fredag 20 maj 2016

Formimi e mbajtja e qëndrimeve

Formimi e mbajtja e qëndrimeve: Trajtimet sipas teorive të përforcimeve dhe atyre të të mësuarit

Qëndrimet formohen shumë shpejt që në moshë të vogël dhe zakonisht ruhen gjatë gjithë jetës. Që kur lindim e rritemi ne marrim nga prindërit e më vonë nga media, mësuesit, shokët, përvoja sociale qëndrimesb me anë të të cilave mësojmë e përvetësojmë qëndrime e sjellje të përshtatshme. Fëmijët mësojnë të mbajnë qëndrime pozitive ndaj disa kategori njerëzish, ushqimesh e lodrash dhe negative ndaj disa të tjerave. Kur ata rriten këto qëndrime mund të modifikohen, por procesi i përftimit dhe zhvillimit të qëndrimeve vazhdon. Teoritë e të mësuarit e kushtëzimeve i shohin qëndrimet si përgjigje të mësuara ndaj stimujve të veçantë dhe fokusi i këtyre teorive është identifikimi i natyrës së stimulit që na bën të krijojmë e mbajmë qëndrime specifike.

                                    Kushtëzimi i qëndrimeve

Parimet bazë të teorive të të mësuarit janë reflekset e kushtëzuara (shembulli i Pavlovit me qenin), të cilat në disa raste veprojnë edhe te njerëzit. Në shembullin klasik të Pavlovit shoqërimi i ngacmuesit të pakushtëzuar (ushqimi) me atë të kushtëzuar (zilja apo drita) sillte përgjigjen e kushtëzuar të ngjashme me përgjigjen e pakushtëzuar (sekretimi i pështymës).
Sipas Staats (1975), qëndrimi është ekuivalent i një përgjigjeje të kushtëzuar apo diçka që del nga ndërhyrja e një stimuli të kushtëzuar. Për ta demonstruar këtë, pra faktin që qëndrimi mund të kushtëzohet në mënyrë klasike, Staats kreu eksperimentin e mëposhtëm që synonte të kushtëzonte qëndrime pozitive e negative ndaj emrave të vendeve (Suedi,Hollandë etj.) e të njerëzve (Bill,Tom) që ishin shikuar më parë negativisht apo pozitivisht. Subjekteve të eksperimentit iu tha se qëllimi i eksperimentit ishte të studiohej të mësuarit dëgjimor dhe ai vizual. Pastaj atyre iu treguan emra njerëzish e vendesh të shkruara në dërrasën e zezë (apo që flashonin) në mënyrë rastësore. Dy prej emrave të vendeve ishin të shoqëruar me fjalë me kuptim pozitiv të thëna me zë të lartë (fjalë që shprehnin gëzim,etj.) ndërkohë që të tjerët shoqëroheshin me fjalë me kuptim emocional neutral. Dy emra të tjerë vendesh u paraqitën të shoqëruar me fjalë me sens negativ ndërkohë që të tjerat shoqëroheshin me fjalë neutrale. Pas 108 provash, ku çdo emër vendi përmendej 18 herë, u vlerësua qëndrimi ndaj vendeve. Me pak përjashtime, ai ishte pozitiv ndaj vendeve të para dhe negativ nadj të dytave. Eksperimenti u bë duke shfaqur në ekran edhe emra njerëzish dhe duke u shqiptuar nga eksperimentuesi fjalë shoqëruese të tipit që përmendëm më sipër. Rezultati doli i njëllojtë. Sipas Staats emrat bëheshin stimuj të kushtëzuar kur shoqëroheshin me stimujt e pakushtëzuar të fjalëve pozitive apo negative dhe atëherë stimujt e kushtëzuar evokonin përgjigjet e kushtëzuara, ashtu si zilja pështymën në eksperimentin e Pavlovit.
Kjo teori u sulmua shumë me argumentin që përgjigjet nuk ishin rrjedhim i qëndrimeve të vërteta të të eksperimentuarve, por reagime të subjekteve që kishin kuptuar se ku donte të dilte studiuesi dhe që përgjigjeshin siç dëshironte ai. Deri-diku ky argument edhe qëndronte për faktin se, në 108 prova i eksperimentuari mund ta kapë në mënyrë intuitive atë që do të arrijë eksperimentuesi. Por nga ana tjetër një numër eksperimentesh më të fundit lidhur me të pasurit dijeni apo jo të të eksperimentuarve, nuk e mbështet këtë alternativë. Ka për shembull individë të vënë në rrethana kërcënuese që tentojnë të mbajnë qëndrime negative ndaj objekteve, thjesht nëpërmjet një asosacioni si në eksperimentin më sipër, duke mbështetur kështu drejtpërdrejt shpjegimin e kushtëzimit klasik të formimit të qëndrimit.
Rëndësia e shpjegimit nëpërmjet këtij mekanizmi të formimit të qëndrimeve, qëndron në faktin se njerëzit mund të formojnë reagime të fuqishme qëndrimore ndaj objekteve sociale edhe në mungesë të përvojës së drejtpërdrejtë. Kështu fëmijët duke dëgjuar shpesh prindin të thotë: jevg-injorant,jevg-pis etj., formon qëndrim negativ ndaj jevgjitëve thjesht nëpërmjet asosacioneve edhe pa njohur ndonjë jevgjit.

Të bazuara paka a shumë në një formë të tillë të formimit të qëndrimit veprojnë reklamat tregtare në psikologjinë tonë: një mall që reklamohet lidhet me një ndjenjë pozitive apo ngjarje pozitive duke krijuar kështu një refleks të kushtëzuar. Kur të del një mall i tillë para syve, ndjenja ose ngjarja që e shoqëron të krijon gjendje emocionale pozitive dhe besim në vlerën e saj gjë që të nxit ta blesh.
Një formë e tillë është edhe ajo e paraqitjes dhe reklamimit të produkteve nga këngëtarë apo artistë të shquar. Kjo është një metodë bindjeje efektive. Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në ndryshimin e qëndrimit dhe krijimin e bindjeve efektive janë: a:Burimi i mesazhit:. Sa më i shquar dhe më i rëndësishëm të jetë ai aq më i besueshëm bëhet mesazhi b:Karakteristikat  e mesazhit:. Një mesazh që ngjall frikë, për shembull, të shtyn të veprosh sipas informacionit që merr prej tij (ka një grafik ku frika në qoftë se kalon një kufi optima Sjell efekt të kundërt në bindje; ajo duhet të jetë disi e moderuar). Efekti i gënjeshtrës së madhe që besohet më lehtë, bazohet në një parim të ngjashëm (njeriu përgjithësisht prite të mendojë se diçka që del krejt ndryshe nga ç'besohej nuk mund të jetë e gënjeshtërt). c-Karakteristikat e marrësit të mesazhit. Është fjala për tiparet dhe karakteristikat e individit që synohet të bindet apo të ndryshojë qëndrim. Të tre këta faktorë do t’i studiojmë më me hollësi më poshtë.

e marur nga libri:
Psikologjia Sociale
Prof.Dr.Ylli Pango

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.