sociale, por më shumë në formë, për sistemin e kaluar si më i mirë se i sotmi, dhe më pak ose aspak për sovranët e së kaluarës e për klasat sociale të ndara sipas kriterit biografik. Vetë sistemi i ri, konkurrenca, lufta për mirëqenie personale i zhduku këto rudimente edhe nga ata. Kemi kësisoj mes tyre mjaft të pasuruar rishtazi, që ia dinë kimetin sistemit të ri, që shfrytëzuan lidhjet e shkuara a pasuritë e vjedhura dhe kaluan në pragmatizëm kapitalist                                                                                                                                                                
Megastereotipet: Tek ne shpesh njerëzit gjykojnë edhe mbi bazën e roleve a stereotipeve më të mëdha. Këto janë sete (tërësi) të forta besimesh të quajtura ndryshe si megastereotipe si: “Ajo që është e bukur është e mirë”; “Ç’është e mirë është e bukur” etj.. Ose doktorët janë në përgjithësi ryshfetçinj, gratë janë përgjithësisht budallaqe, profesorët na bëjnë shumë teori, …futbollistët janë pa tru, serbët janë të gjithë të ligj. Në të shkuarën: klerikët, njerëzit me biografi të keqe, apo të burgosurit ishin të gjithë kriminelë e armiq etj., etj… Është e vështirë t’i ndryshosh këtoMjaft nga shqiptarët komunistë të dënuar nga Enveri ndër vite, si anëtarë gjoja grupesh armiqësore, u habitën kur hynë në burgje pas viteve ‘70… Ata kuptuan ndryshe nga paragjykimet e tyre, se të burgosurit e hershëm të pasluftës, klerikët në burgje, armiqtë ideologjikë etj., ishin njerëz, shpesh me vlera të jashtëzakonshme morale, kulturore, etj. Të tjerë që dolën jashtë shtetit pas viteve ‘90 panë se ndër serbët e grekët, kishte mjaft njerëz të thjeshtë të mrekullueshëm, e  intelektualë të klasit të lartë, njerëz objektivë në gjykimin e politikës e raporteve mes qeverive tona etj, etj. Por edhe sot flitet jo pak tek ne me antipati mbi bazë paragjykimesh nacionaliste për ta.
Te ne jo rrallë media, gjykatat, ligjet, shkolla, janë vetë burim paragjykimesh e megastereotipesh, madje i ushqejnë ato. Po kështu institucionet sociale e shoqëria. Kështu jo rrallë në media hasen paragjykime karshi individëve, grupeve, madje edhe karshi shqiptarëve e Shqipërisë që reflektohem më tej edhe tek të huajt e amplifikojnë paragjykimet e tyre tashmë të formësuara për ne. Prindër, mësues, media, luajnë rol në formimin e paragjykimeve, për mënyrën si portretizohen syresh minoritete, individë, grupe. Tek ne paragjykimi ushqehet edhe sepse njerëzit e sidomos ata që ndjekin mediat e që janë shumicë, fokusohen te negativja. Lajmi i mirë është bërë zakon të mos quhet lajm dhe çdo lajm negativ është i tillë. Kështu edhe kur ka paragjykime pozitive ato rrallë shfaqen. Ato negative fitojnë më shumë peshë sepse paragjykimi ka komponent konjitiv (stereotipi) e afektiv (ndjenja karshi të paragjykuarit) që e përforcojnë atë.
