torsdag 11 februari 2016

Mekanizmat mbrojtëse-nga libri Fëmija-pasqyra jote


1. Mekanizmat mbrojtëse

Për të kuptuar gjithë problematikën e “anës së erret në marrëdhëniet prind-fëmijë, së pari duhet të flasim për mekanizmat mbrojtëse. Këto janë mjete që i përdorim në mënyrë të pavullnetshme për t’u përballur me situatat e vështira, duke shmangur, menjanuar apo anashkaluar të papriturat me të cilat na vë përballë jeta, me qëllim që të mos biem pre e ankthit. Në vija të trasha, renditen trembëdhjetë mekanizma mbrojtjeje. Gjithsesi, në këtë libër do të shqyrtojmë imtësisht vetëm tre prej tyre: projektimin, mohimin dhe refuzimin. Për këtë të fundit do të flasim në kapitullin 5.
Edhe pse të gjithë, në çaste të caktuara, përdorim mekanizma të caktuar mbrojtës, kjo ndodh në minimumin e mundshëm te njerëzit e pjekur dhe të shëndetshëm psikologjikisht, ngaqë ata e njohin shumë mirë veten dhe zotërojnë doza të konsiderueshme energjie dhe prirjesh pozitive, falë përvojave po kaq pozitive që kanë eksperimentuar gjatë jetës. Sa më i shëndetshëm të jetë psikologjikisht një njeri, aq më pak i përdor mekanizmat mbrojtës, dhe, kur e bën, është thuajse në të gjitha rastet i vetëdijshëm se po u. drejtohet atyre për të përballur një situatë të caktuar.
Pikërisht për këtë, në këtë libër do t'u kushtojmë shumë rëndësi formave të ndryshme të projeksionit, që ne prindërit i “aktivizojmë” kundrejt fëmijëve, dhe se si ndjenja e mohimit na pengon ta pranojmë këtë fakt. Më tej në libër do të vijojmë me shtjellimin e faktorëve që shkaktojnë aktivizimin e mekanizmave mbrojtës, që, veç të tjerave, janë edhe shumë interesantë.
Projektimi është procesi i pasqyrimit te dikush tjetër i asaj që na përket vetëm neve; mund të bëhet fjalë për një ndjenjë, një nevojë, një dëshirë apo një dobësi të karakterit. Projeksioni është mekanizëm që mund të aktivizohet përballë çdo personi tjetër, ndërkohë që në këtë libër do të përqendrohemi vetëm në projeksionin që përdorim ndaj fëmijëve tanë.
Por, a është e mundur të ekzistojë një marrëdhënie përgjatë së cilës të mos lindë nevoja për të aktivizuar projeksionin, për të mos projektuar te fëmijët dobësitë e anët tona të negative? Përgjigja është “jo”. Për sa kohë jetojmë brenda një trupi që i përket planetit tonë, do ta përdorim projeksionin. Megjithatë, ky mekanizëm mbrojtjeje nuk përmban asnjë të keqe në vetvete, madje mund të jetë fare mirë një metodë tejet efikase për njohjen e vetes, pasi njerëzit ku projektojmë dëshirat, ndjenjat apo dobësitë tona mund t’i trajtojmë si pasqyrë që na lejon të vërejmë të metat apo përparësitë që na karakterizojnë, çka do të ishte shumë e vështirë të arrihej në tjetër mënyrë.
Është e rëndësishme të përmendim se projeksioni nuk duhet parë si element negativ; nuk projektojmë tek të tjerët vetëm konfliktet e personalitetit tonë, por edhe zonat pozitive të këtij personaliteti. Gjithçka të pëlqen te dikush tjetër është projektim i aspekteve të bukura e të shëndetshme të personalitetit tënd të pasqyruara tek ai individ.
Njerëzit që kritikojnë e qortojnë vazhdimisht, që te gjithçka e tek të gjithë gjejnë diçka të papëlqyeshme, që shohin gjithnjë pikën e zezë në mantelin e bardhë, përçmojnë së tepërmi veten, kanë hije1 apo njolla aq të mëdha në karakter, sa i projektojmë ato në mënyrë të vazhdueshme tek të gjithë njerëzit që i rrethojnë. Në të njëjtën mënyrë, njerëzit që tek të tjerët shohin bukuri, pasuri ndjenjash e dritë të brendshme, projektojmë bukurinë, pasurinë e dritën e ndjenjave të tyre.
Një tjetër mekanizëm mbrojtjeje, për të Cilin është e domosdoshme të flitet, është mohimi. Në këtë rast bëhet fjalë për mospranimin e një realiteti që mund të jetë i jashtëm - për shembull, diçka që ka të bëjë me jetën e njerëzve të tjerë - apo i brendshëm, një nevojë, një ndjesi, një dëshirë apo dobësi e karakterit, të cilat na rezultojnë të vështira për t’u vënë re.
Gjëja e parë që duhet bërë për të ndryshuar veten është largimi nga mohimi, ngase është e pamundur të trajtosh diçka që nuk e pranon se ekziston. Si mund të kërkosh zgjidhjen e një problemi, nëse kapesh fort pas idesë se ky problem as që ekziston në personalitetin tënd?
Të largohesh nga mohimi e të shohësh në sy të vërtetën duke u bindur se brenda teje diçka nuk shkon mirë, se duhet ndryshuar me çdo kusht, dhe të arrish në përfundimin se një gjë e tillë ndonjëherë nuk arrihet vetëm, por me ndihmën e dikujt tjetër, ky është hapi i parë i madh përpara, pa të cilin janë të pamundura korrigjimi dhe ndryshimi. Pas këtij hapi, që pa dyshim është edhe më i vështiri, gjithçka tjetër vijon në mënyrë të natyrshme dhe tejet të lehtë.
Por, pse e kemi kaq të Vështirë t’i pranojmë ndjenjat që i vlerësojmë si “negative” (në të Vërtetë ndjenjat nuk janë as negative, as pozitive, thjesht janë ndjenja), siç janë, bie fjala, zilia, inati apo frika? Pse e kemi kaq të vështirë të pranojmë se kemi një problem që nuk dimë si ta Zgjidhim dhe se ndonjëherë mund ta kemi edhe gabim? Sepse thuajse të gjithë rritemi brenda sistemesh familjare, shkollore e shoqërore që na mësojnë se të bësh një gabim është diçka e turpshme, ashtu si edhe në rastin kur kemi një problem e nuk dimë si të përballemi me të apo të kërkojmë ndihmë; kjo duhet parë si shenjë injorance e dobësie, sepse parapëlqejmë të heshtim për të mos u ndjerë të trashë, të dobët e të paditur. Këto ndjenja “negative”, që i kemi të gjithë, shihen aq keq nga shoqëria që na rrethon, sa mësohemi t'i fshehim brenda vetes, t’i mohojmë apo t’i zbukurojmë, në mënyrë që të pranohemi nga mjedisi shoqëror që na rrethon.
Në këtë mënyrë, pak nga pak, kthehemi në ekspertë të mohimit dhe, si të tillë, ndjekim udhën e jetës, ndonjëherë edhe për vite të tëra, duke gënjyer veten,ngaqë mohimi është pikërisht ky: një gënjeshtër e madhe që e ngremë më këmbë dhe e mbështesim pa pyetur për asgjë, me kusht që të sh mangim përballjen e drejtpërdrejtë me një realitet që do të ishte i papëlqyeshëm për ne.

