fredag 10 augusti 2018

Me studimin e egoizmit merret etika

Me studimin e egoizmit merret etika. Njeriu është i pajisur me arsye, sikurse me ndjenja dhe pasione ku shpeshherë ai i dominon dhe i vendos në barazpeshë. Pra, njeriu është krijuar të jetojë në botën e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë, sepse jashtë marrëdhenieve me të tjerët ai e ka të vështirë të jetojë, kështu që humanizmi i tij është pasojë e të jetuarit mes njerëzve. Ka nga ata që thonë se njeriu vepron duke u bazuar në interesat e tij, pavarësisht se ai mund të tentojë  qe ti fsheh ato mbas motivesh më të pranueshme, si për shembull, dëshira për ti ndihmuar të tjerët apo ndjenja e detyrës.


Por çfarë shprehin më shumë njerëzit në të përditshmen e tyre ―egoizëm apo altruizëm? Në jetën e përditshmë është shumë e vështirë të diferencojmë përfundimisht një altruist nga një egoist, sepse altruisti i sotëm nesër mund të jetë një deshmitar pasiv. Në qoftë se një person i ndodhur në një situatë të caktuar vepron në mënyrë altruiste apo egoiste, ka shumë të ngjarë që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe shikuesit e tjerë të pranishëm. Tendencat e kundërvënies së egoizmit dhe altruizmit, sikur kemi të bëjmë me natën apo ditën apo me të mirën dhe të keqen, qëndrojnë vetëm nëse flasim për një ―përvetvetësi të subjektit, që me çdo kusht i jepet dashuria e plotë për veten.


Ai pa ndërprerje mendon për vetveten. Për të kapur mirë kuptimin e egoizmit dhe për ta përcaktuar egoizmin si veti negative apo pozitive të moralit, duhet patjetër të kthjellohen nevojat urgjente të subjektit. Në fakt qenia njerëzore ka lindur me egoizmin pasi ajo lind bashkë me instiktin e mbijetesës dhe të reagimit instiktiv ndaj çdo rreziku të mundshëm të perceptueshëm në moshë të vogël, ndaj çdo mosplotësimi nevoje. Me kalimin e viteve niveli i egoizmit ndryshon në raport me gjendjen kulturore dhe emocionale. Por në persona që kanë inteligjencë pak më të lartë se mesatarja, egoizmi shërben si një motor shtytës për arritjen e objektivave që i kanë vënë vetes, e në këtë rast egoizmi është pozitiv.  


Parë në këtë këndvështrim mund të themi se rëndësia për të studiuar këtë temë është shumë e madhe për të kuptuar se cilët janë kufijtë e njeriut si individ në raport me të tjerët dhe cilat janë objektivat apo qëllimet e pranueshme të moralit  në ditët e sotme. Shoqëria moderne duket se çdo ditë e më shumë po përshkrohet nga fryma apo sëmundja e egoizmit. Egoizmi si koncept nënkupton procesin e të reaguarit, duke kufizuar dhe shkatërruar të tjerët për hir të vetvetes. Pra mund të themi se njëriu është krijuar në këtë botë për të qenë gjithmonë në bashkëveprim me të tjerët, sepse jashtë marrëdhënieve më të tjerët ai e ka të vështirë të jetojë, kështu që humanizmi i tij është pasojë e të jetuarit mes njerëzve. E dimë se bota e marrëdhënieve me të tjerët është kusht për ekzistencën e individit. Sepse njeriu rritet, zhvillohet, edukohet dhe formon personalitetin e tij në marrëdhënie me të tjerët. Psikologu i famshëm Adler thotë: individi që nuk interesohet për të tjerët has në jetë vështirësi të mëdha  dhe është ai që dështon më shpesh në qëllimet e tij. 

Lind pyetja: A është egoizmi një kujdes real për vetveten? A është egoizmi dashuri ndaj vetvetes? Asgjë nuk e ilustron më mirë këtë pyetje sa fakti se dashuria në vetvete është një akt thelbësor i shpirtit. Në fakt dashuria mund të karakterizohet si një vrull ose si një lëvizje. Kjo dashuri që shihet si një akt me vlerë na bën që të dallojmë ndërgjegjen morale. Kjo ndërgjegje morale identifikohet me atë që quhet dashuri për veten. Por kjo dashuri për veten nuk ka asgjë egoiste: të dalloj dhe të dua të mirën time të veçantë, të realizoj prirjen dhe shpëtimin tim është e mundur vetëm në qoftë se përmes së njëjtës lëvizje unë e dua tjetrin në veçantinë e tij personale, pra në atë se ai është njëherësh prirja e veçnatë dhe synim i përbashkët. Kur zhduket dashuria, vendi i individit zihet menjëherë nga personi social, nga X i thjeshtë që shpreh marrëdhëniet shoqërore ose një aktivitet shoqëror. Përgjithësisht njeriu përfshihet në një gamë të madhe pasionesh njerëzore. Egoizmi është e keqja më madhe e njeriut.


Sigmund Frojdi  theksonte se egoizmi mund të lidhet më shumë me narcizmin sesa me dashurinë për veten. Narcisti është ai që dashurinë e tij ndaj të tjerëve e ka të drejtuar në personalitetin e tij. Nëse  njeriu e do veten në mënyrë të drejtë dhe reale, nuk mund të mos e dojë dhe respektojë edhe tjetrin. Kurse egoisti bën të kundërtën, do të thotë se ai e do veten, por nuk e do dhe nuk e respekton tjetrin. Egoizmi dhe dashuria ndaj vetes janë larg se qenit identik, ku në të vërtetë janë të kundërta. Problemi qëndror lidhet me motivet që shtyjnë reagime të tilla serioze. Motivet mund të jenë stresi, rreziku dhe mungesa e kompetencave. Nisur nga indicia del e nevojshme që të konceptojmë dhe të analizojmë më mirë disa forma të shfaqjes së egoizmit në natyrën njerëzore, por edhe në shoqërine në raport me të tjerët. 


