tisdag 12 juli 2016

Ne Populli


Aforizma nga Erjus Mezini
Ne populli idiotin e ngremë lart në qiell, e kthejmë në zot dhe e adhurojmë.
Ne populli të bukurën e shpallim lavire, kurse të shëmtuarën e nderojmë e i heqim kapelën, vetëm sepse nuk i druhemi si të parës.
Ne populli shtiremi më shumë, kur jemi më të dobtit. Vetmashtrimin e kemi ilaçin e fundit të frikave dhe pasigurive tona.
Ne populli me zemrat dhe shijet tona mediokre, kryemediokrët i shpallim gjeni.
Ne populli atë që mendon ndryshe nga ne e shpallim taleban dhe monstër.
Ne populli paranë e pagëzojmë jetë, kurse jetën e quajmë skllave të parasë. Ne populli krijojmë prostituta, kriminelë e përbindësha –pastaj i tregojmë me gisht, sikur të mos jenë krijesat tona.
Ne populli atë që na tregon gabimet e konsiderojmë të rrezikshëm, kur mundemi e vrasim. Ne popullin kritikat na lodhin. E vetmja lumturi për ne janë përtacia e të menduarit dhe e përkohëshmja –shpikim shumë përkohshmëri ne, që të mos mërzitemi.
Ne populli shtypjen dhe vjedhjen i konsiderojmë aftësi. Ne populli atë që na shtyp e respektojmë dhe e adhurojmë. Atë që e kemi poshtë vetes e shkelim me këmbë, derisa të ziun ta mbulojnë plehrat dhe balta –pastaj themi se nuk ekzistoi kurrë.
Ne populli preferojmë që të tjerët të lypin mëshirën tonë, e jo të jenë më mirë se ne. Ne populli e kemi më të kollajtë ta pranojmë vdekjen e dikujt sesa arritjet e tij.
Ne populli fatkeqësinë e tjetrit e kthejmë në dëfrim. E duam invalidin dhe sakatin, që t’i themi vetes se jemi të aftë. Ne populli kemi nevojë për të çmendurin. Kur nuk e gjejmë, e krijojmë një vetë, vetëm që t’i themi vetes se sa të zgjuar jemi. Ne populli të ziun e duam, “të ziun po e duam”, që t’i themi vetes se jemi të bukur.
Ne populli besojmë edhe në Zot, amen lutemi dhe inshallah, kur mbi tjetrin vetë nuk marrim dot hak. Ne populli besojmë tek drejtësia, vetëm në rastin kur jemi vetë subjekti i padrejtësisë.
Ne populli besojmë edhe tek morali, kur nuk bëjmë seks vetë nuk duam që të bëjnë seks të tjerët.
Ne populli besojmë në vlera, atë që vlen për ne në këtë moment duhet të vlejë për fëmijët, për nipërit, për stënipërit, për brezat që ikën dhe për brezat që do vijnë në çdo kohë dhe në çdo cep të globit (por edhe për ufot).
Ne populli i duam intelektin dhe artin, “jashtë mase i duam”, kur u sjellin para dhe famë atyrë që i zotërojnë.
Ne populli e duam të gjithë botën, “sa e mirë që është o zot”, kur vetë bëjmë punën e luanit. Ne populli e urrejmë botën, “për atë zot flakën do ia vëjmë”, kur veten e gjejmë në rolin e miut.
Ne populli despotizmin dhe xhelozinë i konsiderojmë dashuri. Ne populli duam të na duan të gjithë dhe ne të mos duam askënd.
Ne populli shkërdhehemi shumë, “oh sa shumë shkërdhehemi”. Po nuk e bëmë na duket sikur po vdesim.
Ne populli e duam televizorin, sytë i plasim çdo ditë, përderisa vetë nuk e gjejmë dot kuptimin e jetës.
Ne populli paguajmë fallxhorët, sepse të sotmen e urrejmë.
Ne populli ndezim qirinj tek varri, jo për shpirtin që iku por për shpirtin që do shkojë.
Ne populli i duam kafshët, “vdesim për to”, kur nuk mundemi t’i hamë. Ne populli e duam edhe qenin, qe t’i ushtrojmë diktaturë. Ne populli e duam edhe macen, kafsha themi është njëdiqnd herë më e mirë se njeriu dhe për këtë jemi njëqind përqind të sigurtë.