Teknikat e reduktimit të paragjykimeve sociale do të ishin kontaktet direkte me të paragjykuarit, njohja e shkencave sociale, rikategorizimi social, ndërhyrjet njohëse (dobësim i stereotipeve). Integrimi dhe stimulimi i empathisë karshi të tjerëve, njohja në detaje e kulturës a karakterit, tipareve të të paragjykuarve, bashkëpunimi real në praktikë. Këto janë disa nga mënyrat që në mos i zhdukin, së paku i minimizojnë paragjykimet. Te ne këto metoda as njihen e as zbatohen dhe paragjykimet nuk konsiderohen aspak.Të rinjtë janë më të ndriçuar e refraktarë karshi paragjykimeve edhe tek ne. Kështu janë të rrallë sot të rinj me qëndrime paragjykuese raciale. Ata admirojnë politikanë, këngëtarë, sportistë të racave të tjera madje i ndjekin ata si modele. Të rinjtë nuk shohin më dallime fizike por ekonomike e sociale si shkak të diferencave thelbësore mes njerëzve. Ata janë optimistë edhe në atë që ndryshimet mund të eliminohen. Ndofta për këtë arsye duhet gjykuar e shpresuar pozitivisht për bindjet e paragjykimet e së ardhmes tek shqiptarët. Sipas mendimit të disa studiuesve, bindjet, idealet, paragjykimet, besimet formohen në mosha midis 12 e 30 vjeç. Paragjykimet sociale, siç e kemi thënë edhe më lart, formohen edhe më herët, në fëmijërinë e hershme, nëpërmjet ndikimit të prindërve, mjedisit e mikromjedisit ku rritet fëmija, shkollës, krahinës a ideologjisë sunduese. Këto janë periudha vendimtare të jetës pas së cilës ato kristalizohen e është vështirë të çrrënjosen. Pastaj pas kësaj një nga mjetet më të mira të verifikimit të asimilimit të një ideologjie, krijimit të një bindjeje a besimi a i mungesës së paragjykimeve negative si pjesë e vlerave të njeriut modern, është testi i kohëzgjatjes se tyre, përpunimi i brendshëm dhe ballafaqimi me të vërtetën. Komunizmi përgjithësisht, te një pjesë e mirë e njerëzve në Shqipëri, nuk depërtoi si bindje por si paragjykim. Kjo dhe dështimi i tij si teori e praktikë ekonomike e politike, nga njëra anë e bëri relativisht më të lehtë çrrënjosjen e tij, në krahasim me bindjet e vërteta. Por nga ana tjetër kjo kërkoi që në fillim të viteve ‘90, pa lënë vend për paragjykime të reja, mbushjen me bindje të reja të boshllëkut të krijuar edhe nga mungesa e moralit të vërtetë dhe e fesë. Si do të formohen ato? A do të shoqërohen me paragjykime të ndonjë tipi të ri social klasor apo do të ringjallen të modifikuara paragjykime të njohura apo të vjetra? (Sot për një pjesë të psikologëve perëndimorë paragjykimet sociale klasore apo shtresore, natyrisht sipas specifikave të këtyre shtresave apo klasave në vendet e tyre, janë një objekt interesant studimi). Si do të krijohet besimi, bindjet e reja te njerëzit, qoftë tek ata që kanë ende paragjykime, qoftë te të tjerët që kanë qenë indiferentë karshi tyre? Sidoqoftë e ardhmja e kësaj paraqitet shumë më interesante, sidomos për të rinjtë, por edhe për njerëzit jodogmatikë, që nuk priren ndaj formimit të paragjykimeve të çfarëdo lloji, por që mbeten të hapur ndaj përvojave, ideve, ideologjive te reja, e priren drejt formimit të bindjeve të bazuara që përforcohen e pasurohen më shumë gjatë jetës. Kjo është me mjaft rëndësi sidomos për nxënësit dhe studentët, intelektualët e së ardhmes. Përpara se të adaptojnë një ansambël bindjesh të qëndrueshme, ata shkojnë drejt zgjerimit të tyre gradual dhe jo në mënyrë radikale e deterministe, por duke u njohur me shumë teori, filozofi, ideologji e jo me një të vetme, si gjatë viteve të sistemit socialist. Kështu formohet një identitet ideologjik i vërtetë, gradualisht duke u nisur nga bindje e besime të vëna në provë, të verifikuara e jo të imponuara nën kërcënimin e etiketimit armik apo të injektuara nëpërmjet një edukate njëkahëshe. Ky identitet formohet duke u nisur nga besime e bindje të formuara nga përzgjedhje midis shumë besimeve e bindjeve të tjera. Një numër i madh të rinjsh kanë studiuar në universitetet më të mira të botës këto 20 vjet. Këta janë kontingjenti që do tërheqë e madje ka filluar të tërheqë përpara historinë e vendit. Tek këta paragjykimet për të cilat folëm, sidomos ato tradicionale shqiptare do të jenë nën një fokus të ri të ndryshëm për studiuesit në vitet që vine. Krijimi i besimit, i bindjeve, zhdukja e paragjykimeve dhe frenimi i lindjes së paragjykimeve të tjera sociale, do të varen nga burimi e përmbajtja e mesazheve të reja, nga fakti se sa të besueshëm do të jenë moralisht dhe intelektualisht përçuesit e tyre, politikanët, studiuesit, i gjithë realiteti i ri. Ajo që thuhet e do të thuhet duhet të jetë jo vetëm tërheqëse por edhe bindëse e prestigjioze, realiste e jo e dyshimtë. Ata që e thonë e do ta thonë duhet të kenë autoritet të vërtetë social. Por edhe marrësit e mesazheve të reja duhet të jenë më të përgatitur për krijimin e bindjeve e shmangien e paragjykimeve e jo të prirur ndaj mesazheve të njëanshme. Është i nevojshëm pra edhe një aftësim për të besuar më ndryshe, për të krijuar bindje të vërteta, jo paragjykime sociale.
 

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.