fredag 15 juli 2016

Mendja – Pengesa më e madhe drejt ndriçimit


Ti nuk je mendja jote
Shkëputur nga
Eckhart Tolle – Fuqia e Tanishmërisë
Udhërrëfyes drejt ndriçimit shpirtëror

Ndriçimi – çfarë është?
Një lypsar ulej prej 30 vjetësh ndanë rrugës. Një i panjohur kalon pranë dhe lypësi i thotë “Më fal ndonjë të thyer!” duke i zgjatur kapelën e vjetër të bejsbollit. “S’kam ç’të të jap!” ia kthen i huaji, dhe vazhdoi. “Ku je ulur ashtu?” “Hiç, i përgjigjet lypësi, veç një kuti e vjetër. Nuk mbaj mend qyshkur jam ulur mbi të!” “A i ke hedhur ndonjëherë sytë brenda? e pyeti i huaji. “Jo, lypësi, e ç‘kuptim ka, bosh duhet të jetë!” I huaji këmbënguli që të shikonte brenda kutisë dhe lypësit iu mbush mendja të shqyente kapakun. I habitur, mosbesues e me ngazëllim zbuloi se kutia ishte plot me flori.
Unë jam ai i huaji që nuk kam ç’të të jap e po të them të shohësh përbrenda. Jo brenda ndonjë sënduku, si në parabolë, por diku më afër: brenda vetes.
Dhe ti ma kthen “Por unë nuk jam ai lypësi!”
Ata që nuk kanë gjetur pasurinë e tyre të vërtetë, e cila është hareja llamburitëse e Qenies dhe qetësia e thellë e palëkundshme që ajo sjell, ngelen lypsarë, qofshin pasanikë të mëdhenj. Këta gjithmonë kërkojnë jashtë për hedhurina kënaqësie apo përmbushje, miratim, siguri apo dashuri, kur kanë një thesar të tillë përbrenda, i cili jo vetëm përfshin gjithato gjëra, por është edhe më i madh se gjithçka që mund të ofrojë bota.
Fjala ndriçim ndjell idenë e ndonjë mjeshtërie mbinjerëzore, dhe egos i vjen përmbarë ta shohë ashtu, por është thjesht e vetëm gjendja jote e natyrshme e të qenit pa ndarë prej Qenies. Është gjendja e bashkëlidhjes me diçka të pamatshme e të pashkatërrueshme, diçka që, pothuajse në mënyrë paradoksale, je thelbësisht ti e njëherësh më shumë se ti. Është zbulimi i natyrë sate të vërtetë përtej emrit e formës. Paaftësia për të ndjerë këtë bashkëlidhje i jep jetë iluzionit të veçimit, prej vetes e botës rrotull teje. Prandaj e percepton veten, paditur apo vetëdijshëm, si një fragment të copëzuar. Lind frika dhe lufta e brendshme e periferike, e cila bëhet e zakonshme.
Më pëlqen përcaktimi i thjeshtë i Budës për ndriçimin si “fund vuajtjesh”. Nuk ka gjë mbinjerëzore në të, apo jo! Sigurisht, si përcaktim nuk është i plotë, sepse të thotë vetëm se çfarë nuk është ndriçimi: jo vuajtje. Epo, çfarë ngelet kur nuk më vuajtje? Buda hesht për këtë dhe heshtja e tij nënkupton se duhet ta gjesh vetë. Ai përdor një përcaktim negativ në mënyrë që mendja të mos kapet në diçka për të ndjekur apo pas një përkryerje mbinjerëzore, një qëllim i mundshëm ku mbërrihet. E, pavarësisht këtij kujdesi, shumica e budistëve ende beson se ndriçimi është për Budën, jo për ta, të paktën në këtë jetë.
Ti përdore fjalën Qenie. Na shpjegoni çfarë kupton me këtë?
Qenia është Jeta e Vetme, e përjetshme dhe e përhershme, përtej formave të panumërta jetësore, të cilat janë subjekt i jetëvdekjes. Gjithashtu, Qenia nuk është vetëm përtej, por edhe thellësisht përfshirë brenda çdo forme jete si thelbi i padukshëm e i pashkatërrueshëm i tyre. Kjo do të thotë që është tashmë brenda teje si vetja jote më thellësore, natyra jote e vërtetë. Por, por, mos u përpiqni ta rrokni me mendje. Mos u përpiqni ta kuptoni. Mund ta njihni vetëm në heshtjen e mendjes. Kur jeni të pranishëm, kur vëmendja juaj është plotësisht e gjallërisht në Tanishmëri, atëherë ndihet Qenia, por s’mund të kuptohet kurrë mendërisht. Rimbërritja në vetëdijshmërinë e Qenies dhe prehja në atë gjendje të “ndjesi-perceptimit” është ndriçim.
