tisdag 21 juni 2016

Me të meta fizike, por vendimtarë në histori

  

“Paaftësia është shumë shpesh e imagjinuar si sinonim i të qenët i panevojshëm. Kur gjen dikë si Dandolo, atëherë ata përfitojnë një lloj statusi nderi dhe paaftësia fizike injorohet tërësisht. Në rast se janë kaq të suksesshëm, atëherë imagjinohet se është e pamundur që të kenë paaftësi. Në këtë aspekt, identiteti i tyre nuk priorizohet”
Perandoria Bizantine shumë shpesh i verbonte perandorët e rrëzuar me besimin se kjo paaftësi do t’i ndalonte ata të rimerrnin pushtetin. Megjithatë kjo perandori në fund u shkatërrua nga një armik i verbër
Mund të ndihesh disi i çuditshëm po të pyesësh Stevie Wonder se “si të ka penguar aftësia juaj e kufizuar?”, për shkak se ai është një këngëtar jashtëzakonisht i famshëm, ka një status legjendar në industrinë e muzikës dhe është një milioner

Finlo Rohrer, BBC

Përgjatë shumë dekadave ka pasur përpjekje për të shkruar historinë e popullatave të margjinalizuara, si për shembull, historia gojore e njerëzve me ngjyrë, por përpjekje të tilla
nuk janë bërë për njerëzit me aftësi të kufizuara fizike. Por nëse shikon pas në histori, rastet janë të shumta kur suksesi ka qenë i jashtëzakonshëm edhe për këtë pjesë të njerëzimit.
Në një muze në Venecia, katër kuaj mbresëlënës të bërë me bakër janë një nga shumë dëshmitë. Rreth 1500 kilometra më larg, në kishën madhështore të Hagia Sofias në Stamboll, ka një pllakë në galerinë e sipërme, ku është vendosur emri i Henricus Dandolo. Ajo pllakë shënon vendin ku ka gjasa të jetë edhe varri i njeriut që i grabiti ato katër kuaj në vitin 1204, i njohur më së shumti në histori si

Enrico Dandolo.

Dogja i Republikës së Venecias nga viti 1192, Dandolo, udhëhoqi Kryqëzatën IV, një ekspeditë që synonte të pushtonte Egjiptin mysliman, por që përfundoi me pushtimin e Kostandinopojës. Ushtritë e tij shpartalluan zemrën e Perandorisë kristiane Bizantine.

Dandolo ishte një udhëheqës dinamik që riorganizoi monedhën e Venedikut dhe filloi kodifikimin e parë të ligjeve të republikës. Në fushëbetejë, ai ishte një figurë frymëzuese. Kur flota e kryqëzatës ra nën një breshëri shigjetash nga mbrojtësit e Bizantit, ai ishte udhëheqësi që me guxim vijoi përpara.
Ata u bënë forca e parë e huaj që hyri në muret e Kostandinopojës. Dandolo vdiq pasi bëri fushatë në Bullgari një vit më vonë. Për mbështetësit e tij, ai ishte trim, i fortë dhe i ashpër. Për armiqtë ishte ambicioz, hileqar dhe i paskrupullt.

Por ka dy fakte mbi Dandolon që ka gjasa do të surprizojnë lexuesin modern. Ai e arriti gjithë këtë kur ishte më shumë se 90 vjeç. Në këtë kohë kishte qenë i verbër që prej dy dekadash. Dandolo u verbua rreth të gjashtëdhjetave, pas një goditjeje të rëndë në kokë që i shkaktoi dëmtime në tru, thotë profesor Thomas Madden, autor i biografisë së tij.

Dandolo nuk ishte luftëtari i vetëm me aftësi të kufizuara në Mesjetë. Mbreti Gjon i Bohemisë vdiq duke kalëruar në mes të betejës kundër anglezëve, pasi kishte mbetur i verbër që prej një dekade.
Filmi i Ridley Scott, “Mbretëria e Qiellit”, paraqet jetën e Balduin IV, mbreti i Jerusalemit, i cili u shkatërrua nga lebra, por ishte ende i aftë të realizonte një fitore masive kundër Saladinit në Betejën e
Montgisard më 1177.

Por Dandolo është një nga shumë figurat historike, të cilët, ndonëse të famshëm, nuk njihen sa duhet, për faktin se kanë pasur edhe kufizime fizike.
Shumë kanë njohuri për faktin që Beethoven ishte shurdh, ose për faktin që Jul Cezari vuante nga sëmundja e tokës. Çmenduria e mbretit George III u bë e njohur pas vdekjes përmes dramave dhe filmave. Joanna, e çmendura e Kastiljes, ishte një figurë kyçe në luftën për kontrollin e Spanjës së shekullit të gjashtëmbëdhjetë.

