måndag 22 augusti 2016

Enigma e çasteve të fundit të Hitlerit.

Enigma e çasteve të fundit të Hitlerit. Si përfundoi 70 vjet më parë aventura e Rajhut të III-të?

(nga libri “Ditët e fundit të Hitlerit)

Mes konkluzionesh dhe kundërkonkluzionesh (nga libri “Ditët e fundit të Hitlerit)

E vërteta dhe rusët

Teorikisht, për rusët nuk ekzistonin probleme, pasi qysh në fillim kanë qenë ata që patën në dorë të gjitha dëshmitë. Me 2 maj të 1945 u futën në Bunkerin ku kish vdekur Hitleri. Të njëjtën ditë apo më së shumti një ditë më vonë, në një depozitë birre të Shënhauzer Alesë, kapën shërbyes të ndryshëm personalë të Hitlerit, që i njihnin faktet dhe nga të cilat të paktën dy u identifikuan në hapësirën e katër ditëve. Kopshti i Kancelarisë, ku u gjetën “mbetjet” e Hitlerit, ishte nën kontrollin e tyre. Kështu që në ditët e para të qershorit, rusët i njihnin rrethanat e vdekjes së Hitlerit dhe e kishin identifikuar varrin, ndoshta dhe kufomën e tij, me ndihmën e një serie konvergjuese dëshmish. Përveç deklaratës së Krebsit të mbrëmjes midis 30 prillit dhe 1 majit dhe pjesërisht të gjitha dëshmive të tjera që ata kishin mundur të grumbullonin nga të burgosurit e kapur në Bunker, ata kishin dhe një dokument të 9 majit, përballë të cilit kishte rënë, siç është parë, rezistenca e Mengershauzenit (oficeri që varrosi trupat e Hitlerit dhe Eva Braunit).

Përveç kësaj zotëronin dhe deponimin e vetë Mengershauzenit, i cili kishte lokalizuar varrin dhe identifikuar kufomat e ndodhura në to, kishin dëshmitë e dhëna veçmas nga Hojzemani (asistente e Doktor Hugo Blashkes, dentistit të Hitlerit) dhe nga të burgosur të tjerë rreth ditëve të fundit në Bunker dhe së fundi informacionet me karakter teknik të vetë Hojzemanit dhe Ektmanit (teknikut të dhëmbëve që në vitin 1944 kishte bërë protezat e Hitlerit dhe Eva Braunit) rreth gjendjes së dhëmbëve të Hitlerit. Kishin në dorë, siç theksonte të paktën vetë Mareshall Zhukovi, ato “ditare të adjutantëve, nga të cilat më vonë u tha se kishte dalë dhe lajmi i martesës së Hitlerit dhe Eva Braunit. Këto “ditare” mund të kishin natyrë identike me dokumentin e 9 qershorit, që natyrisht ishte një dokument i shkruar a posteriori, jo një ditar në kuptimin e vërtetë të fjalës, por mund të ishin edhe dokumenta të pavarura, të cilat iu shtoheheshin shumatores së dëshmive të tjera. Në kompleks, qysh javën e parë të qershorit, rusët dispononin për ditët e fundit të Hitlerit një dokumentacion shumë më të pasur se ai që munda të prokuroj unë për hetimin tim pesë muaj më vonë. Lind një pyetje legjitime: Përse nuk i botuan kurrë konkluzionet e tyre? Ndoshta nuk qenë të interesuar për sqarimin e fakteve? Mënyra e sjelljes së tyre gjatë kësaj periudhe e hedh poshtë një hipotezë të tillë, apo ndoshta qenë jokompetentë në fushën e hetimeve sekrete? Kontrolli i kryer prej tyre në Bunkerin e Hitlerit doli çuditërisht mjaft i paplotë: për shembull, ditari i Hitlerit – një volum i trashë i lidhur me format 35 centimetra me 18 – mbeti i braktisur për katër muaj të tërë në një karrike, deri sa ka ndërhyrë një vizitor anglez. Nuk ka dyshim se në javën e parë të qershorit, autoritetet ushtarake sovjetike në Berlin e pranuan vdekjen e Hitlerit. Me 5 qershor, kur komandantët e lartë aleatë u takuan në Berlin për të caktuar kushtet paraprake të qeverisë katërpalëshe, disa “oficerë të lartë rusë” u referuan disa oficerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ajzenhauerit se trupi i Hitlerit ishte gjetur dhe identifikuar me “siguri të mjaftueshme”. Kufoma, thanë ata, ishte njëra prej katër të gjeturave në Bunker dhe dukej e shkrumbosur në pjesën më të madhe nga zjarri i flakëhedhëses (një supozim ky mjaft i gabuar) që trupat ruse kishin përdorur gjatë sulmit. Trupat qenë këqyrur nga mjekë rusë dhe se nga një këqyrje e tillë ish arritur në një “identifikim thuajse të sigurtë”. Fakti që rusët nuk e komunikonin zyrtarisht lajmin e vdekjes së Hitlerit ishte vetëm se (këtë mbështesnin oficerët sovjetikë) nuk kishin ndërmend të kompromentoheshin, deri sa të mos mbetej “as dyshimi më i vogël”. Por lanë të kuptohej se nga provat që dispononin, vdekja e Hitlerit dukej tashmë një fakt i sigurtë.