Kur thua Qenie, po flet për Zotin? Nëse po, pse nuk e shqipton?
Fjala Zot është boshatisur prej gjithë kuptimeve nëpër mijëra vjet keqpërdorimi. E përdor ndonjëherë, por me masë. Kur them keqpërdorim, flas për njerëz, që s’kanë as pikën e mbretërisë së shenjtë, përherjen e pafundme përtej asaj fjale, e përdorin me bindje të madhe, sikur ta dinë se për çfarë po flasin. Ose argumentojnë kundër, sikur ta dinë se çfarë po mohojnë. Ky keqpërdorim ngre besime absurde, pohime e zhgënjime vetjake, siç janë “Zoti im ose yni është i vetmi Zot i vërtetë dhe Zoti yt është i gënjeshtërt”, ose formulimin e famshëm të Niçes “Zoti vdiq”.
Fjala Zot është bërë një koncept i mbyllur. Çastin që shprehet fjala, krijohet një imazh mendor, mbase jo më i një plaku mjekërbardhë, por ende një përfaqësim mendor i dikujt a diçkaje jashtë teje, dhe dihet, pothuajse gjithmonë i një mashkulli apo gjëje mashkullore. As fjala Qenie as Zot, apo tjetër fjalë, s’mund të shpjegojë apo përcaktojë realitetin e parrëfyeshëm përtej fjalës, prandaj e vetmja pyetje që ia vlen është nëse fjala është ndihmë apo pengesë në mundësinë tënde për të provuar Atë, ku tregohet me gisht. A drejtohet përtej vetes në atë realitet përtejshmërie, apo i jep vetes kollaj të bëhet jo më shumë se një ide në kokën tënde, ku ti beson, një idhull mendor?
Fjala Qenie nuk shpjegon gjë, por as ajo Zot. Qenia, sidoqoftë, ka përparësinë të jetë një koncept i hapur. Nuk kufizon padukshmërinë e pakufishme në entitet të fundmë. Është pamundësi formimi i një krijimi të tillë mendor. Askush nuk deklaron zotërim të veçantë të Qenies. Është vetë thelbi yt, dhe është i arritshëm menjëherë për ty si ndjesi e vetë pranisë sate, ndërgjegjësimi i Unë Jam, para të qenit “unë jam kjo apo diçka tjetër”. Pra, është vetëm një hap i vogël nga fjala Qenie deri në përvojën e Qenies.
Cila është pengesa më e madhe për të përjetuar këtë realitet?
Identifikimi me mendjen tënde, i cili bën që ky mendim të bëhet detyrues, fiksim. Paaftësia për të ndalur të menduarin është e keqe e frikshme, por nuk e kuptojmë këtë sepse pothuajse të gjithë vuajnë prej kësaj dhe quhet diçka e zakonshme. Kjo zhurmë e pareshtur mendore të pengon drejt gjetjes së asaj fushe qetësie brendësore, e cila është e pandashme nga Qenia. Gjithashtu, krijon një vete të rreme mendore, që bën hije frike e vuajtjesh.
Filozofi Descartes besonte se gjeti të vërtetën më thelbësore kur bëri formulimin e tij të famshëm: “Mendoj, pra jam!” Ai, në fakt, shprehu gabimin më të thellë: barazimi i të menduarit me Qenien dhe identitetin me të menduarin. Mendimtari i pandreqshëm dhe i fiksuar, domethënë pothuajse të gjithë, jeton në gjendje ndasie të dukshme , në një botë të përbërë marrëzisht prej problemesh e konfliktesh të vazhdueshme, një botë që pasqyron copëzimin përherë në rritje të mendjes.
Ndriçimi është gjendje plotshmërie, të qenit “në një” dhe në paqe, njësh me jetën, në aspektin e saj të manifestuar, të shfaqur, bota, siç është me veten tënde më të thellë dhe jetën e pamanifestuar – njësh me Qenien. Ndriçimi nuk është vetëm fundi i vuajtjeve dhe luftës së vazhdueshme brenda e jashtë, por gjithashtu fundi i skllavërisë së llahtarshme të të menduarit papushim. Eh, çfarë çlirimi është ky!