Arsye të tjera të rëndësishme që na bëjnë të mbështetemí te mohimi janë frika e sidomos rreziku i prishjes së rehatisë, pasi, me ta kuptuar që ke problem, të duhet edhe të marrësh masa për t’u përballur me të, çka do të thotë të ndryshosh ato gjëra të cilat mësuar t’i kesh të pandryshueshme, të dalësh nga rutina e rehatia. Edhe pse në pamje të parë duket e pamundur, shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë me mohimin, edhe pse kanë përpara prova të mjaftueshme, që u vërtetojnë se kanë me të vërtetë probleme. Për shembull, sheh fëmijën tënd të përdorë rregullisht drogë, mëson se bashkëshorti apo bashkëshortja ka një lidhje jashtëmartesore, apo se vajza është viktimë e abuzimeve seksuale nga njëri prej pjesetareve të familjes. Të pranosh një realitet të tillë do të thotë të detyrohesh të marrësh masa tejet drastike, ndoshta të duhet të përballesh edhe me divorcin, me një thyerje të fortë në marrëdhëniet familjare, me ndonjë veprim tjetër shumë të ashpër ose, e thënë me pak fjalë, të hysh në një proces të vështirë, për të cilin njeriu jo gjithmonë është i përgatitur apo ka forca ta përballojë.