Katër ditë më vonë, me 9 qershor, Mareshall Zhukovi mbajti një konferencë shtypi rreth ditëve e fundit në Kancelari, por për problemin e vdekjes së Hitlerit nuk u prononcua shumë. Nuk foli për asgjë. “Rrethanat janë të veshura me një mister të plotë”, tha ai. “Nuk e kemi identifikuar kufomën e Hitlerit. Nuk mund t’ju them asgjë të saktë për fundin e tij. Mund të ketë ikur në çastin e fundit me avion nga Berlini: kushtet e pistës ia lejonin një gjë të tillë”. Më pas e mori fjalën komandanti ushtarak rus i Berlinit, Gjenerali Berzarin. Tha se Hitleri për bukuri mund të ishte ende gjallë. “Kemi gjetur mjaft kufoma, midis të cilave mund të jetë dhe ajo e Hitlerit, por nuk jemi në gjendje të pohojmë se është i vdekur. Opinioni im është që ai fshihet në nodnjë vend të Evropës, ndoshta pranë Gjeneralit Franko”. Argumenti u mbyll me kaq. Nga ky çast, Shtabi i Përgjithshëm rus i Berlinit nuk tha më asnjë fjalë për fundin e Hitlerit. Një heshtje e tillë e la problemin e pazgjidhur dhe gjithçka ishte pranuar më parë më shumë se çdo gjë tjetër kontribuoi në fitimin e terrenit prej hipotezës se në fund të fundit Hitleri mund të ish akoma i gjallë. Për këtë ndryshim gradual pozicioni kemi shembullin më tipik në qëndrimin e Gjeneralit Ajzenhauer. Deri me 9 qershor, ai ishte shprehur mjaft i sigurt për vdekjen e Hitlerit. Por më 10 qershor u takua në Frankfurt me Zhukovin, pikërisht një ditë më vonë deklaratës së sipërpërmendur të këtij të fundit. Pesë ditë më vonë në Paris, Ajzenhaueri demostroi se kishte ndryshuar plotësisht mendim. Tha se e kishte pranuar fillimisht hipotezën e vdekjes së Hitlerit, por më pas kishte folur me personalitete të larta ruse që ushqenin dyshime serioze lidhur me këtë çështje. [Kjo qe dhe arësyeja përse autoritetet britanike, drejtuesit e lartë të shërbimit të fshehtë, autorizuan autorin e librit të shkonte në Gjermani dhe të kryente hetimet e rastit].
Me 6 tetor Gjenerali Ajzenhauer shkoi në Utreht të Hollandës dhe u deklaroi gazetarëve se nëse në fillim e kishte besuar të vdekur Hitlerin, tani “kishte motiv për ta menduar të gjallë”. Në kthimin e tij në Frankfurt, Gjenerali Ajzenhauer i modifikoi përsëri deklaratat e bëra në Utreht. Edhe atij, u shpreh ai, i dukej e pamundur që Hitleri të mbijetonte, “por miqtë e tij rusë e kishin siguruar se nuk kishin gjetur asnjë provë të qartë të vdekjes së tij”. Si mund të shpjegohet një qëndrim i tillë? Për këtë le të shohim qëndrimet e vetë Moskës. Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe kur rusët kishin shkuar mjaft afër lajmërimit të vdekjes së Hitlerit, Stalini nga Moska kishte vazhduar të deklaronte se Hitleri ishte gjallë.