Identifikimi i me mendjen krijon një ekran të errët ky është mashtrimi. Mjeti të ka marrë nën kontroll.
Nuk jam dakord. E vërtetë që unë mendoj sa të duash pa qëllim, si të gjithë, por unë mund të zgjedh përdorimin e mendjes për të përmbushur diçka, dhe e bëj këtë gjithë kohën.
Vetëm se ti zgjidh një fjalëkryq apo ndërton një bombë atomike nuk do të thotë se po përdor mendjen tënde. Siç përtyp gjithë qejf qeni kocka, mendja kënaqet kur mpreh dhëmbët në halle të ndryshme. Prandaj zgjidh fjalëkryqe e ndërton bomba atomike. Nuk ju intereson asnjëra as tjetra. Po t’ju pyes unë: a mund të çlironi mendjen kurdo që të keni qejf? A e keni gjetur butonin “Ndal”?
Po thua të ndal të menduarit krejtësisht? Jo, s’mundem, përveçse një apo dy çastesh.
Pra, mendja po të shfrytëzon. Ti identifikohesh vetëdijshëm me të, dhe as që kupton se je skllavi i saj. Është sikur je pushtuar pa e ditur dhe e merr entitetin zotërues si veten tënde. Fillimi i lirisë është të kuptuarit se ti nuk je pushtuesi – mendimtari. Të diturit e kësaj të bën të zotin ta vëzhgosh entitetin. Në çastin që fillon të shohësh mendimtarin, një nivel më i lartë vetëdijeje hyn në veprim. Pastaj fillon të kuptosh se ka një fushë të pamatë inteligjence përtej mendimit, se mendimi është vetëm një aspekt i vockël i asaj inteligjence. Kupton gjithashtu se gjithë gjërat vërtet të rëndësishme – bukuria, dashuria, krijimtaria, hareja, paqja e brendshme – vijnë nga përtej mendjes. E fillon të zgjohesh.
A nuk është thelbësor të menduarit, që të mbijetohet në këtë botë?
Mendja jote është një mjet, instrument. Duhet përdorur për çështje specifike, dhe, kur puna kryhet, lëre mënjan. Kështu siç është, them se 80-90 % e të mendimeve të njerëzve është jo vetëm ripërsëritës e pa dobi, por edhe i dëmshëm për shkak të natyrës negative e keqfunksionale. Vëzhgojeni mendjen tuaj dhe do ta kuptoni se është e vërtetë. Shkakton një humbje serioze energjish jetësore. Ky lloj të menduari maniakal është në fakt fiksim. E çfarë e shkakton? Thjesht kjo: ti nuk ndjen se ke zgjidhje të ndalesh. Është më e fortë se ty d he të jep një ndjenjë të rreme kënaqësie, e cila kthehet vazhdimisht në dhimbje.
Pse fiksohemi pas gjërave?
Sepse identifikoheni me to, që do të thotë se ndjesia e vetes ju buron nga përmbajtja dhe veprimtaria e mendjes. Sepse besoni se do të merrni fund nëse do të ndalni të menduarit. Ndërsa rriteni, formoni një imazh mendor se çfarë jeni, bazuar në kushtëzimet personale e kulturore. Mund ta quajmë ego këtë fantazmë vetjake. Përbëhet prej veprimtarie mendore dhe mund të gjallojë vetëm përmes të menduarit të përhershëm. Termi ego nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, por këtu po e përdor si vete të gënjeshtërt, krijuar prej identifikimit të pavetëdijshëm me mendjen.
Për egon, e tashmja pothuajse nuk ekziston, vetëm e shkuara dhe e ardhmja merren si të rëndësishme. Kjo kokakëmbthi e së vërtetës i leverdis egos për faktin se mendja është keqfunksionale. Gjithmonë shqetësohet për mbajtjen gjallë së të shkuarës, sepse pa të – kush je ti? Projekton vazhdimisht veten në të ardhme për të siguruar mbijetesën e kërkuar ndonjë lloj lehtësimi a përmbushjeje atje. Thotë: “Një ditë, kur kjo, ajo apo tjera të ndodhë, do të jem në rregull, në paqe e lumturi!” Edhe kur duket se egoja merret me të tashmen, nuk është realisht aty: e keqkupton plotësisht sepse e sheh me sytë e së shkuarës. Ose e rrudh të tashmen si mjet për një qëllim, i cili shtrihet gjithmonë në projektet mendore të ardhme. Vëzhgojeni mendjen tuaj dhe do të kuptoni sesi funksionon kjo. Çasti i tashëm përmban çelësin e çlirimit. Por nuk do ta gjeni të tashmen për sa kohë jeni mendja juaj.
