tisdag 6 oktober 2015

Tranzicioni moral



Në pamje të parë, qëndrimi socialopolitik e çështjet
publike duket se janë larg interesave dhe vemendjes së
adoleshentëve. Duke i vlerësuar nga ky këndvështrim, mund
të themi se ata janë të lirë, të painteresuar. Prandaj ngjajnë
sikur rrinë në heshtje. Shoqëria e të rriturve është e
domosdoshme dhe mjaft e nevojshme që të dekodifikojë të
gjitha mesazhet e të rinjve. Jo vetëm ato që kanë të bëjnë me
miqësinë, me raportet ndërmjet bashkëmoshatarëve, me
raportet me familjen e me relacionet e dashurisë etj., ku për
probleme të tilla adoleshentët nuk del se rrinë të njanshëm e
të heshtur. Ka faktorë të mjaftueshëm pse adoleshentët
propozojnë shndërrimin relacional në botën e dashurisë dhe
jo në atë të politikës.
Të rinjtë kanë dëshirë, veçanërisht gjatë viteve të
shkollës së mesme, të jenë gjithnjë e më të pavarur. Kjo
vërehet në veshjen e tyre, në pjesëmarrjen në diskutime, në
mendimet e vlerësimet që shfaqin, në teknikat që përdorin
për zgjidhjen e problemeve. Ata janë të shqetësuar se çfarë
të tjerët thonë e mendojnë për ta. Të gjitha këto krijojnë një
periudhë stuhie, trazirash dhe stresi, të cilat, veç të tjerash,
rrjedhin dhe nga prirja për t’i zgjidhur të gjitha gjërat
përnjëherë. Jo në pak raste adoleshentët që dështojnë,
manifestojnë akte brutaliteti e vandalizmi. Reagime të tilla të
rënda amortizohen me marrëdhënie të ngrohta, me shprehje
të besimit reciprok, me qëndrime dashamirëse, me respekt
duke shmangur vërejtjet, britmat dhe ironinë. Vlerësimi i
anëve pozitive, krijimi i besimit në aftësitë dhe mundësitë që
kanë të rinjtë, krijojnë kushte reale për të ndërtuar projektin
e suksesshëm edukativ. Të rinjtë që kanë vlerësim të tepruar
në shkollë apo familje, pa baza e arritje konkrete, rrezikohen
të shndërrohen në idhuj të rremë. Baraspesha e kërkesave,
kritikave e vërejtjeve me vlerësimet dhe vetëvlerësimet
kërkohet të ruajnë raporte që të shërbejnë për nxitje e motivim
të mëtejshëm.


Koha e adoleshencës mund të karakterizohet si kalim
ndërmjet moralit të detyruar dhe bashkëpunimit. Në fund të
shkollës së mesme vajzat kanë më shumë çrregullime
emocionale se djemtë. Ato janë të shqetësuara dhe në disa
raste të frikësuara për të ardhmen e tyre. Ato shfaqen të
çorientuara në punë të ndryshme. Në mësime marrin
vlerësime të pakënaqshme. Adoleshentët me çrregullime
emocionale bëhen depresivë. Niveli dhe shkalla e prekjes
së tyre nga depresioni varet nga cilësitë e karakterit. Ata të
cilët ndjehen të paaftë për të realizuar detyrat, të painteresuar
për shokët, familjen dhe që sundohen nga mendimi negativ,
kanë shfaqje tipike depresive. Shkaqet e burimet e
depresionit janë të ndryshme, por më së shpeshti për
adoleshentët mbeten dështimet në jetën e përditshme, edhe
në mësime, të cilat analizohen e vlerësohen me
përgjegjshmërinë karakteristike të moshës së tyre. Nëse një
adoleshent për dështimin në një provim fajëson veten, ai
fillon të mendojë dhe mund të arrijë në përfundimin se është
me mangësi mendore. Duke e mbështetur dështimin kështu
në një tezë të padrejtë, ai fillon të inatoset me veten. Thellimi
i një mendimi të tillë pesimist e vetëfajësues nuk është gjë
tjetër, veçse një ndjenjë depresioni e mungesës së shpresës.


Gjendjet shpirtërore i japin ngjyrë mendimit, kur ndjehemi
të lumtur, kujtojmë e mendojmë gjëra të bukura. Nëse
gjendja shpirtërore errësohet, mendimet marrin udhë të tillë,
fillojnë e grumbullohen ide e mendime të errëta dhe ngjarje
negative. Në këtë moment marrëdhëniet e adoleshentëve
zbehen, sjellja ndryshon, ata ndjehen të vetmuar, të veçuar
nga të tjerët dhe pa perspektivë për të ardhmen, gjë e cila
mund të nxisë përvoja negative. Për t’u dhënë fund situatave
të tilla, kërkohet një punë këmbëngulëse. Në raste të tilla,
fëmijëve në kohën e përshtatshme u duhet dhënë një
shpjegim alternativ për shqetësimin dhe dështimet e
mundshme, për të kuptuar shkakun e tyre të vërtetë. Prandaj
është mirë që të rinjtë të marrin informacion për mundësitë
e aftësitë që në të vertetë kanë, gjë që do t’i ndihmojë për të
krijuar sfondin emocional pozitiv për t’i motivuar në
veprimtaritë e ardhshme. Krijimi i përfytyrimeve dhe i besimit
për arritje më të mira, rrit dëshirën e nivelin e kërkesave dhe
të synimeve për objektiva më të lartë.

E marur nga libri: Adoleshenca stina e shpërthimeve .
Ndue Kaza

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.