Në orët e para të mëngjesit të 2 majit, akoma më përpara se Kancelaria e Rajhut të pushtohej nga ushtarët rusë, agjensia TASS kishte deklaruar se lajmërimi gjerman për vdekjen e Fyhrerit ishte “një tjetër truk fashist”. “Duke përhapur lajmin e vdekjes së Fyhrerit, fashistët gjermanë dukshëm shpresojnë ta ndihmojnë të zhduket nga skena”. Me 26 maj, duke folur në Kremlin me Herri Hopkinsin, përfaqësuesin e Presidentit amerikan, Stalini u shpreh qartë se “Bormani, Gëbelsi, Hitleri dhe ndoshta vetë Krebsi mund të kishin gjetur strehim në ndonjë vend”. Një pohim i tillë në asnjë mënyrë nuk mund të mbështetej për aq sa dihej në Berlin, ku trupi i Gëbelsit ishte gjetur dhe identifikuar prej kohësh “pa kurrfarë hije dyshimi”, siç e pranonin vetë rusët. Ka mundësi të ketë qenë një opinion personal i Stalinit, që e besonte se donte ta besonte apo e thoshte që të tjerët ta besonin. Sërish më 6 qershor, kur oficerët e Shtabit të Përgjithshëm të Zhukovit u komunikuan atyre të Ajzenhauerit se trupi i Hitlerit ishte zbuluar, Stalini në Moskë vazhdonte t’i përsëriste Hopkinsit se nuk kishte asnjë provë për vdekjen e tij, që ai, përkundrazi, e “mendonte sigurisht të gjallë”. Tre ditë më pas, Zhukovi i hidhte poshtë publikisht deklaratat e mëparëshme, por Stalini nuk ndryshonte mendim. Më 16 korrik, ai erdhi vetë në Berlin për Konferencën e Potsdamit. Ditën tjetër e la pa mënd Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhejms F. Bërns, duke i thënë se e quante Hitlerin të gjallë dhe të fshehur në Spanjë apo në Argjentinë. Përse ky qëndrim kaq kontradiktor i Stalinit? Përveç shumë hipotezave që mund të bëhen për një gjë të tillë, e vërteta mund të jetë shumë e thjeshtë: Stalini shprehu një opinion të gabuar dhe gjykimi i tij i gabuar, me anë të mekanizmit të pushtetit ideologjik, u shndërrua në një të vërtetë dogmatike. Nuk mund ta përjashtojmë një mundësi të tillë. Në vitin 1945, Stalini konsiderohej si burri më i madh i shtetit, strategu më i madh dhe filozofi më i madh i botës, Baba dhe Drejtues i njerëzimit dhe falë një rrjeti të gjerë kurtizanësh të nënshtruar vëzhgimet e tij më banale bëheshin të vërteta absolute, përpara të cilave të vërtetat e dukëshme duhej të ulnin kokën dhe të rrinin mënjanë. Sidoqoftë, dogma mbizotëroi. Rusët në Berlin e dinin të vërtetën, por në rrethana të tilla linja e vetme u mundëshme ishte heshtja. Por dogma nuk do të zgjaste përjetësisht: në vitin 1949 ishte vënë në punim një “dokumentar” me ngjyra, që u shpërnda në sektorin lindor të Berlinit, në qershorin e një viti më vonë, me titullin “Rënia e Berlinit”, ku Hitleri nuk rezultonte i arratisur në Spanjë apo Argjentinë, por i vetëvrarë në Bunkerin e Kancelarisë, atë që në thelb mbështesja dhe unë. Çfarë kish ndodhur që kish çuar në një kthesë të tillë? Pas kthesës së bujëshme të 9 qershorit 1945, krejt të burgosurit që kishin lidhje me Bunkerin e Kancelarisë u transferuan nga Gjermania në Rusi. në fund të gushtit kishin mbritur të gjithë. Dëshmitarët, që më parë qenë të burgosur të ushtrisë sovjetike, tani u klasifikuan si të burgosur politikë dhe si të tillë u përqëndruan në burgun e Lubiankës në Moskë, por pa asnjë mundësi komunikimi midis tyre. Qenë Baur e Ratenhuber, Mengerhauzen, Ektman, Linge, Gunshe dhe disa të tjerë, të njohur me emrin “Grupi i Kancelarisë”. Në verën e vitit 1946, grupi u grumbullua papritmas dhe, pa