måndag 4 januari 2016

Nga buron konflikti ?


nga libri:
Adoleshenca stina 
e shpërthimeve
Ndue Kaza

Nga buron konflikti?
Në çdo kohë kanë ekzistuar konfliktet prind-fëmijë dhe
vëllezër-motra si pasojë e ndryshimeve në kërkesat për
objektiva dhe zgjedhje të ndryshme. Në përgjithësi, një burim
i tyre janë edhe marrëdhëniet që vendosen, pasi
adoleshentët nuk kanë dëshirë të pranojnë më vartësinë. Ajo
u shkakton dyshime edhe në skemat mendore të
deritanishme, prandaj irritohen shpesh dhe në ndonjë rast
kërkojnë të heqin dorë nga ndihma dhe mbikqyrja. Tani me
“shumë siguri” ata fillojnë të rishikohen, e ardhmja e
imagjinuar u vihet përball vështirësive të jetës së vërtetë. Në
këto momente kritike kemi një riorganizim të sistemit të
vetvetes, falë raporteve të reja që lindin. Me kalimin nga
kontrolli në pavarësi adoleshentët përpiqen të shmangin
edhe kontrollin emotiv të prindërve. Për këtë kërkojnë
ortakëri, pra mbështetje nga bashkëmoshatarët e tyre për të
kapërcyer pengesat emocionale.


Me rritjen, vazhdimisht adoleshenti i shton kërkesat.
Prandaj prindërit duhet të ndryshojnë shumë gjëra për të
mos krijuar mosmarrëveshje të panevojshme. Këtu ia vlen të
vihet në dukje se ka nuanca të veçanta e dallime edhe në
marrëdhëniet e komunikimin me nënën dhe babain.
Zhvillimi i brendshëm i adoleshentëve në jo pak raste bie
ndesh me ato që kërkojnë prindërit. Këta të fundit duke qenë
se kanë frikë se mos sjelljet e gabuara të fëmijëve do të
vazhdojnë gjithë jetën, shpesh bëhen të mërzitshëm me
përsëritjen pa vend të lloj-lloj kërkesash. Disa herë qëndrime
të tilla bëhen ekstreme, si pasojë e të cilave thellohet më tej
konflikti. Nga një qëndrim i tillë, si dhe nga praktikat që
ndiqen, me kufizimet, rregullat dhe mungesën e vlerësimit,
jo rrallë lindin mosmarrëveshje.


Në raportin prindër-fëmijë është e padiskutueshme që
prirja e prindërve për të ruajtur një lloj largësie nga fëmijët
në emër të forcimit të autoritetit, bëhet burim i
pashmangshëm mosmarrëveshjesh. Kjo është e lidhur dhe e
kushtëzuar nga shkalla e niveli i lidhjeve emocionale, që
ekziston në marrëdhëniet e prindërve me djalin apo me
vajzën. Në familjet pa ndonjë lloj interesi, nuk krijohet
mundësi për konflikte reale. Ato ndodhin në familjet me
probleme ekonomike, vështirësi pozicionimi në shoqëri, me
sëmundje etj., arsye këto të mjaftueshme për të kufizuar në
maksimum marrëdhëniet e nevojshme. Një dukuri e tillë
mund t’u përkasë edhe prindërve të një niveli shkollimi të
mesëm apo të lartë, që poshtë një perdeje moderniteti e
lejueshmërie, në pamje të parë, nuk arrijnë të ndërtojnë
ndonjëherë raporte të thelluara, të qëndrueshme e
domethënëse me fëmijët e tyre. Mungesa e konflikteve në
këto raste, duhet venë në dukje se nuk shihet e vlerësohet
nga të rinjtë si sinjal kuptimi apo kujdesi. Përkundrazi,
krijohen kushte për një revoltë të brendshme të pashpallur,
e cila shpërthen në çastin, kur askush nuk e pret. Përfshirja
në konflikte, nëse vlerësohet drejt, mund të konsiderohet si
gjithëpërfshirje e kujdes, që mund të nxisë marrëdhënie të
reja dhe të përmirësuara. Paqja në familjen e adoleshentit
mund të arrihet si përfundim i zgjidhjes së një konflikti të
hapur të administruar me kujdes, në të cilin palët njohin
dallimet dhe ngjashmëritë e tyre. Ruajtja e mbajtja e një
qëndrimi të drejtë, të baraspeshuar, pa shfrytëzuar dobësitë
e prindërve, por sidomos ato të adoleshetëve, të cilët janë
më të ekspozuar në këtë drejtim, përbën një kusht të
rëndësishëm për krijimin e gjendjes së shëndoshë në familje.


