måndag 18 januari 2016

Si ta dashurosh një burrë të vështirë


 

                                       
                     SI TË DASHUROSH NJË BURRË TË VËSHTIRË

                                                             Psikologji e dashurisë

 

 

 

A DO TË ARRINI NDONJËHERË TË MERRNI ATË QË DËSHIRONI NGA ”BURRI I JETË SUAJ ?”

 

Nuk më trajton kurrë ashtu si do të dëshiroja,në mënyrë të sjellshme dhe të dashur;Zemra ime e gjorë është e ndërtuar prej ndjenjash,jo prej druri.

Ai nuk më do mua ashtu siç dëshiroj unë atë-Unë vuaj dhe kjo s’është e mirë”

                                             Duke Ellington e Paul Webster

 

Një burrë i vështirë është i këndshëm e i urryer njëherësh,i ëmbël dhe i ashpër,joshës dhe acarues,i qëndrueshëm  dhe raskapitës,egoist dhe bujar,zemërgur dhe plot përkujdesje.Me pak fjalë,është kundërshtia vetë.Për një çast ju duket sikur po fluturoni nga gëzimi dhe sakaq ju kaplon vuajtja e zemërata.Dhe më e keqja është se ju vazhdoni ta doni pavarësisht nga këto,madje keni nevojë për të.Të paktën sot,nesër nuk i dihet.Kurrë nuk jeni të sigurta nëse doni,përse e dashuroni,nëse vërtet keni nevojë për të,apo është thjesht forcë zakkoni.Veç një gjë është e sigurt:ai ka qenë dhe mbetet tejet i rëndësishëm për jetën tuaj,herë për të mirë e herë për të keq.Është burri i juaj i vështirë.

Po të pyesni një grup grash,nëse janë të martuara,apo bashkëjetojnë me një burrë të vështirë,thuajse të gjitha do t’ju përgjigjen po.Kjo pjesërisht shpjegohet me faktin se,shoqëria jonë i nxit burrat të sillen krejt ndryshe nga ç’e përfytyrojnë gratë burrin e ëndrrave të tyre.Prindërit mund ta qortojnë djalin e vogël,që kthehet në shtëpi pas lojës,me rrobat e grisura e të zhyera në baltë,mund ta qortojnë për pakujdesinë dhe çamarrokllëkun,por hollë-hollë i japin të kuptojë se bëmat e tij kanë hije një burri të vërtetë.Ndërsa për vajzat,është bërë zakon që të nxiten të jenë sa më të edukuara,të tregojnë kujdes në radhë të parë për të tjerët pastaj për veten,të jenë të sjellshme e të urta dhe ta kyçin gojën.Asnjëherë të mos kërkojnë ndonjë gjë,sidomos për vete.Edhe pse këto njëzet vjetët e fundit feminizmi i ka bërë më të vetëdijshme gratë për mundësitë apo forcën e tyre,për pikësynimet që duhet t’i vënë vetes,vite të tëra të ngjizjes kulturore dhe të ndikimit të skemave familjare kanë lënë tek ato një vragë të thellë.

Në përvojen time si psikoterapiste,kam biseduar me qindra gra:advokate,ekonomiste, shtëpiake,sekreterare,mësuese,artiste,muzikante.

Pavarsisht nga dallimet në dukje,shumë syresh kishin diçka të përbashkët:dashuronin burra të vështirë,që me sjelljet e tyre marrafrymëse i kishin shëndrruar në gra të zhgënjyera,zemërake,që s’dinin ç’ishte lumturia.Vetë unë,si grua që jam,e kam provuar mbi kurriz trishtimin,pasi dashuroja një burrë të vështirë.Të gjitha ne,në jetën tonë,jemi mëdyshur nëse e duam dikë apo jo,derisa marrëdhënia është shëndërruar në një torturë të vërtetë.Nëse gruan e brejnë mëdyshjet dhe pshtjellimi për burrin e jetës së saj,qoftë ky bashkëshort,i dashur apo shok,kurrësesi s’mund të ndihet e gëzuar,shëndetplotë,e sigurt në vetvete,e kënaqur.

Nuk të habit fakti që ndonjëra,duke e ndjerë se nuk i realizohen nevojat,i ndrysh pasionet,dhe bëhet dyshuese dhe e mërzitshme,rron me shpresën se një ditë të bukur ai do të ndryshojë e,më në fund,do t’ia shpërblejë dashurinë,madje më e rëndësishme për të është ta dashurojë ashtu siç do ajo.Sjellja e burrit tuaj zor se do t’ju përkund mes parajsës dhe ferrit.Ja disa nga problemet që keni ndeshur më shpesh te ai:

-ai pretendon se nuk ka ndjenja dhe tallet me ju që i keni me tepri(pra,nuk pranon jentën tuaj emotive);

-kur ju shkreheni në dënesa,ai hiqet sikur as që do t’ia dijë;

-kthehet në shtëpi pikë e vrer;e pyet çfarë i ka ndodhur dhe ai iu zbrazet juve;

-dëshira nuk ekziston më;duket sikur jeni nëna e tij;

-s’do t’ia dijë për nevojat tuaja në shtrat.Dikur jepej me mish e me shpirt që t’ju kënaqte,por tani këto s’janë veçse ëndërr e venitur;

-s’do t’ia dijë kur jeni e zemëruar.Ju nuk jeni të lumtura dhe kjo nuk i intereson askujt;

-rrallë jua shpreh dashurinë.Ndërsa ju vazhdimidht ia shprehni;

-ua luan grave të tjera dhe ju quan të marrë nëse kjo ju acaron;

-tregohet bujar me paratë,por shumë pak rri në shtëpi;

-duket sikur s’mund të qëndrojë dot me një vend pune,apo të bëjë karrierë aty ku është;

-asnjëherë nuk ka qejf të dalë me ju:për një darkë intime apo për të parë një shfaqje.