Më kujtohen raste shumë domethënës, që vinin si shkak i mohimit, siç është ai i një nëne, e cila, përballë të birit me probleme shumë të rënda droge e alkooli, përsëriste pambarimísht: “Nuk po ndodh asgjë e rëndë, gjithçka është në rregull”. Apo rasti i një të riu që shfaqte sjellje me të vërtetë alarmuese, si vjedhje në shtëpitë e fqinjëve, vjedhje motoçikletash e artikujsh nëpër dyqane. I vënë përpara një fakti të tillë, i ati argumentonte: “Janë veprime prej adoleshenti”. Kështu edhe e ëma e një vogëlusheje pesëvjeçare, e cila ishte viktimë e përdhunimit sistematik nga ana e njerkut. Edhe pse vogëlushja i kishte treguar disa herë së ëmës për këtë, ajo i përgjigjej: “Nuk ka të ngjarë, me siguri e ke gabim”.

I tillë është mohimi. Këta njerëz nuk është se i shmangen me vetëdije të plotë realitetit. Në të vërtetë janë të paaftë ta shohin. Pasi ta pranosh një realitet të tillë, do të thotë se duhet të përballesh me doza të jashtëzakonshme frike, faji, pafuqie; mbi të gjitha, duhet të marrësh masa drastike për ta zgjidhur.

Në raste të caktuara, ato çfarë mohojmë nuk janë realitete që po ndodhin, por ndjesi apo nevoja me të cilat, për një arsye apo një tjetër, jemi të paaftë të përballemi. Në të tilla raste shprehemi: “Sigurisht që nuk më shqetëson, nuk më shkakton dhimbje, nuk ka rëndësi...” E të tjera gjëra si këto.

Një arsye tjetër për të cilën kapemi fort me thonj pas mohimit është se mendojmë që, po të mos e vërejmë një problem apo një ndjenjë, ai do të largohet vetvetiu, do të zhduket. Shpesh dëgjoj njerëz që u thonë të tjerëve, kur kalojnë ndonjë situatë të vështirë: “Mos mendo më për të, as mos e zër me gojë”. Por gjërat nuk duhet të shkojnë kështu. Të kthesh kokën nga ana tjetër, të mos duash ta pranosh një ndjenjë, një problem, një realitet,nuk do të thotë se ai do të zhduket. Përkundrazi, ai do të zmadhohet e do të lëshojë rrënjë deri në atë pikë sa do të jetë e pamundur të mos vihet re. Dhe në atë çast, pikërisht në atë çast, Zgjidhja dhe ndryshimi do kthehen në kërkesë të domosdoshme, që në një pikë të caktuar do të jetë shumë e vështirë të arrihet për shkak të për masave që mund të ketë marrë problemi. Ekzistojnë probleme të atilla që, në fillimet e tyre, ngjajnë me degët e holla e të njoma, por kur i mohojmë vazhdimisht e nuk pranojmë t’i shohim, në një çast kthehen në trungje të vërtetë.

Kështu, ngaqë vazhdojmë të mbështetemi te mohimi, bëjmë gjëra të tilla si, justifikojmë, shmangim apo nuk ia vëmë veshin burimit që po na informon mbi atë realitet që nuk duam ta shohim. Ky burim mund të jetë një njeri i rrethit tonë, një folës në një konferencë, një terapist apo një mjek, të cilit i shmangemi duke i thënë vetes: “Nuk shërben për asgjë, nuk është i mirë, është i çmendur, është gënjeshtar”.

Dhe për ta mbyllur këtë kapitull, dua t’ju kërkoj diçka: kur të gjendeni në ndonjërën prej situatave të përshkruara në libër, mos e fajësoni veten dhe as mos u turpëroni. Nuk keni pse ta shihni veten si përbindësha për këtë - jeni veçse qenie njerëzore si gjithë të tjerët. Po bën më të mirën e mundshme, po përpiqesh të jesh prindi mirë, në mënyrën më të mirë që njeh; me të gjitha gjërat që po bën e po thua në mënyrë të çiltër, po kërkon vetëm dashurinë e lumturinë, edhe pse, krejt

paradoksalisht, ajo që thua apo bën, shpesh të largon nga qëllimi i vërtetë.Ka të ngjarë ta vini veten jo vetëm në rolin e prindit, por edhe në atë të fëmijës, kur në marrëdhëniet me bijtë të shihni veten dhe raportet që dikur keni pasur me prindërit, çka do t’ju shërbejë për ta kuptuar më mirë historinë dhe formimin tuaj.

Pasi të keni shqyrtuar karakteristikat e projektimit dhe mohimit që përdorim në raport me fëmijët, në kapitullin e fundit do të gjeni këshilla të nevojshme për t'u dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Kam menduar gjithnjë se nuk është shumë e rëndësishme t’i kuptojmë gjërat, po qe se nuk ekzistojnë mjetet me të cilat ato mund të ndreqen.






e marur nga libri
Fëmija -pasqyra jote
Martha Alicia Chavez

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.