Ka edhe tipa prindërish, të cilët veprojnë ndryshe, që
përpiqen të monitorojnë dhe të mbajnë nën vëzhgim të
pandërprerë lëvizjet, qëndrimet dhe sjelljet e fëmijëve. Nga
ana tjetër, nuk duhet të mendojmë se adoleshenca është
gjithnjë e sunduar domosdo nga konflikte, edhe pse procesi
i zhvillimit të fëmijëve mbi dhjetë vjeç është bashkudhëtar i
pashmangshëm me to, pavarësisht nga përmasat dhe
kohëzgjatja e tyre. Më tepër nga fakti se perceptimet janë të
sakta apo të gabuara për palët në konflikt, merr më shumë
rëndësi bilanci, që për njërën palë llogaritet si përfitim, ndërsa
për tjetrën humbje.



Arsyet e konfliktit nuk mund të merren vetëm si pasojë
superioriteti apo dualitet i pashpallur, por mbi të gjitha si
rrjedhojë e pikëpamjeve të ndryshme, të përplasjes së dy
këndëvështrimeve, të dy mentaliteteve për problemet e
dukuritë e ndryshme, mbi jetën në përgjithësi, diçka krejt
normale dhe pjesë e zhvillimit. Këto konflikte përgjithësisht
nuk u përkasin çështjeve fondamentale të tipit politik, besimit
apo moralit, por janë të lidhura më shumë me probleme të
një niveli më të ulët, si:
Mënyra e të veshurit;
Mënyra e kalimit të kohës së lirë;
Orari i kthimit në shtëpi;
Ndihmesa në punët e shtëpisë dhe përdorimi i të
hollave;
Shqetësimi i prindërve në lidhje me raportet
sentimentale të fëmijëve, por sidomos raportet e vajzave,
me idenë e frikës se këto lidhje mund të deformojnë
zhvillimin e adoleshentëve.
Mosmarrëveshjet lindin edhe në momentin kur
prindërit sillen me të rinjtë sikur të ishin fëmijë të vegjël, kur
kontrollojnë e mbikqyrin çdo veprim të tyre, kur nuk presin
aspak për rezultatet, kur nuk shtrojnë kërkesa të
argumentuara, kur nuk janë të rregullt dhe nuk krijojnë
marrëdhënie të ngrohta me ta etj.



Edhe në lidhje me trajtimin e dy termave të
rëndësishëm: autoriteti dhe legjitimiteti, ndeshemi me shfaqje
të ndryshme. Përgjithësisht vihet re se adoleshentët e
pranojnë, e njohin autoritetin e atyre që kanë të drejtë për ta
ushtruar. Konkretisht, për të pranuar autoritetin e prindërve,
fëmijët, para së gjithash, duhet të jenë të bindur, të
ndërgjegjësohen me këmbëngulje e durim në lidhje me çdo
çështje, vlerën dhe dobinë e saj. Njëkohësisht, është mirë që
i gjithë ky proces të përballohet me një klimë respekti të
ndërsjellë.

Siç del nga mjaft studime të kryera në këtë fushë, është
vënë re se për sa i përket aspektit moral, sjelljeve të lira dhe
të përcaktuara nga norma shoqërore, adoleshentët në
shumicë ndajnë me prindërit të njëjtin vlerësim në lidhje me
qëndrimin ndaj autoritetit. Por në praktikë ndodh ndryshe.
Përsëri vërehen probleme të tjera të shumta, të cilat
adoleshentët me të drejtë i marrin si ndërhyrje të
panevojshme në të drejtat e tyre vetjake, të tilla si:
Paragjykimet për rrethin e tyre shoqëror;


Për kohën që duhet të qëndrojnë jashtë shtëpisë, pra
jashtë kontrollit;
Për mjediset e ndryshme që frekuentojnë me
shoqërinë e tyre;
Për rregullat mbrojtëse kur kalojnë nga një vend në
një tjetër etj.
Pra, prirjet e prindërve për të ushtruar autoritet pa
kushte, për të kontrolluar gjithçka bëjnë fëmijët e tyre, sjell
për pasojë mosmarrëveshje, të cilat në rastet kur janë të
pashpallura, kanë pasoja tepër negative në edukimin e të
rinjve. Edhe kërkesat “e forta”, të shoqëruara me ftohje të
marrëdhënieve emocionale, ndërlikojnë procesin dhe
krijohen mundësi për humbje të lidhjeve prind-fëmijë. Dihet
se dashuria prindërore është e domosdoshme, por ajo e
vetme nuk përbën një kusht të mjaftueshëm për zhvillimin e
suksesshëm të personalitetit të të rinjve.

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.