Sigurisht që ka një mungesë të theksuar të egoizmit etik, racional dhe psikologjik në shoqërinë shqiptare postkomuniste e ku në fakt të gjitha këto forma të egoizmit kërkojnë shtjellim të interesit personal. Problemi qëndron se kjo sjellje njerëzore ka pasoja të dukshme tek individi edhe tek shoqëria. Realiteti shqiptar nuk u shpëton këtyre pasojave. Në aspektin social kemi një mungesë të madhe të egoizmit etik dhe racional. Hendeku i pabarazisë është duke u thelluar. Ky fenomen provokon dëme serioze në shëndetin publik. Në fakt njerëzit sot janë pak të verbuar nga kontrasti që reflekton suksesi material në shoqëritë tona, duke mos marr parasysh një numër të madh falimentimesh sociale.


 Nëse ne u hedhim një sy statistikave në fushën e drogave, të dhunimeve apo të krimit dhe vetëvrasjeve apo statistikave të sëmundjeve mendore, kemi një dështim total të shoqërisë sonë. Në shoqërinë e ditëve të sotme ekziston një pabarazi që të  çon në rënien e një egoizmi psikologjik. Prej saj lindin ndjenjat e inferioritetit apo superioritetit që japin efekte tepër të forta psikologjike dhe sociale. Kjo mund të shkojë në çift me respektin apo mosrespektin në momentin që njerëzit shikohen nga lart. Prandaj edhe dhuna është më e pranishme dhe familjare në shoqëritë me më pak barazi sociale. Dhuna shpërthen më tepër tek njerëzit që ndihen të demoralizuar dhe të parespektuar. Sa më shumë rritet pabarazia aq më shumë shohim të rriten edhe fenomenet negative sociale si krimi, dhuna, sëmundjet mendore etj. Sot njihet gjithnjë e më shumë se stresi kronik ka një influencë përcaktuese në shëndetin tonë, çfarë të bën të shkosh tek ajo që është edhe më e rëndësishme, se cili është burimi i këtij stresi. Kjo është cilësia e marrëdhënieve sociale.


Dhe, nëse ka një faktor që ul këtë cilësi është pikërisht shtresëzimi socioekonomik i shoqërisë. Shkenca na mëson që pavarësisht nga pasuria materiale, stresi lidhur me jetën në një shoqëri të shtresëzuar çon drejt problemeve të shëndetit fizik dhe psikologjik. Në fakt, politikat socioekonomike dhe mjedisore të klasës sonë politike duket sikur janë  prodhuesi më i madh i dhunës, krimit, luftës, varfërisë, shkatërruesi më i madh i mjedisit apo i ekosistemit, prodhuesi më i madh i mbeturinave, i shpërdorimit dhe i ndotjes, i keqtrajtimit të kafshëve dhe humbjes së humanizmit, krijuesi më i madh i sëmundjeve mendore, depresionit, ankthit, stresit personal, pa harruar burimin më të madh të paralizimit social që na ndalon të avancojmë drejt teknologjive dhe metodave të reja për shëndetin personal, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë.


Mbi gjithë këtë arsyetim ajo çka mendoj se ka shumë rëndësi të studiohet lidhur me këtë femomen është edhe evoluimi i mendimit filozofik mbi egoizmin si sjellje e natyrës njerëzore. Historia e shoqërisë njerëzore na tregon se struktura dhe funksionimi i pjesëve përbërëse të saj kanë pasur një evolucion që padyshim ka influencuar në mënyrë direkte te egoizmi si sjellje e njeriut në raport me veten dhe mjedisin që e rrethon. Duke u nisur nga kjo në këtë hulumtim shkencor do të trajtohen mendimet e filozofisë së shekullit XVII-XVIII  lidhur me egoizmin. 


Hobsi, Loku, Rusoi, Makiaveli e Kanti e kanë trajtuar gjerë në shkrimet e tyre egoizmin si koncept. E gjithë filozofia e Hobsit lidhet me problemin e gjendjes natyrore të njeriut dhe daljen nga kjo gjendje. Hobsi shprehej se të gjithë njerëzit janë njëherësh egoistë dhe të barabartë. Duke e përcaktuar egoizmin si një preukupim të tepërt ndaj interesit personal, pa marrë parasysh interesat e të tjerëve, apo nëse do të ishim në një rang më të lartë, atë familjar, si një preokupim vetëm të interesit familjar, prej kohësh mendimtarët dhe filozofët kanë shtruar dilemën se çfarë e shtyn sjelljen njerëzore të shkojë drejt këtij egoizmi që kalon nga materialja tek ajo jomateriale, nga e prekshmja tek e padukshmja, nga materia tek shpirti. Ky përkufizim tregon se kemi egoizmin që vendoset midis segmentit materie-shpirt, apo të pasurit të mira që përkthehet në pasuri materiale, pra pronësi, dhe preokupimit që të mos humbasin shpirtin në këtë botë. E para është trajtuar nga filozofia ekonomike, juridike apo politike, dhe e dyta nga filozofia fetare apo teologjia. Kemi shkencën përballë metafizikës. Megjithatë, filozofët debatojnë shumë lidhur me këtë fenomen. Por si qëndron e vërteta? Pse individët kërkojnë të maksimizojnë egon materiale dhe të lënë egon intelektuale?  Problematika mbetet e hapur dhe nevoja për një hulumtim shkencor lidhur me këtë fenomen është shumë e madhe. 




Nga Jetmira FEKOLLI
 

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.