kurrfarë shpjegimi, hipi në një tren dhe më pas në aeroplan. Kur po uleshin panë se ndodheshin në Berlin. U çuan drejt Kancelarisë, ku morën urdhërin që të përsërisnin në vend sekuencën origjinale të vdekjes së Hitlerit dhe të groposjes së trupit të djegur. Paraqitja makabre u duk më së fundi se i bindi rusët. Në një moment, ndërsa gjendeshin akoma në Berlin, sovjetikët i premtuan Baurit e të tjerëve deri dhe se do i tregonin mbeturinat e Hitlerit, por premtimin nuk e mbajtën. Më pas, të sigurtë për konkluzionet, rusët ja hynë punës për zhdukjen e provave. I kthyen përsëri në Rusi dëshmitarët dhe i shpërndanë nëpër burgje të ndryshme, disa në Siberi, të tjerët në Urale; shkatërruan Kancelarinë, hodhën në erë Bunkerin dhe, përsa i përket kufomës së Hitlerit, që vetë ai kish dashur me çdo mënyrë t’ua fshihte armiqve të tij nga frika se mos e telendisnin, tani armiqtë e tij, pasi e patën identifikuar, vendosën që t’ua fshihnin gjermanëve nga frika se mos e nderonin. Tre vjet më pas, një të burgosuri gjetman të transferuar nga Uralet në Lubianka ju kërkua nëse ishte në gjëndje të njihte në fotografi trupat gjysëm të karbonizuar të Hitlerit dhe Eva Braunit. Ai u përgjigj se nuk mund të jepte një përgjigje të sigurtë: mund ta bënte veç po të shikonte vetë trupat. “Atëhere nuk beson që kufomat të ndodhen në Moskë”, e pyeti kush po e hetonte. I burgosuri konfirmoi se nuk e besonte. “Trupi i Hitlerit”, ju përgjigjën, “është mirë në duart tona se nën Portat e Bradenburgut në Berlin. Të vdekurit mund të jenë më të rrezikshëm se të gjallët. Sikur Frederiku i Madh të mos ishte varrosur solemnisht në Potsdam, populli gjermanik nuk do kish ndërmarë kaq shumë luftëra në dy shekujt e fundit. gjermanëve u pëlqejnë martirët!”. Por këtë martir nuk do ta kishin. Pavarësisht elementeve të rinj që e kanë ndryshuar kuadrin e situatës, vëzhgimi im origjinal mbetet i vlefshëm: “Ashtu si Alariku, i groposur fshehurazi në shtratin e Busentos, edhe kamzhiku modern i njerëzimit gjendet tani i sigurtë nga çdo zbulim i pakëndshëm”.

Vdekja e Hitlerit
Edhe sikur të ishin informuar për poshtërimin me të cilën kufomat e Musolinit dhe të dashurës së tij, varur për këmbësh sëbashku me ato të hierarkëve të tjerë, qenë akoma të ekspozuar në një shesh të Milanos, Hitleri dhe Eva Brauni nuk do kishin bërë gjë tjetër veçse do përsërisnin urdhërat që kishin nisur: trupat e tyre do të duhej të asgjësoheshin “në mënyrë që asgjë mos të mbetej”. “Nuk dua të bie në duart e një armiku që ka nevojë për një spektakël të ri për të tërhequr masat e tij histerike”. Por është pak u mundëshme që të kenë qenë informuar për të gjitha hollësitë. Megjithatë, fati despotëve të mundur ka qenë gjithmonë pakashumë i njëjti dhe Hitleri, i cili kishte varur në një çengel kasapi me dorën e tij një feldmareshall, nuk kishte nevojë për shembuj të vjetër historikë, as për nxitje të reja e dramatike për të imagjinuar fatin që ndodhta do i takonte kufomës së tij, kurdo që të vinte ai. Pasdite, Hitleri vrau qenin e tij të preferuar, Blondin, një qen i racës alzaciane. Profesor Hase, që kishte qenë mjeku i tij dhe që gjatë kësaj periudhe kuronte të plagosurit në në klinikën e tij të Berlinit, erdhi apostafat në bunker për ta helmuar. Dy qentë e tjerë të oborrit u vranë me të shtëna pistolete nga kapteri që i kishte pasur nën kujdes deri më atëhere. pas kësaj Hitleri u dha kapsula