fredag 20 maj 2016

Teoria e roleve: fytyrat e shumëfishta njerëzore



Ndër teoritë e përmendura deri tani kjo është teoria më sociale dhe fillimet e zhvillimeve të saj lidhen me studimet e sociologëve. Baza e saj është që sjellja merr trajtë sipas roleve që shoqëria iu cakton individëve për të luajtur. Ajo merr parasysh se si faktorët socialë ndikojnë në sjelljen e njerëzve në situata të ndryshme. Por nga ana tjetër kjo teori është më pak e strukturuara, e formalizuara dhe më pak e fokusuara në motivet, aspektet gjenetike dhe personalitetin se çdo teori tjetër. Madje edhe koncepti i rolit nuk është i përcaktuar saktë nga psikologët ndonëse është një koncept bazë për teorinë e roleve.

Megjithatë konceptet bazë të teorisë së roleve janë relativisht të drejta. Roli zakonisht përcaktohet si një tërësi sjelljesh që lidhen me një pozicion të dhënë. Kështu një kirurg luan një rol, vepron në një mënyrë të caktuar kur është në rolin e kirurgut, por sillet krejt ndryshe në rolin e prindit apo kur luan tenis. Role të ndryshme lejojnë dhe sanksionojnë në aspektin social lloje të ndryshme sjelljesh. Kështu për shembull pranohet si diçka normale kërkesa e kirurgut për të hequr rrobat me qëllim vizite, por po kjo kërkesë nuk tingëllon aspak e tillë kur jemi duke luajtur tenis me të. Pra, sipas kësaj teorie, ajo çka e bën sjelljen të përshtatshme në një situatë dhe të papërshtatshme në një tjetër është relativisht e pavarur nga individi që mbart rolin; ajo çka është kuptimplote është ndryshimi i rolit të tij. Pra, çdo rol shoqërohet me një tërësi pritmërish, parashikimesh që lidhen me atë çka është sjellje e përshtatshme dhe e pranueshme brenda këtij roli.

Teoria e roleve çoi në krijimin e fushës së studimit me emrin e manaxhimit të përshtypjeve, fushë që studion mënyrën se si njerëzit përpiqen të krijojnë te të tjerët përshtypje specifike dhe pozitive për veten(Schlenker 1980). Njeriu angazhohet aktivisht në ndërtimin e strategjive të sjelljeve të veta me synim përmirësimin e përshtypjeve të të tjerëve për veten.
Pritmëritë e roleve ndikojnë sjelljen në mënyra që janë intuitivisht të qarta dhe njëkohësisht jo aq lehtësisht të dukshme. Për shembull është e qartë që dikush që merr përsipër rolin e mësuesit duhet të jetë koherent, i përgatitur e t’i trajtojë mirë nxënësit. Por është më pak e qartë se si këta njerëz që përgatisin materialin që ata do t’ua mësojnë të tjerëve e bëjnë këtë në një rrugë cilësisht të ndryshme, kur e studiojnë materialin për ta përvetësuar për vete (Allen e Feldman 1973). Së këtejmi po të vesh dikë në një rol mund ta bësh atë të ndryshojë perceptimet e tij dhe rrugët e strukturimit konjitiv (njohës) të botës. Pika më kritike e teorisë së roleve është se sjellja shihet gjithnjë si e influencuar nga roli që ka ndërmarrë njeriu në një moment të caktuar.
                                             
                                             Cila nga teoritë është e drejtë?

Natyrisht që kjo pyetje është e gabuar. Të gjitha teoritë fokusohen në sjelljen sociale në nivele të ndryshme analize, bëjnë hamendje të ndryshme, vëzhgojnë variable të ndryshme.
Pra për asnjërën syresh nuk thuhet dot nëse është apo jo absolutisht e drejtë apo më e drejtë se të tjerat. Disa fenomene është më e përshtatshme të studiohen me njerën apo me tjetrën teori, por asnjëra syresh nuk mjafton për t’i shpjeguar të gjithë rastet dhe rrethanat aq të larmishme të sjelljes njerëzore. Pra asnjëra teori s’i udhëheq dot të tjerat. Nga ana tjetër psikologët vazhdojnë t’i përdorin të tëra teoritë dhe në mënyrë specifike atë që është më e përshtatshme Për një dukuri të dhënë.
Megjithatë shumica e studimeve sot bëhen mbi bazë teorish shumë të ngushta, që përcaktohen si teori të rendit të mesmë , sesa mbi bazë drejtimesh të mëdha teorike. Por pa dyshim,edhe këto teori ngrihen mbi bazën e pesë orientimeve të mëdha teorike që përmëndëm më sipër.

