tisdag 6 oktober 2015

Politikani


 
Osho


E marur nga libri: Lajmëtari i njeriut të ri për botën e re

Politikani 




Osho, a është e mundur që politikani të jetë religjioz apo që njeriu religjioz të jetë politikan?
Krejtësisht është e pamundur që politikani të jetë religjioz, sepse rruga e religjionit dhe e politikës janë diametralisht të kundërta. Ti duhet ta kuptosh se religjioni nuk është diçka që mund t’i shtohet personalitetit tënd – ai nuk është kurrfarë shtese. Nëse je politikan, ti mund të jesh piktor, mund të jesh poet, mund të jesh muzikant, këto janë dofarë shtesash, begatim.
Politika dhe muzika nuk janë gjëra diametralisht të kundërta; përkundrazi, muzika edhe mund të ndihmojë që të jesh politikan më i mirë. Kjo ka për të relaksuar, kjo ka për të ndihmuar që të lirohesh prej të gjitha brengave e telasheve që sjell përditshmëria e një politikani. Por religjioni nuk është ndonjëfarë shtese, ai është një dimension diametralisht i kundërt. Prandaj, së pari duhet ta njohësh se ç’ lloj njeriu është ai – politikani, për ta mësuar se çfarë, në të vërtetë do të thotë.
Politikani është njeri i sëmurë, psikologjikisht i sëmurë dhe spiritualisht i sëmurë. Fizikisht mund të jetë krejtësisht në rregull. Zakonisht të gjithë politikanët janë fizikisht të shëndoshë, por psikika e tyre është e sëmurë, i tërë mundimi i tyre bie mbi psikikën e tyre. Ti këtë mund edhe ta shohësh. Kur njëherë politikani e humb fuqinë politike ai fillon edhe fizikisht të shkrihet. Çuditërisht... kur

ka qenë në pushtet, edhe pse së tepërmi i ngarkuar me të gjitha gajlet e telashet, është ndier krejtësisht mirë. Në atë moment që fuqia e tij është zhdukur, atëherë janë zhdukur edhe të gjitha brengat; pra, tash ai ka për të qenë punë e dikujt tjetër, dikush tjetër do të brengoset për të. Psikika e tij është e pangarkuar, por në tërë këtë pangarkueshmëri të psikikës, të gjitha hidhërimet dhe sëmundjet tash godasin në trup. Politikanët, kur në pyetje është fiziologjia e tyre, vuajnë vetëm atëherë kur e humbasin fuqinë, përndryshe, politikanët do të mund të jetonin gjatë në mirëqenien fizike. E çuditshme, por arsyeja është në atë se e tërë sëmundja e tyre vjen nga psikika, e kur psikika e përfshin tërë sëmundjen atëherë trupi mund të jetojë i pangarkuar. Por, kur psikika e realizon tërë atë sëmundje, çfarë të bëhet atëherë? Ekzistenca jote fizike është më e ulët se ajo psikike – e tërë sëmundja atëherë bie mbi fiziologjinë, mbi trupin. Prandaj politikanët jashtë fuqisë vdesin tepër shpejt. Politikanët në pushtet jetojnë tepër gjatë. Kjo veçse është gjë e njohur, por shkaku i kësaj ende është jo mjaft i hulumtuar.

Prandaj është me rëndësi që së pari të kuptohet se politikani është njeri psikikisht i sëmurë, kurse sëmundja psikike pretendon të jetë edhe sëmundje spirituale atëherë kur nuk ka mundësi që të përballet me të gjitha problemet, atëherë kur psikika nuk do të mund t’i durojë të gjitha ato. Pra, jini të kujdesshëm: nëse politikani është në pushtet, sëmundja e tij psikike tenton të zgjerohet kah jeta e tij shpirtërore, sepse ai në vete bart sëmundjen psikike; ajo
nuk mund të zbresë në nivel më të ulët karshi famës dhe fuqisë që ia mundëson pushteti. Në këtë është fuqia e tij, ai mendon se ky është thesar i tij: ai nuk lejon që sëmundja të bie më poshtë, në rrafshin fizik.

Unë këtë e quaj sëmundje. Për të kjo është egodalldisje e tërë. Ai jeton për këtë: nuk ka qëllime tjera jetësore. Prandaj, atëherë kur ai është në pushtet, ai sëmundjen e vet e mban fuqimisht në duart e veta, por ai asgjë nuk di për nivelin shpirtëror të vetëdijes, prandaj ato dyer të tij për këtë janë të hapura. Ai nuk mund t’i mbyllë ato dyer; ai edhe nuk ka ide se ekziston diçka më e lartë sesa mendja. Kur është në pushtet, sëmundja e tij psikologjike, nëse është me shumicë, pas disa pikave të caktuara, e vërshon psikikën e tij dhe arrin deri tek nivelet më të larta të vetëdijes, deri tek spiritualiteti. Nëse nuk është në pushtet ai nuk përpiqet ta mbajë tërë atë dozë marrëzie. Tash ai e di se ajo është realizuar, se ai nuk ka fituar asgjë, tash është i vetëdijshëm se asgjë me vlerë nuk ka marrë. Dhe gjithsesi, aty nuk ka asgjë për t’u ruajtur; pushteti është zhdukur, tash ai është askushi.

Nga dëshpërimi, ai relaksohet – në të vërtetë, mund të thuhet se relaksimi vjen automatikisht. Ai tash mund të flejë mirë, mund të shkojë në shëtitjen e mëngjesit. Ai tash mund të llomotisë me shokët, të luajë shah, mund të bëjë çfarëdoqoftë. Ai tash vetveten e gjen psikikisht të humbur. Dyert që fuqimisht i ka mbajtur të mbyllura në mes psikikës së tij dhe trupit të tij tash janë hapur, e trupi i tij tash fillon të vuajë: ai tash mund të pësojë sulm në zemër,

mund të sëmuret nga ciladoqoftë sëmundje: tash kjo është krejt e mundur. Sëmundja e tij psikike mund ta sulmojë pjesën më të dobët të trupit të tij. Kurse gjatë kohës së pushtetit krejt kjo ngrihet lart, kah qenia e tij, për të cilën ai nuk është as i vetëdijshëm.

E çfarë është sëmundja? Sëmundja është vetëm kompleksi i inferioritetit. Të gjithë ata të cilët janë të interesuar për pushtet vuajnë prej atij kompleksi. Ai thellë në vete e sheh pavlefshmërinë e vet, inferioritetin në raport me të tjerët. Të gjithë janë inferiorë në ndonjë mënyrë të caktuar......



Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.