helmi sekretareve të tij për t’i kapërdirë në rast ekstrem. Deklaroi se i vinte keq që nuk mund t’u jepte një dhuratë më të mirë lamtumire, që do kish qenë shumë më lumtur sikur gjeneralët e tij të kishin qenë si to. Në mbrëmje, ndërsa miqtë e dy vendstrehimeve të tjera ndodheshin ulur në tavolinë në korridorin e Bunkerit të sipërm, një roje SS ua ndërpreu darkën atyre për t’i informuar se Fyhreri kish shfaqur dëshirën të ndahej nga zonjat dhe se askush nuk duhej të shkonte në shtrat përpara se të merte një urdhër të tillë. Urdhërat erdhën në dy e gjysëm të natës. Të gjithë u thirrën me telefon dhe u mblodhën sërish në korridorin kryesor të Bunkerit të sipërm. Gjithsej, burra e gra, qenë nja 20 vetë. Kur u mblodhën, nga pjesa e poshtëme e Bunkerit të sipërm, u shfaq Hitleri në shoqërinë e Bormanit. Shikimi i tij ishte i përhumbur dhe sytë e tij shkëlqenin në atë mënyrë të çuditshme që Hana Reiç (pilote kolaudatore) e kishte konstatuar. Disa prej dëshmitarëve kanë arritur deri aty sa të deklarojnë se kishte marë drogë, por ky shpjegim nuk është i domosdoshëm, po të shohësh që edhe në rrethana të tjera ai ishte shfaqur në kushte të tilla. Në heshtje, përshkoi korridorin duke u shtrëguar dorën të gjitha grave. Disa i pëshpëritën diçka, por ai o nuk iu përgjigj ose u mërmëriti fraza të palexueshme. Me sa duket, atë ditë riti i shtrëngimit të duarve në heshtje ishte bërë rregull. Pasi u largua ai, pjesëmarrësit në në skenën e çuditshme do të qëndroni aty edhe për disa kohë duke diskutuar nënkuptimin e saj. Të gjithë ranë dakord duke thënë se ajo çka kishte ndodhur mund të nënkuptonte vetëm një gjë: Fyhreri do të vriste veten. Por atëhere u verifikua një fakt i papritur. U duk sikur me këtë banorët e Bunkerët u çliruan prej një preokupimi të rëndë. Shtrigani i tmerrshëm, tirani që gjatë atyre ditëve i kishte nënshtruar ndaj një presioni kaq melodramatik, po përgatitej të shkonte dhe për një çast të shkurtër, në pritje të asaj që do ndodhte më pas, ata do të ishin të çliruar në vetëvete… Në një lokal të Kancelarisë ku ushtarët kishin mensën, po kërcehej. Lajmi i vetëvrasjes iminente u përhap me shpejtësi, por askujt nuk i shkonte ndërmend ta ndërpriste këtë manifestim. Nga Fyhrerbunkeri u rekomandua që të ishin më pak të zhurmshëm, por vallëzimi vazhdoi. Një rrobaqepës që ishte punësuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Fyhrerit dhe që gjendej atëhere në Kancelari me të gjithë të tjerët, pati surprizën që të ndjente t’i binte me përzemërsi në shpatulla, me një familjaritet demokratik, Brigadenfyhreri Ratenhuber, një hierark i lartë i SS-ve. Në hierarkinë e ngurtë që kishte dominuar deri në atë çast, rrobaqepësi u ndje i çorientuar. “Ishte hera e parë që një gjeneral më thoshte “mirëmbrëma””, tregoi ai. “Vura re se mënyra e trajtimit kishte ndryshuar krejtësisht”. Më pas, nga njëri prej shërbyesve u mësua arësyeja e kësaj përzemërsie të pazakontë: Hitleri u kishte thënë lamtumirë të gjithëve dhe ndodhej në pragun e vetëvrasjes. Pak gjëra arrijnë t’i heqin dallimet klasore sesa rreziku i përbashkët dhe shpresa për një shpëtim të përbashkët. Me t’u gdhirë dita, gjeneralët arritën si zakonisht në Bunker me raportet e tyre ushtarake. Brigadenfyhreri Mohnke , komandanti i Kancelarisë, lajmëroi një përmirësim të lehtë: Shlezisher Banhofi ishte rimarë. Por në mesditë lajmet u bënë përsëri të këqija: tuneli i Vosshtrasesh, afër Kancelarisë, ishte pjesërisht i okupuar, gjithë Tiergarteni ishte marë, trupat ruse kishin zënë Postdamer Placin dhe urën e Veidendamerit. Hitleri i priti këto buletine pa shfaqur ndonjë shenjë emocioni. Nga ora dy e drekës hëngri drekën. Eva Brauni nuk ishte; o nuk kishte uri, o hëngri e vteme në dhomën e saj. Hitleri, siç bënte zakonisht kur mungonte ajo, e hëngri drekën sëbashku me dy sekretaret e tij dhe me kuzhinieren. Bashkëbisedimi u zhvillua normalisht. Fyhreri qëndroi i qetë dhe nuk foli për ndërmendësitë e tij, por sakaq të gjitha përgatitjet qenë bërë. Në mëngjez, rojet kishin marrë urdhërin që t’i tërhiqnin menjëherë racionet e tyre të përditëshme, pasi për të gjithë pjesën tjetër të ditës nuk do të mund të kalonin në nëpër korridorin e Bunkerit të poshtëm; rreth orës së drekës, adjutanti i Hitlerit për SS-ët, Shturmbanfyhreri Oto Gunshe, urdhëroi oficerin e ngarkuar me transportin, që ishte edhe shofer, Shturmbanfyhrerin Erik Kempka, që të çonte në kopështin e Kancelarisë 200 litra benzinë. Kempka kundërshtoi duke thënë se ishte mjaft e vështirë të gjehej një sasi e tillë benzine, por dëgjoi që t’i vinte përgjigjja se duhej ta bënte një gjë të tillë me çdo kusht. Së fundi arriti të grumbullonte 180 litra dhe, të futura nëpër bidona 100 litërsh, i çoi në kopësht të mbajtur nga katër veta, të cilët i kanë vendosur pranë daljes së sigurisë. Një rojeje që u kërkoi shpjegime, ata iu përgjigjën se shërbente për impiantin e ventilimit. Roja kundërshtoi me dyshim që impianti të funksiononte me benzinë. Në këtë çast u shfaq shërbëtori personal i Hitlerit, Hajnc Linge, i cili e qetësoi rojen dhe largoi njerëzit pak më vonë, të gjithë rojet, përveç atyre të shërbimit, morën urdhërin që të largoheshin nga Kancelaria. Me këtë kërkohej që të evitoheshin vëzhguesit e rastësishëm të skenës përfundimtare. Ndërkohë Hitleri, që kishte mbaruar së ngrëni dhe lënë të lirë miqtë, ishte tëhequr në dhomat e tij. Pas disa kohe doli sërish, i shoqëruar nga Eva Brauni, dhe atëhere u zhvillua një ceremoni tjetër lamtumire. Ishin të pranishëm Gëbelsi dhe Bormani me Burgdorfin (adjutanti i tij personal), Krebsi (gjeneral, ish atashe ushtarak në Moskë, një nga të pakëtit njerëz e përqafuar në publik prej Stalinit), Hevel, Nojman, Vos, Ratenhuber, Hëgl (të gjithë ushtarakë SS-ë), Gunshe, Linge dhe katër gra: Frau Kristian, Frau Junge, Frolajn Kryger dhe Frolajn Manciali. E shoqja e Gëbelsit nuk ishte e pranishme: në ankth për vdekjen iminente të fëmijëve, kaloi të gjithë ditën në dhomën e tyre. Hitleri dhe Eva Brauni u shtrënguan dorën të gjithëve dhe u larguan. Të gjithë u lanë të lirë, përveç “priftërinjve të mëdhenj” dhe të tjerë, puna e të cilëve ishte e domosdoshme. Ata pritën në korrridor. Dëgjuan një të shtënë të izoluar pistolete. Pas një hezitimi të shpejtë, u futën në dhomë. Hitleri shtrihej mbi divan i mbuluar në gjak. Kishte qëlluar në gojë. Edhe Eva Brauni ndodhej e vdekur mbi divan. Kishte në krah një pistoletë, por që nuk e kish përdorur. Ishte helmuar. Ishte ora 15 e 30. Pak më vonë, Artur Aksman, kreu i Hitlerjugendit (rinisë hitleriane) arriti në Bunker. Kishte mbritur shumë vonë për ceremoninë e lamtumirës, por u pranua në apartamentin privat që të shikonte kufomat. I shqyrtoi dhe u ndal në dhomë duke biseduar me Gëbelsin. Më pas gëbelsi doli dhe Aksmani mbeti për pak kohë vetëm. Jashtë, në Bunker, po përgatitej riti përfundimtar: funerali viking. Pasi e kishte çuar benzinën në kopësht, Kempka e arriti Bunkerin nëpërmjet kalimit nëntokësor që lidhte zyrën e tij në Herman Gërnigshtrase me zyrat e Kancelarisë. “Shefi vdiq!”