måndag 11 juli 2016

"Shqisa e gjashtë" ekziston vërtetë

Screen Shot 2016-07-05 at 09.02.18Megjithatë, shkenca pëlqen ta etiketojë atë si intuitë. Nuk ka të bëjë aspak me parandenjat magjike dhe as me perceptimte jashtëshqisore, por është rezultat i përvojës tashmë të fituar
Sa herë ka ndodhur të mendojmë mbi një person, për të cilin nuk kishim dëgjuar prej një kohe të gjatë dhe që papritmas bëhet i gjallë? Apo të përballojmë një punë me një parandjenjë mbi rezultatin e saj? Herë të tjera mjafton vetëm t’i shtërngosh duart një personi që sapo e ke njohur, për t’u gjendur shpesh në të njëjtën gjatësi vale, apo anasjelltas, të ndihesh i distancuar nga një ndjenjë negative.
E quajnë “shqisa e gjashtë”, një lloj instinkti që drejton në mënyrë të pandërgjegjshme veprimet tona. Të tjerët, e përcaktojnë si intuitë, një zgjedhje e menjëhershme që të çon drejt vendimeve instiktive, pa arsyetuar apo përpunuar dijet që kemi në dispozicion. Karl Gustav Jung, një dishepull i Sigmund Frojdit, argumentoi se ekziston një “forcë jetike” superiore ndaj ndërgjegjes.
Sot, një grup shkencëtarësh në Universitetin e Uashingtonit në St Louis (SHBA) do të kishte identifikuar vendin:”shqisa e gjashtë” ndodhet në lëvoren ballore të trurit, një zonë që gjendet në mes të dy hemisferave të trurit, dhe që konsiderohet si pikë takimi mes arsyes dhe emocioneve dhe si e tillë, përgjegjëse për arsyetimin dhe zgjedhjet më të vështira.
Zbulimi, i publikuar në revistën amerikane “Science”, zbuloi se aty ndodhet një mekanizëm i sofikstikuar i pandërgjegjshëm, që na nxit të modifikojmë sjelljet tona, duke deshifruar sinjalet që vijnë nga mjedisi që na rrethon. Në thelb bëhet fjalë për një mekanizëm vetë-mbrojtës, që ka për qëllim të na mbrojë nga çdo rrezik.
E ardhmja përmes të shkuarës
“Nëpërmjet përvojës zhvillojmë aftësinë për të lexuar dhe interpretuar realitetin rreth nesh, si dhe për të zbuluar situatat, të cilat nuk janë të njohura për ne dhe që mund të na vënë në rrezik”- thotë Ticiano Agostini, profesor i Metodologjisë Kërkimore Psikologjike në Universitetin e Triestes. “Megjithatë, kur flitet për “shqisën e gjashtë”, ka një kontradiktë termash, duke qenë se ne jemi të pajisur me 5 shqisa. Ato na mundësojnë mbledhen e informacionit nga mjedisi rrethues, të cilat më pas ripërpunohen nga truri, bazuar në përvojën tonë personale në një kontekst të caktuar”.
Një nga rastet më të shpeshta ndodh në qytet:sa herë na ka ndodhur të kthehemi në cepin e një rruge që na dukej e sigurtë,e dhe kur në fakt në vend të saj provojmë një frikë të brendshme sikur të ekzistonte një rrezik i fshehur? “Nuk bëhet fjalë për një aftësi jashtëshqisore që na lejon të parashikojmë të ardhmen, por për një mekanizëm të pavetëdijshëm që risjell përvojat tona të kaluara – në këtë rast, në kontekstin urban – dhe i integron ato me informacionin që marrim nga organi shqisor (përdorimi i asaj rruge, aspekti urbanistik, ndriçimi, shumë qetësi në mes të ditës etj)”, vazhdon Agustiniani. “Kësisoj, mekanizmi zbulon menjëherë nëse diçka nuk funksionon, pa patur nevojë të aktivizohet vetëdija se ajo situatë është potencialisht e rrezikshme”.
Natyrisht, ky mekanizëm ka të bëjë me mjedisin në të cilin jetojmë dhe që ne e njohim:në rrethana të tjera s’do të funksiononte me të njëjtin efikasitet. Në të njëjtin përfundim pati mbërritur më herët edhe Shoqata Britanike për Përparimin e Shkencës, e cila pas shumë eksperimenteve e kishte përcaktuar “shqisën e gjashtë” si një formë të vetë-mbrojtjes, e cila daton nga e shkaluara e njerëzve primitivë, kur pikasja në kohë e pranisë së një grabitqari ishte një çështje për jeta a vdekje. “Organet tona shqisore dhe mënyra jonë e të menduarit, kanë evoluar në ambjente specifike”- thotë eksperti “aq sa edhe sot në mënyrë të pandërgjegjshme ne i perceptojnë si të rrezikshme disa forma. Për shembull, alarmohemi para një forme, e cila të kujton një merimangë apo një gjarpër”.
Diçka më shumë se logjika