Nuk dua ta humb aftësinë e analizimit e dallimit. Nuk do të isha kundër të menduarit më qartë, të përqendruar, por nuk dua ta humb mendjen. Bekimi i të menduarit është gjëja më e çmuar që kemi. Pa të do të ishim thjesht një lloj tjetër kafshe.
Epërsia mendore është vetëm një shkallë në evolucionin e vetëdijes. Ne duhet të lëvizim një shkallë më lart tani për çështje të ngutshme; përndryshe do të shkatërrohemi prej mendjes, e cila është kthyer në një përbindësh të llahtarshëm. Të menduarit dhe vetëdija nuk janë sinonime. Mendimi është vetëm aspekt i vockël i ndërgjegjes. Mendimi nuk mund të jetë pa vetëdijen, por vetëdija nuk ka nevojë për të menduarit.
Ndriçim do të thotë ngritje mbi të menduarit, jo kthimi prapa në një gradë poshtë mendimit, në sferën e një kafshe apo bime. Në përndritje mund të përdorësh mendjen kur duhet, por në mënyrë më të përqendruar e të dobishme se përpara. E përdor më së shumti në çështje praktike, por lirisht prej dialogut brendësor të pavullnetshëm, dhe aty është heshtja e brendshme. Kur ti e përdor mendjen, sidomos për zgjidhje krijuese, lëkundesh për minuta të tëra mes të menduarit e qetësisë, mes mendjes e jomendjes. Jomendja është vetëdije pa të menduarit. Vetëm ashtu është e mundur të mendohet në mënyrë krijuese, pasi vetëm ashtu ka mendimi fuqi reale. Vetëm të menduarit, kur nuk lidhet me mbretërinë e pamatë të vetëdijes, bëhet shpejt barrë, çmenduri, shkatërrim.
Mendja është në thelb një makinë mbijetuese. Sulmi e mbrojtja kundër mendjeve të tjera, mbledhja, magazinimi e analizimi i të dhënave – për këtë është e mirë, por nuk është aspak krijimtari.
Gjithë artistët e vërtetë, me dijen e tyre ose jo, krijojnë prej një vendi jomendor, prej heshtjes brendësore. Më pas mendja i jep formë shtysës krijuese ose mprehtësisë. Edhe shkencëtarët e mëdhenj pranojnë se zbulimet e tyre u erdhën në kohë qetësie mendore. Prandaj mund të them se arsyeja e thjeshtë pse shumica e shkencëtarëve e artistëve nuk janë krijues është sepse nuk dinë si të mendojnë, apo më mirë nuk dinë si të ndalin të menduarit!
Mrekullia e jetës në tokë apo trupat tanë nuk u krijuan prej mendjes e të menduarit. Sigurisht ka një inteligjencë, shumë më e madhe se mendja.
Ti përmende frikën si pjesë të dhimbjes emocionale thelbësore. Si lind frika dhe pse ka kaq shumë frikë në jetët tona? Dhe, a është vetëmbrojtje një pjesëz frike? Nëse s’kam frikë prej zjarrit mund të vë dorën në të dhe digjem.
Arsyeja pse nuk fut dorën në zjarr nuk është se ke frikë, por e di se digjesh. Nuk ke nevojë për frikë të shmangësh rreziqe të panevojshme – vetëm pakëz inteligjencë e ndjesi të zakonshme. Mjafton të vësh në punë mësimet e së kaluarës. Pra, nëse dikush të kërcënon me zjarr apo dhunë fizike, mund të provosh diçka si frikë. Ky është një ndruajtje instiktive nga rreziku, por jo kushtëzimi psikologjik i frikës që po flasim këtu. Kushti psikologjik i frikës ndahet nga çdo lloj I vërtetë e konkret rreziku të njëmendshëm. Vjen në forma të ndryshme: shqetësim, ankth, siklet, nervozizëm, tension, tmerr, fobi e të tjera. Kjo lloj frike psikologjike është gjithmonë për diçka që mund të ndodhë, jo prej diçkaje që po ndodh tani. Ti je këtu e tani, ndërsa mendja jote në të ardhmen. Kjo krijon ankth e zbrazëti. E, nëse identifikohesh me mendjen dhe ke humbur lidhjen me fuqinë e thjeshtësinë e së tashmes, ajo zbrazëtirë ankthi do të ngelet vazhdimisht shoqëruesi yt. Mund të përballësh me çastin e tashëm, por jo me atë që është vetëm një projektim mendor – nuk përballesh dot me të ardhmen.