Pastaj vjen aftësia e kufizuar e lordit Nelson. Humbja e krahut të tij të djathtë mund të kishte sjellë fundin e karrierës së tij. Ajo e shtyu të shkruajë: “Një admiral vetëm me dorën e majtë nuk do të konsiderohet kurrë më si një njeri i vlefshëm, për rrjedhojë sa më shpejt të gjejë një shtëpi modeste, aq më mirë do të jetë e kështu do t’i lërë vend një njeriu më të mirë për t’i shërbyer shtetit”.
Megjithatë ka një boshllëk imagjinar. Njerëzit jo gjithmonë mendojnë për Nelsonin apo figura të tjera si njerëz me aftësi të kufizuara. Shumë pak fëmijë mësohen me emrat e njerëzve të historisë me aftësi të kufizuara.

“Ata anashkalohen në dy mënyra”, thotë sociologu Tom Shakespeare, autor i librit “Të drejtat dhe të gabuarat mbi aftësinë e kufizuar”. Ose kufizimet fizike nuk njihen fare ose ato injorohen kur këta persona analizohen si figura historike. Koncepti i paaftësisë si identifikim i një njeriu është relativisht i vonë, thotë Shakespeare, i cili mban një blog ku mbledh figura me aftësi të kufizuara nga historia.
“Grupi i fjalëve ‘aftësi të kufizuara’ që përdoret për të përshkruar këta njerëz, është një gjë e shekullit të njëzet”, shton ai.

“Paaftësia është shumë shpesh e imagjinuar si sinonim i të qenët i panevojshëm. Kur gjen dikë si Dandolo, atëherë ata përfitojnë një lloj statusi nderi dhe paaftësia fizike injorohet tërësisht. Në rast se janë kaq të suksesshëm, atëherë imagjinohet se është e pamundur që të kenë paaftësi. Në këtë aspekt, identiteti i tyre nuk priorizohet”.
Natyrisht që ka pasur gjithmonë një tendencë për njerëzit me aftësi të kufizuara të ulnin rëndësinë apo ta fshihnin kufizimin e tyre.

Kështu ndodhi edhe me Dandolon. “Ka histori që tregojnë se ai e fshihte faktin se ishte i verbër. Ai qëllimisht hidhte një fije floku në supën e tij dhe ankohej me zë të lartë për të duke u shtirur sikur e kishte parë”, thotë Madden.

Përpjekjet e Dandolos për të fshehur aftësinë e kufizuar u pasuan nga përpjekjet e Presidentit amerikan Franklin Roosevelt më shumë se shtatë shekuj më vonë.
I paralizuar nga brezi e poshtë për më shumë se një dekadë para se të bëhej president, Roosevelt bëri gjithashtu përpjekje të mëdha për të fshehur kufizimin e tij.

Ka shumë fotografi që e paraqesin Roosevelt duke qëndruar në këmbë si President, por në secilën prej tyre ai është mbështetur me kujdes diku. Roosevelt besonte se informimi i publikut mbi paralizën e tij do të dëmtonte mundësinë për të marrë vota në zgjedhje.
“E si mund të jesh njëkohësisht udhëheqës i botës së lirë dhe me aftësi të kufizuara”, e shpjegon sjelljen e tij Shakespeare.

Shfaqjet e tij në fjalime apo mitingje, si dhe në media, u koreografuan me kujdes, në mënyrë që karrigia e tij me rrota të mos dukej kurrë.
Franklin D. Roosevelt mund ta shohësh duke u mbështetur diku ndërsa rri në këmbë dhe të ulur kur takon njerëz.

“Nuk ka karikatura për të si njeri me aftësi të kufizuara dhe nuk pati as lajme të publikuara, gjë që është me të vërtetë e jashtëzakonshme”, thotë Shakespeare.
Tashmë njerëzit janë të informuar për faktin që Roosevelt jetonte mbi një karrige me rrota. Ajo u bë një skenë e famshme në filmin “Pearl Harbor”.

Në rastin e Dandolos është shumë e lehtë edhe për studentët e kohës sonë të harrojnë nivelin e problemeve të tija fizike. “Ne realisht nuk kemi menduar kurrë për të si një njeri me aftësi të kufizuara”, pranon Madden.

Ai paraqitet në disa raste në ilustrimet e madhërishme të Dhomës së Këshillit të Madh në Venecia. Por askush nuk e ka të mundur të dallojë verbërinë e tij nga pikturat.
“Pikturat paraqesin një njeri shumë serioz, duke parë apo duke bërë gjëra”, thotë Madden. “Asnjë nga pikturat nuk përfshijnë njerëz që po e marrin për dore për ta shëtitur përreth apo për t’i treguar atij vende. Ai ka qenë gjithmonë vetëm një njeri shumë i fuqishëm.”

Në mendjen moderne, një sukses i tillë i jashtëzakonshëm për një person me një kufizim të caktuar mund të jetë një arsye për të folur me optimizëm mbi potencialin e të gjithë njerëzve me aftësi të kufizuara. Por mendja e njeriut të mesjetës ishte shumë e ndryshme.
“Venecianët në botën mesjetare do ta shihnin verbërinë thjesht si një deficit. Nuk ka shanse që ta shihnin këtë si një fitore (për një person me aftësi të kufizuara)”, thotë Madden.