Në të shkuarën, koncepti i inteligjencës ishte i lidhur kryesisht me logjikën dhe racionalitetin. Megjithatë tashmë ai ka fituar një dimension të ri, dhe hyn në lojë në detyra më të mëdha, duke përfshirë edhe zgjidhjen e problemeve emocionale ose ndërpersonale. Ky skenar ka prodhuar një ndryshim radikal në mënyrën se si ne mendojmë dhe marrim vendime “të brendshme”.
Përkundër besimeve të së kaluarës, kur mendohej se për të marrë vendimin e duhur ishte e domosdoshme të reflektohej me kujdes dhe analizoheshin të gjithë elementët e një situate, kjo valorizon inteligjencën tonë intiutive. Pikërisht intituita, që shumëkush e përcakton në mënyrë të gabuar si “shqisa e gjashtë”, na lejon në fakt të vlerësojmë situatat e çdo lloji shumë shpejt, pa i analizuar më parë, duke shmangur që truri të kalojë në ngërç, për shkak të informacionit të tepërt dhe të mos qënit në gjendje për të marrë një vendim.
“Kjo qasje e bazuar tek intuita është përcaktuar si “procedimi deduktiv mendor”- shpjegon profesor Agostini, “aty ku deduktivja është një qasje intuitive ndaj problemeve, që ka të bëjë me daljen nga e pandërgjegjshmja të njohurive dhe përvojave të ruajtura ndër vite në situata të ndryshme, në mënyrë që të sigurojnë udhëzimet më të përshtatshme se si të sillemi në raste të ngjashme”.
Por ku ndodh e gjitha kjo në nivelin e sistemit nervor? Inteligjenca intuitive është e bazuar në sistemin limbik, një pjesë shumë e lashtë e trurit tonë që merret me stimujt mjedisorë. Të ballafaquar me një situatë të rrezikshme apo që kërkon një zgjidhje të menjëhershme, sistemi limbik thërret një seri imazhesh të ngjashme, me përvoja të ngjashme të jetuara në të kaluarën, të lidhura me emocione pozitive apo negative. Shpjegon kështu ndjenjat e brendshme – që mund të jenë pozitive ose negative në varësi të emocioneve të shkaktuara – ajo që na çon në vendimin e duhur në momente vendimtare. Nuk ka nëvojë të theksohet se s’ka të bëjë aspak me të ashtuquajturat “perceptime jashtëshqisore”.
Antipati që në shikimin e parë
Rikthehemi tek ndjenja e brendshme e simpatisë ose antipatisë përkundrejt një personi që sapo e kemi njohur. Ajo që na ofron një pamje të atij që ndodhet para nesh është inteligjenca emocionale, që nga ana e vet është e lidhur në mënyrë të pandërgjegjshme me përvojat tona të kaluara. “Gjendemi përballë një personi që na ngjan, por që në realitet është shumë i ndryshëm nga ne dhe që ka një sistem njohës si i yni që nga ana e tij na percepton”- nënvizon Ticiano Agostini.
“Për të lexuar atë që kemi përballemi, ne përdorim organet shqisore:përshtypja e parë na jepet nga shikimi i parë, por ndodh shpesh që një person i cili nuk na pëlqen nga pamja fizike të fillojë të behet më i pranueshëm kur fillon flasë me një zë të butë dhe qetësues, duke kundërshtuar përshtypjen tonë të parë”. Po aromat?
“Ne nënvlerësojnë rëndësinë e tyre, pasi kemi pak vetëdije mbi to”- përgjigjet specialisti. “E megjithatë, aroma në mënyrë të pavetëdijshme zbulon informacione të rëndësishëm mbi tjetrin dhe qëllimet e tij. Ajo na tregon për shembull, nëse jemi duke sekretuar adrenalinë, hormon i lidhur me frikën dhe agresivitetin, në vend të feromoneve, kimikate që shkaktojnë tërheqjen seksuale”.
Sa për kodet e sjelljes, një person na pëlqen apo jo në varësi të përvojave tona të kaluara me individë të ngjashëm që kemi hasur në jetën tonë, dhe që i ripërpunojmë duke i lënë të ringrihen nga e përndërgjegjshmja. Natyrisht, koncepti vlen vetëm për kontekstin tonë gjeografiko-kulturor. Marrim për shembull shtrëngimin e duarve me një person:është e vërtetë që na jep të dhëna të rëndësishme, por nëse do të takonim një japonez me kode sjelljeje të ndryshme nga e jona, të cilat nuk e parashikojnë këtë lloj përshëndetje, dhe që vetëm kohët e fundit kanë mësuar të shtërngojë duart si ne perëndimorët, do të ishim tërësisht të hutuar për shkak se informacioni që do merrnim s’do të qe aspak e qartë. Ose madje edhe mund të mos ketë fare informacion.bota.al

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.