Për më shumë, përsa kohë identifikohesh me mendjen tënde, egoja të nxin jetën, siç thashë edhe më parë. Sepse, për shkak të natyrës së saj fantazmagorike, e, pavarësisht mekanizmave të zhvilluar mbrojtës, egoja është tepër e lëndueshme dhe e pasigurt, duke e parë veten gjithmonë në rrezik. Kjo, meqë ra fjala, është edhe në rastin kur egoja shfaqet së jashtmi tepër e sigurt në vetvete. Mbani mend se një emocion është ndërveprimi i trupit ndaj mendjes suaj. Çfarë mesazhi merr trupi gjithë kohën prej egos, të rremes, vetes së vetëmenduar? Rrezik, unë jam në rrezik! Dhe çfarë emocioni ngjallet nga ky mesazh i vazhdueshëm? Frikë, kuptohet!
Frika duket se ka shumë shkaqe: prej humbjes, dështimit, lëndimit e kështu me radhë, por, përfundimisht, gjithë frika është ajo e egos prej vdekjes, shkatërrimit. Për egon vdekja është gjithmonë pas qoshes. Në këtë gjendje mendjeidentifikuese, frika prej vdekjes prek çdo aspekt të të jetës sate. Për shembull, edhe një diskutim i thjeshtë për të qenë I saktë e t’I ndërrosh mendjen tjetrit, duke treguar se ke të drejtë – mbrojtja e pozicionit mendor me të cilin identifikohesh – bëhet prej frikës nga vdekja. Nëse identifikohesh me një pozicion mendor, e më pas gabohesh, ndjenja vetjake mendjebazuar kërcënohet seriozisht me asgjësim. Pra, ti si ego nuk ta mban të jesh gabuar. Të gabosh është vdekje. Luftëra janë bërë për këtë e lidhje të panumërta janë shkatërruar.
Kur je ç’njëjtësuar prej mendjes sate, edhe nëse je gabim, nuk ka dallim për veten aspak, dhe nevoja e pavetëdijshme e ngutshmërisë për të pasur të drejtë, e cila është një lloj dhune, nuk do të jetë më. Mund të deklarosh qartë e thjesht çfarë ndjen apo mendon, por pa armiqësi apo mbrojtje. Ndjesia e vetes rrjedh nga një vend më i thellë e i vërtetë brenda vetes, jo prej mendjes.
Ruaju prej ndonjë lloj mbrojtjeje brenda vetes. Çfarë po mbron? Një identitet të gënjeshtërt, një imazh në mendjen tënde, një entitet imagjinar. Duke e bërë këtë model të vetëdijshëm, duke e dëshmuar, fillon të mos identifikohesh më me të. Në dritën e vetëdijes sate, modeli i pandërgjegjshëm do të shpërbëhet shumë shpejt. Ky është fundi i çdo diskutimi e lojërave të forcës, të cilat janë kaq gërryese për marrëdhëniet. Fuqia mbi të tjerët është dobësi e maskuar si fuqi. Forca e vërtetë ndodhet përbrenda dhe e gatshme për ty që tani. Pra, kushdo që identifikohet me mendjen e vet e, paskëtaj, shkëputet nga fuqia e vërtetë, vetvetja e thellë bazuar në Qenie, do të ketë frikën si partner të përhershëm. Numri i njerëzve që kanë shkuar përtej mendjes është tepër, tepër i vogël, prandaj merreni të mirëqenë se këdo që shihni apo takoni jeton në gjendje frike. Ndryshon vetëm ngjyrimi i saj. Luhatet mes ankthit e tmerrit nga njëra anë dhe shqetësimit të mjegullt e ndjesisë së largët ndaj tjetrit. Shumica vetëdijësohen për të vetëm kur frika merr format e saj më të skajshme.