Por ka një ironi krenare në jetën e Dandolos. Perandoria Bizantine shumë shpesh i verbonte perandorët e rrëzuar me besimin se kjo paaftësi do t’i ndalonte ata të rimerrnin pushtetin. Megjithatë kjo perandori në fund u shkatërrua nga një armik i verbër.
Natyrisht historia nuk u përket vetëm “burrave të mëdhenj”.
Jetët e njerëzve të zakonshëm, shenjat shoqërore dhe ligjore janë ato që shumë njerëz me aftësi të kufizuara do t’i shohin si të rëndësishme.

Por ka një qëllim emblematik në nxjerrjen nga historia të figurave me aftësi të kufizuara, thotë Shakespeare. “Është shumë e rëndësishme të flasim për emra të mëdhenj, për shkak se ne kemi vetëm mendime shumë negative (mbi njerëzit me aftësi të kufizuara).”
Është një figurë tashmë e njohur në botë si efekti i Mary Seacole dhe shumë besojnë se leksioni i mësuar prej saj do të jetë një shembull i mirë. Seacole ishte një infermiere shumë e famshme dhe novatore që shërbeu gjatë Luftës së Krimesë më 1956. Ajo u la në harresë nga historia për më shumë se një shekull, për shkak të ngjyrës së lëkurës së saj. Ajo ishte nga Xhamajka.

Seacole u rikthye në vëmendjen e botës gjatë shkrimit të historisë së njerëzve me ngjyrë si një figurë e rëndësishme.
Rishkrimi i historisë nga këndvështrimi i aftësisë së kufizuar ndoshta shumë shpejt do të arrijë të njëjtën gjë.

Marinari i famshëm

Admirali Horatio Lord Nelson 1758-1805
Nelson u bashkua me Marinën Mbretërore kur ishte 12 vjeç dhe u bë kapiten në moshën 20-vjeçare. Ai humbi shikimin në syrin e djathtë gjatë rrethimit të Kalvit në Korsikë, më 1794 dhe humbi krahun e djathtë në Betejën e Santa Kruz në Tenerife tre vjet më pas.
Gjatë Betejës së Kopenhagës më 1801, ai në mënyrë të famshme tha se i kishte injoruar urdhrat për të ndërprerë luftimet, duke e vendosur teleskopin në syrin e tij të verbër dhe duke pretenduar se nuk kishte parë sinjalin për tërheqje.
Nelson udhëhoqi Marinën Mbretërore nga 1794 deri sa u vra nga një snajper francez në Trafalgar. Trupi i tij u konservua në një fuçi uiski dhe u transportua në Angli për funeral shtetëror.

Këngëtarja pa këmbë

Sarah Bernhardt, 1844-1923
Ajo ishte një yll i skenës ndërkombëtare që në rini. Gjendej në një turne në Amerikën Latine kur dëmtoi gjirin e djathtë, ndërsa po luante skenën e fundit të operës “La Tosca” në vitin 1905.
Dhjetë vjet më pas, gangrena u shfaq te këmba e saj dhe u detyrua ta presë. Por ajo nuk u dorëzua. Këmbënguli të vizitonte ushtarët në front gjatë Luftës së Parë Botërore e transportuar në një karrige të vogël.
Më 1916 filloi një turne 18-mujor në SHBA dhe pastaj kreu edhe një turne në Europë duke luajtur pjesë që mund t’i interpretonte e ulur. Ajo vdiq në Paris më 1923.

Analiza

Bota dhe njerëzit me aftësi të kufizuara

Damon Rose, BBC

Nëse një njeri me aftësi të kufizuara ka talent, suksesi apo aftësia që perceptohet të jetë mbi atë të njerëzve të zakonshëm e sheh aftësinë e kufizuar në sfond.
Për shembull, mund të ndihesh disi i çuditshëm po të pyesësh Stevie Wonder se “si të ka penguar aftësia juaj e kufizuar?”, për shkak se ai është një këngëtar jashtëzakonisht i
famshëm, ka një status legjendar në industrinë e muzikës dhe është një milioner. Ndryshe nga shumica e njerëzve me aftësi të kufizuara, ne kemi arsye të kemi zili për të. Këtu ne mund të pyesim, çfarë rëndësie ka marka “me aftësi të kufizuara” për raste të tilla?
Stevie Wonder ka mbetur i verbër shumë shpejt pas lindjes.

Poeti i verbër

John Milton, 1608-1674
Një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës angleze, Milton, u verbua tërësisht që nga mosha 43-vjeçare. Ai më vonë shkroi kryeveprën e tij “Parajsa e Humbur”.
Ai e trajtoi aftësinë e tij të kufizuar në sonetin “Mbi verbërinë e tij”, si dhe në Samson Agonistes, ku paraqiten figura të Testamentit të Vjetër të verbuar dhe të burgosur: “O humbje e shikimit, për të cilën unë ankohem më së shumti!/ I verbër mes armiqve, më keq se sa prangat,/ burgu, apo lypja, apo plakja!”

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.