Ne populli jemi të lumtur, po po ashtu themi, me të na zënë një makinë trafikun na kërcejnë damarët, na nxihet fytyra, fryma na merret, teksa si të marrë ulërasim, mallkojmë perëndi, kafshë e njerëzi.
Ne populli jemi të mirë, kur nuk nevojiten sakrificat.
Ne populli e duam lirinë, detyrat tona duhet t’i kryejë dikush tjetër.
Ne populli punojmë shumë dhe e arrijmë çdo gjë vetë, kur djersa dhe gjaku i popujve të tjerë na ka ngjitur në shkallën e civilizimit.
Ne populli jemi më të zgjuar se kafshët, ato nuk dinë të ndërtojnë. Ne dimë edhe të ndërtojmë edhe të shkatërrojmë.
Ne populli jemi shumë të pasur, kur shpirtin e kemi të varfër. Ne populli jemi shumë të varfër, kur shpirtin ia kemi falur pasurisë së tjetrit.
Ne populli shumë kapardisemi, djem trima dhe vajza seksi, bëjmë sikur nuk ua varim atyre që duam të na shikojnë kur kapardisemi.
Ne populli kemi dy fytyra, atë që na i dhuron bota dhe atë, që pasi na i ka dhuruar bota neve, ia dhurojmë ne botës mbrapsht.
Ne populli e mashtrojmë veten njëzetekatër orë në ditë, shtatë ditë në javë, dhe e urrejmë çdo mashtrim që na bëjnë të tjerët, kur nuk përkon me mashtrimin që ne i bëjmë vetes.
Ne popullin frika nga vdekja na bën që ta marrim jetën me vrap, e ta mbarojmë shpejt.
Ne populli jemi shumë të arsyetueshëm, çdo njeri një kauzë me vete, çdo kauzë një përpjekje për t’u imponuar më shumë, herë me argument e herë me dhunë. Kur arsyeja e njërit mbikëqyr arsyet e të tjerëve, të gjithë e kuptojmë që duhet të krijojmë arsye të reja. Secili krijon sërish arsyen e tij, bëhemi të arsyetueshëm sërish, përpjekje prapë, luftë nga e para, në pafundësinë e arsyeve.
Ne populli mundemi ta ndiejmë tjetrin, mjafton që askush të mos e ndiejë dhimbjen tonë.
Ne populli e duam jetën. Aq shumë e duam jetën tonë ne, sa jeta e tjetrit nuk na shkon fare në mendje.
Ne populli jemi të veçantë. Prandaj kemi shpikur stile flokësh, lloje veshjesh, skuadra futbolli, parti, shoqata, kombe dhe identitete. Kur të gjitha etiketat i kombinojmë në çdo mënyrë të mundshme, ne bëhemi tepër të veçantë.
Ne populli besojmë se zotërimi është sinonim i shkatërrimit. Dikur na mësuan se Toka i përkiste Zotit dhe ne trembeshim se ai do na shkatërronte. Si e pamë se Zoti nuk na shkatërroi, atëhere e kuptuam se ishim vetë zoti dhe filluam ta shkatërronim ne Tokën. Tani që Toka ka filluar të na i kthejë shkatërrimin, nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse të vazhdojmë shkatërrimin të dy palët, që të vendoset më në fund se kush është zoti.
Ne populli atë që na jepet apo e gjejmë në rrugë themi se është e jona, ne e krijuam, neve na përkiste gjithmonë. Ashtu bëjmë edhe me jetën. Na dhimbset e gjora sikur të ketë qenë gjithmonë e jona, sikur ta kemi bërë vetë, dhe jo sikur të jetë diçka që na e dhanë dhe na e bënë të tjerët.
Ne populli besojmë tek drejtësia sociale. Shumica që e do lekun dhe nuk ia arrin qëllimit themi se ka të drejtë, pakica që e do lekun dhe ia arrin qëllimit themi se e ka gabim. Pakica duhet të kthehet mbrapsht tek shumica dhe ta kërkojë lekun nga e para.
Ne populli e vlerësojmë muzikën. Sa del një këngë themi që është më e mira në botë, e dëgjojmë njëzet e katër orë në ditë, qajmë, themi se si ajo këngë nuk ka. Të njëjtën gjë e përsërisim me këngën që do dali nesër.
Ne populli natyrës i themi hale, kurse halesë natyrë.

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.