Ndiej se kam nevojë të madhe të mësoj për punët e mendjes sime para se t’i afrohem paksa vetëdijësimit të plotë apo ndriçimit shpirtëror.
Jo, nuk ke nevojë. Problemet e mendjes nuk mund të zgjidhen në nivelet e mendjes. Kur të kesh kuptuar keqfunksionimin themelor, nuk ka ç’të mësosh apo kuptosh kushediseçfarë. Studimi i ndërlikimeve të mendjes mund të të bëjë psikolog të mirë, por kjo nuk të çon përtej mendjes, ashtu siç nuk sjell mençuri studimi i çmendurisë. Ti ke kuptuar tashmë bazat e gjendjes së pavetëdijshme: identifikim me mendjen, e cila krijon një vete të rreme, egon, si një zëvendësues për veten e vërtetë rrënjosur në Qenie. Bëhesh si “degë e prerë nga hardhia” siç thotë Jeshua.
Nevojat e egos janë pa fund. Ndihet e lëndueshme, e kërcënuar dhe jeton në gjendje frike e dëshirimi. Kur di sesi është puna e keqfunksionimit, nuk ka nevojë për të mësuar gjithë shfaqjet e saj të panumërta, pa nevojën për ta bërë problem personal të koklavitur. Egoja, sigurisht, rend pas tyre. Gjithmonë kërkon për diçka ku të bashkëngjitet për të forcuar ndenjën e vetes së gënjeshtërt dhe do të ngjitet menjëherë pas problemeve të tua. Prandaj për shumë njerëz një pjesë e madhe e vetes së tyre lidhet ngushtë me problemet e tyre. Pasi ndodh kjo, gjëja e fundit që duan është të çlirohen prej tyre; kjo do të thotë humbje e vetes. Ka një investim të madh e të egos së pavetëdijshme në dhimbje e vuajtje. Pra, kur njihni rrënjën e së pandërgjegjshmes si identifikim me mendjen, e cila sigurisht përfshin emocionet, filloni të dilni prej saj. Bëheni të pranishëm. Kur jeni të pranishëm, mund të lejoni mendjen të jetë ashtu siç është pa u korkolepsur në të. Vetë mendja është keqfunksionale. Është mjet i mrekullueshëm. E keqja vjen kur ti kërkon veten në të dhe e ngatërron veten me të. Atëherë bëhet mendja egoike dhe të merr jetën në dorë.
A nuk janë reale e shkuara dhe ardhmja, ndonjëherë më reale se e tashmeja? Fundja, e shkuara vendos kush jemi, ashtu siç dallohemi e sillemi në të tashmen. Dhe syminet tona të të ardhme përcaktojnë veprimet që marrim tash.
Nuk kuptove asgjë ç’kam thënë deri tani, sepse përpiqesh ta kuptosh mendërisht. Mendja s’mund ta kuptojë këtë. Vetëm ti mundesh. Të lutem, dëgjo. A ke provuar ndonjëherë, bërë, menduar, apo ndjerë diçka jashtë së Tashmes? Mendon se e ke bërë ndonjëherë? Përgjigja dihet, apo jo? Asgjë nuk ka ndodhur kurrë në të shkuarën; ndodhi në të Tashmen. Asgjë nuk do të ndodhë kurrë në të ardhmen; do të ndodhë në të Tashmen. Ajo që ti mendon si të shkuar është gjurmë kujtimore, rezervuar në mendje, një ish Tanishmëri. Kur kujton të shkuarën riaktivizon një gjurmë kujtese – këtë po bën edhe tani. E ardhmja është një Tash e imagjinuar, projektim i mendjes. Kur e ardhmja vjen, vjen si e Tashme. Kur mendon për të ardhmen, e bën tani. E shkuara dhe e ardhmja dukshëm nuk kanë realitet të tyren. Siç nuk ka hëna dritë të vetën, por vetëm pasqyron dritën e diellit, ashtu janë edhe e shkuara dhe e ardhmja pasqyrime të vagullta të dritës, fuqisë dhe realitetit të pranisë së përjetshme. Realiteti i tyre “huazohet” nga Tash. Thelbi i çfarë po them nuk mund të kuptohet prej mendjes. Në çastin që ti e rrok ka një zhvendosje të vetëdijes nga mendja drejt Qenies, nga koha në prani, Tanishmëri. Papritur, çdo gjë merr jetë, rrezaton energji, buron Qenie.
Përzgjodhi e përktheu Arben Orhani

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.