. Me këto fjalë ai u përshëndet nga Gunshe. Pikërisht në këtë çast porta e dhomës së Hitlerit u hap, kështu që dhe Kempka mundi të asistojë në atë çka ndodhi më pas. Ndërsa Aksmani meditonte midis dy kufomave, dy njerëz të SS-ëve, njëri prej të cilëve ishte shërbëtori i Hitlerit, Linge, kishin hyrë në dhomë. E mblodhën trupin e pajetë të Fyhrerit me një kuvertë, i mbuluan kokën e përgjakur dhe e vendosën në korridor, ku vëzhgues të tjerë mund ta njihnin lehtësisht prej carapeve të tija karakteristike të errëta. Pastaj, dy oficerë të tjerë të SS-ëve e transportuan kufomën nëpër katër palët e shkallëve që të çonin në daljen e emergjencës dhe dolën në kopësht. Bormani hyri në dhomë, mori trupin e Eva Braunit (vdekja e saj kishte qenë me pak gjak, kështu që nuk kish nevojë për kuvertë) e nxori në korridor dhe ja besoi Kempkas, që nga ana e tij e çoi deri në këmbët e shkallëve. Aty ajo u mor nga Gunshe, i cili ia dorëzoi në fund një oficeri të tretë të SS-ëve, i cili e nxorri jashtë në kopësht. Për siguri më të madhe, porta tjetër që vinte në komunikim Bunkerin me Kancelarinë. Pse jo dhe protën që nga Kancelaria hapeshin mbi kopësht, qenë mbyllur me ngut, me qëllim që të shmangnin ardhjen e çfarëdo të paftuari. Por masat e ekzagjeruara nganjëherë janë të dëmshme dhe prodhojnë efekte të kundërta. Efekti i drejtpërdrejtë i këtyre qe që dy persona të paautorizuar të asistonin gjatë skenës. Erik Mansfeld, një nga rojet që ndodheshin me shërbim në kullën prej betoni në cepin e Bunkerit, në ajrin sulfuroz dhe opak kish vërejtur këto lëvizje të dyshimta njerëzish dhe dëgjuar përplasje të përsëritura dyersh. Ndjeu për detyrë të hetonte dhe zbriti nga kulla,, iu shmang cepit për të parë se çfarë po ndodhte. U ndesh kështu me një kortezh funebër që po dilte pikërisht në ato çaste. Dy oficerë SS-ë ndodheshin në krye duke transportuar një trup të mbështjellë me kuvertë, nga e cila dukeshin dy këmbë me çorape të errëta. Pasontë një oficer tjetër me një trup lehtësisht të identifikueshëm me atë të Eva Braunit dhe pastaj vinin rradhë Borman, Burgdorf, Gëbels, Gunshe, Linge dhe Kempka. Gunshe e urdhëroi Mansfeldin të largohej menjëherë dhe roja, pasi ka parë atë spektakël interesant e të ndaluar, u kthye në kullën e tij të vrojtimit. Pas kësaj ndërprerjeje, riti rifillloi përsëri, të dy kufomat u vendosën njëri përkrah tjetërit, pak larg nga portiku në të cilën hapej dalja e emergjencës. Dhe mbi ta u derdh benzina. Një bombardim rus e bëri ceremoninë më të keqe dhe të rrezikshme, kështu që të gjithë kërkuan shpëtim nën portik. Gunshe lagu me benzinë një shkop, e ndezi dh e hodhi mbi kufomat. Menjëherë ato u pushtuan nga flakët. Të pranishmit morën pozicion gatittu dhe bënë përshëndetjen e njohur hitleriane; më pas u kthyen në Bunker, ku dhe u shpërndanë. Gunshe ua përshkroi më vonë spektaklin njerëzve që nuk kishin qenë. Tha se pamja e trupit të Hitlerit që digjej kishte qenë eksperienca më e tmerrshme e jetës së tij.

Hugh Trevor-Roper ka qenë profesor i Historisë Moderne në Universitetin e Oksfordit nga viti 1957 deri më 1980.

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.