                               Metodat e studimit në psikologjinë sociale

Për psikologët socialë ivetmi mjet i pranueshëm është studimi empirik ku idetë testohen nëpërmjet përdorimit të mbledhjes sistematike të të dhënave dhe vëzhgimit. Le të marrim rastin e dhënies së ndihmës tjetrit në një situatë emergjence, kur janë të pranishëm një grup imadh njerëzish. Ne mund të teorizojmë në bazë të logjikës, sensit të zakonshëm dhe eksperiencës së përgjithshme, që sa më shumë të pranishëm të ketë, aq më shumë rritet mundësia që viktima apo njeriu në nevojë të marrë ndihmë nga të tjerët. Por siç do të shohim ngjet e kundërta. Ky përfundim arrihet vetëm nëpërmjet studimit empirik. Por dhe baza teorike natyrisht është e nevojshme sepse pa të studimi empirik nuk do të kryhej dot.
            
                             Shkalla me të cilën studimi mbështetet në teori varion shumë.

Ka studime të pastra teorike, studime bazë që kryhen për të testuar një rrjedhim teorik, pa pasur asnjë zbatim praktik. Për shembull i tillë do të ishte studimi i mënyrës se si kombinohen elementët e ndryshëm të sjelljes së dikujt nga një vëzhgues i zakonshëm,për të krijuar një përshtypje të përgjithshme për të. Ka edhe studime të zbatuara më shumë në natyrë, të orientuara për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje apo problemi praktik. Studimi i këtij tipi mund të ekzaminojë se si mësuesit i formojnë përshtypjet për nxënësit duke u bazuar në sjelljen në klasë. Qëllimi i këtij studimi është praktik të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Megjithatë në psikologjinë sociale ndryshimi midis dy tipave të studimit, atij teorik e praktik, më shpesh është formal sesa real.

                                                Studimi eksperimental

Le të marrim hipotezën sipas së cilës anonimati rrit agresionin verbal (dihet nga studimet se anonimati shoqërohet me rritje të agresionit). Ju shkoni në një mbrëmje dëfrimi ku të ftuarve u japin maska dhe nga fundi i mbrëmjes thoni se e verifikuat hipotezën sepse pati Shumë agresion verbal ndaj jush nga ana e të maskuarve. Ky do të ishte një përfundim i gabuar sepse shkak i rritjes së agresionit mund të ketë qenë muzika e lartë, alkooli, kërcimi dhe faktorë të tjerë që kanë rritur nivelin e çlirimit të energjive te të pranishmit. E vetmja rrugë për të verifikuar këtë hipotezë është që të krahasohet grupi i të maskuarve (anonimëve) me një grup tjetër jo anonim të pranishëm në atë mbrëmje.  Studimi eksperimental kërkon pra, së paku, dy grupe që të krahasohen me njëri-tjetrin.Njëri që vihet nën trajtim ose studim (procedura e sajuar nga studiuesi) dhe tjetri pa trajtim  apo studim ose në disa raste nën një trajtim të ndryshëm nga ai i grupit të parë. Grupi i parë quhet grupi i trajtimit ose i eksperimentit dhe i dyti grup i kontrollit Trajtimet e ndryshme që u bëhen dy grupeve përbëjnë dy kushtet e eksperimentit. Në gjuhën teknike dy grupet ndryshojnë në aspektin e variablit të pavarur  i cili është variabli që manipulohet nga studiuesi.(Variabli është një faktor apo eveniment që mund të ndryshojë dhe të marrë dy a më shumë nivele ose vlera). Në shembullin tonë shkalla e anonimatit manipulohet duke u dhënë maska gjysmës së njerëzve dhe duke mos i dhënë të tilla gjysmës tjetër. Nga ana tjetër variabli i varur është ai që do të matet në eksperiment. Në shembullin tonë është sasia e agresionit verbal. Variabli i varur mund të ndikohet nga manipulimi i variablit të pavarur. Ka shumë mënyra për të konceptuar dy llojet e variableve. Rruga e zgjedhur nga studiuesi quhet operacionalizim i dy variableve. Kjo është mënyra me të cilën konceptet abstrakte të hipotezës përkthehen apo transformohen në procedura aktuale që përdoren në studim. Për shembull agresioni verbal operacionalizohet si numri i fyerjeve që një person bën në një mbrëmje dëfrimi ose del nga analiza që i bëjmë bisedës së dikujt lidhur me shembëlltyrën agresive. Të dy metodat janë të përshtatshme. Mënyra se si operacionalizohet variabli është themelore për të përcaktuar llojet e konkluzioneve që do të nxirren nga studimi.


e marur nga libri:
Psikologjia Sociale

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.