torsdag 11 februari 2016

Fëmija yt, pasqyra jote


2. Fëmija yt, pasqyra jote

Në kapitullin e mëparshëm shpjegova projeksionin, pasi është pikërisht ajo që, në mënyrë të pavetëdijshme, bëjmë me fëmijët tanë, pavarësisht nga 'mosha e tyre. Përse? Gjithçka që ke dashur të arrish në jetë, dështimet, etapat e fëmijërisë apo adoleshencës tënde bashkë me konfliktet që vetë nuk arrite t’i zgjidhësh në atë kohë, pengjet që të kanë mbetur apo nevojat e paplotësuara, i reflekton te bijtë. Më duhet të them se në këtë mënyrë vepron edhe me anët e tua pozitive, si dhe me zonat e tua të ndritshme e të mbushura me ndjenja të bukura. Pra, te fëmijët projekton edhe tiparet e tua pozitive.

Ndoshta, ndërsa lexon këto fjalë, reagimi yt i menjëhershëm do të jetë: “Sigurisht që jo, unë nuk veproj kështu me fëmijët e mi”. Por më lejo të të kujtoj që thjesht nuk je i vetëdijshëm se po vepron në këtë mënyrë. Nuk është se një ditë të caktuar i ke projektuar te fëmija yt të gjitha këto, pasi janë gjëra që nuk bëhen në mënyrë të vetëdijshme; në fakt janë veprime të kryera nga ajo pjesë e psikikës sonë që quhet pavetëdije, e cila udhëhiqet nga impulse të papranueshme, dëshira, përvoja e kujtime që nuk mund të vlerësohen racionalisht. Pavetëdija, praninë e së cilës nuk arrijmë të kuptojmë, ushtron ndikim shumë të thellë dhe domethënës në jetën e njerëzve.

Funksioni i pavetëdijes është të na mbrojë, të anashkalojë gjithçka që e kemi të vështirë apo na shkakton dhimbje.

Por, ashtu siç mund të na nxitë t’i mbyllim problemet tona pa i zgjidhur plotësisht, po ashtu mund të na ofrojë mjete që as e dinim se ekzistonin brenda nesh për të ndryshuar e për të kuruar plagët, pasi pavetëdija nuk është vetëm magazina e problemeve të karakterit e të personalitetit tonë, por edhe pusi i thellë ku gjenden thesaret tona të fshehta, ku ndrydhen burimet dhe energjitë, përvojat dhe përgjigjet e duhura

Kështu pra, ajo që po e quaj “pjesa e errët” e marrëdhënieve me fëmijët, lind në mënyrë të pavetëdijshme dhe jo si rrjedhojë e një vendimi të marrë me vetëdije të plotë nga ana e prindërve.

Gjatë kurseve apo konferencave që mbaj, them se në të gjitha familjet e përbëra nga dy apo më shumë bij, gjithnjë është një fëmijë të cilin e quaj “an” dhe një tjetër që e quaj “kryesori”. Oazi është djali apo vajza që thuajse vetëformohet e vetedukohet, aq sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se ka lindur i formuar dhe i edukuar. Eshtë shumë e thjeshtë të jesh prind i një fëmije të tillë, ngaqë ai është i përgjegjshëm, nuk krijon probleme dhe marrëdhënia me të krijohet e ruhet me shumë lehtësi.
Fëmija “kryesor”, në të kundërt, shfaqet krejt ndryshe: ai nuk pranon të rritet, nuk pranon të mësojë të piqet, ai na bën të lexojmë libra, të ndjekim terapi, kurse e konferenca për të gjetur raportin e përshtatshëm me të; na bën të ngremë sytë nga qielli e të kërkojmë ndihmë, duke na detyruar kështu të thellohemi në anën tonë shpirtërore. Pra, na shtyn drejt një qenieje të mbinatyrshme, të cilin secili prej nesh e koncepton apo e vlerëson sipas mënyrës së tij.

Eshtë e vështirë të jesh prind fëmijësh “kryesorë” dhe ndonjëherë mendojmë se janë të këqij, se ka diçka që nuk shkon tek ata, por besomëni, nuk është kështu. Unë kam besim të patundur se shpirtrat tanë - ata të prindërve dhe të fëmijëve - lidhen në mënyrë të dyanshme për t'u rritur së bashku. Po e them me të tjera fjalë: jemi ne ata që i zgjedhim fëmijët tanë dhe janë ata që na zgjedhin ne (ndikojmë në formimin e bijve po aq sa ata ndikojnë në tonin). Nëse kjo nuk të duket dhe aq e besueshme, thellohu, kthehu pak prapa dhe shiko sa më hollësisht të jetë e mundur në gjithçka që fëmija yt “kryesor” të ka “detyruar” të zbulosh e të mësosh (thellimet gjithnjë janë pozitive). Përmes fëmijëve të vështirë kemi rastin më të mirë të mësojmë, mes një morie gjërash të tjera, se çdo të thotë të duash pa kushte.

Kjo nuk do të thotë se bijtë e tjerë nuk na ndihmojnë të rritemi, të kaliterni e të mësojmë, por këtë e bëjnë në mënyra të tjera, duke përdorur mjete e rrugë të ndryshme; nuk do të thotë as që fëmija “oaz” do të jetë më i shëndetshmi, i suksesshmi apo më i lumturi, dhe se “kryesori” do të jetë i paqëndrueshmi, i pasuksesshmi në jetë dhe i papranuari në shoqëri. Dhe nuk do të habitesh kur të zbulosh se, në shumicën dërrmuese të rasteve, fëmija i Vështirë është më i shëndetshmi në familje.

Janë një numër i madh faktorësh që duhen marrë parasysh për të bërë parashikime në lidhje me shëndetin apo sëmundjen (gjithnjë në planin psikologjik), me suksesin apo dështimin në jetë, duke përkufizuar më parë atë që do të quajmë sukses, dështim, shëndet apo shëndetligësi. Le të kufizohemi atëherë të themi se ajo që ndodh gjatë fëmijërisë apo adoleshencës së një fëmije, nuk përcakton detyrimisht atë që do të ndodhë ' në jetën e tij prej të rrituri.

Të nisim, pra, t’i shqyrtojmë hap pas hapi këto projektime të pavetëdijshme që, në një mënyrë apo në një tjetër, ne prindërit i përdorim ndaj fëmijëve tanë, me qëllim që, pasi t’i kemi kuptuar, të mund të gjejmë edhe format për t’i zgjidhur.


e marur nga libri
Fëmija -pasqyra jote
Martha Alicia Chavez

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.