 

Burrë i vështirë është edhe ai që tregohet i dhunshëm me ju apo me të tjerët,që drogohet apo pi shumë,që ka vese të këqija si kumari,fjala vjen.Por zakonisht,burrat e vështirë nuk bëjnë veprime kaq të hapura,janë më të stëholluar.Ndoshta nuk ju jep një mbështetje emotive apo një ndihmë për problemet tuaja,madje shpeshherë as që ju dëgjon fare.Ose është një tip që do t’i shkojë gjithnjë e tija,që jo vetën nuk përpiqet t’u shmanget grindjeve,por i kërkon vetë ato:edhe kur ju propozoni zgjidhjen më të arsyeshme dhe më praktike,ai vazhdon të grindet.Ose krejt e kundërta:qëndron i heshtur,pasiv,as jep as merr,kështu që dilni ju ajo që çirret e ankohet vazhdimisht.Burri i juaj i vështirë ndoshta është i mirëkuptueshëm në gjithçka,përveç ndonjë çështjeje,fjala vjen paratë,pushimet,dhuratat,festat,puna juaj,martesa.Ose ndoshta që të dy s’arrini të shkëmbeni dot dy fjalë.

Një nga gjërat më kryesore që duhen patur parasysh (dhe kjo është edhe gjëja që shpërfillet më lehtë) është që burrat kanë pikërisht të njejtat nevoja si dhe gratë.Pavarësisht nga kapadaillaku i shtirë,dëshira e tyre për një marrëdhënie të mirë dhe gatishmëria për të bërë diçka që ta arrijnë atë,ka gjasa të jetë po aq e fuqishme se ajo e gruas.Ndryshimi qëndron në faktin se ato janë të varrosura në edukatën e rrënjosur për vite të tëra,që u ka mësuar se për të qenë ”burrë i vërtetë” duhet të bësh sikur nuk e vret mendjen për të tilla dëshira.Është e vështirë ta besosh se këtu qëndron shpjegimi kur sillet keq me ju në restorant,kur nuk pranon të kujdeset për fëmijën trevjeçar që qan apo kur bën dashuriçka me ndonjë grua tjetër.Natyrisht,mund ta ndani mendjen se s’ia vlen ta shtyni më tutje një lidhje të tillë.Por nëse ende e dashuroni burrin tuaj të vështirë dhe doni që gjërat të përmirësohen e jo të keqësohen,në kapitujt e mëposhtën do të gjeni disa sygjerime për të zgjidhur problemet mes njeri-tjetrit,në mënyrë që të jetoni të lumtur.Edhe pse,ndoshta problemet mes jush janë aq shqetësuese edhe për burrin tuaj,ka shumë pak të ngjarë që ai të ndërmarrë hapat e duhur për të përmirësuar këtë situatë të pakëndshme.

Është e vërtetë që gratë nuk rrinë më ulur pranë zjarrit,duke pritur kthimin e burrit,gjithsesi ato mbeten kujdestaret shpirtërore të këtij zjarri dhe në shumicën e rasteve janë ato që arrijnë t’ia kthejnë ngrohtësinë çiftit.Zbulimi i rrugëve të reja për të përmisuar marrëdhënien është si shumë gjëra të tjera;nëse nuk i bëni vetë,s’do ti bëjë askush tjetër.Po të kemi parasysh sesa të ngarkuara janë gratë sot,ky detyrim shtesë,shumë grave do t’ju duket një barrë e rëndë.Dhe ndoshta është vërtet ashtu.Por nëse nuk jeni të kënaqura nga marrëdhëniet tuaja,ka shumë të ngjarë që ato të mos përmirësohen nëse nuk hidhni vetë hapin e parë për të nxjerrë në pah problemet që ju shqetësojnë,zanafillën e tyre dhe zgjidhjet e mundshme.Që të krijoni një jetë të këndshme emotive me shokun tuaj,në radhë të parë duhet të merrni në sy atë që unë do ta quaja rrezik emotiv.Së dyti,duhet të njihni aspektin psikologjik.

Kur të jeni mësuar ”të rrezikkoni”,jo vetëm do të përmirësoni lidhjen me burrin tuaj,por do të pasuroni edhe marrëdhëniet me të tjerët dhe do t’ju shtohet besimi te vetja.

Të njohësh aspektin psikologjik do të thotë të njohësh arsyet psikologjike që e shtyejnë burrin tuaj të veprojë në atë mënyrë.Pasi të jenë gjetur shkaqet e problemit,nuk do t’ia hidhni më fajin vetes kur ai sillet keq (duke mos patur vlersimin e duhur për veten),ose t’ia hidhni fajin atij dhe kësisoj ta largoni.

Por le të shohim,fillimisht,ç’do të thotë ”të marrësh në sy rrezikun emotiv”?....

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.