tisdag 6 oktober 2015

PSIKOLOGJIA E APLIKUAR




Psikologët kanë interesim të shprehur të përbashkët për sjelljen, por mund të
dallohen shumë mes veti. Disa psikologë në radhë të parë janë të angazhuar në
hulumtime themelore (që ndonjëherë quhen bazike ose teorike apo hulumtime të
pastra). Hulumtimet themelore nuk kanë aplikim të drejtpërdrejtë në problemet personale ose shoqërore, prandaj për këtë arsye konsiderohen hulumtime që kanë vetveten për qëllim. Psikologët e tjerë merren me hulumtime aplikative, që i dedikohen kërkimit të zgjidhjeve për problemet specifike personale ose shoqërore. Megjithëse hulumtimet themelore nxiten nga kurreshtja dhe dëshira për dije dhe mirëkuptim, hulumtimet e sotme themelore shpeshherë përmirësojnë mënyrën e nesërme të jetesës. Për shembull,hulumtimet themelore të të mësuarit dhe të motivimit të kryera ndaj kafshëve në fillim të këtij shekulli kanë gjetur një aplikim të gjerë në sistemet e sotme shkollore. Hulumtimet themelore të veprimit të sistemit nervor i kanë zgjeruar njohuritë mbi çrregullimet siç janë epilepsia, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimerit.

Shumë psikologë nuk janë inkuadruar në kurrfarë hulumtimesh. Në vend të kësaj,
ata aplikojnë njohuritë psikologjike që t’ju ndihmojnë njerëzve të ndryshojnë sjelljen e
vet në mënyrë që të mund t’i arrijnë në mënyrë më të efektshme qëllimet e veta.
Psikologë të shumtë merren kryesisht me mësim. Ata i zgjerojnë njohuritë psikologjike
në klasë, seminare dhe punishte të ndryshme.

Mirëpo, të shumtë janë psikologët e inkuadruar në të gjitha këto aktivitete:
hulumtim, këshillim dhe mësim. Për shembull, profesorët e psikologjisë zakonisht
zbatojnë hulumtime të pastra ose të aplikuara, u japin këshilla klientëve individualë ose
industrialë dhe i mësojnë.


Psikologët klinikë dhe psikologët këshillëdhënës
Psikologët klinikë u ndihmojnë njerëzve që kanë probleme psikologjike në
përshtatjen ndaj kërkesave jetësore. Problemet e klientëve mund të shkojnë nga ankthi
dhe depresioni, vështirësitë në jetën seksuale e deri te humbja e qëllimeve jetësore.
Psikologët klinikë i vlerësojnë problemet me anë të intervistave strukturore dhe të
testeve psikologjike. U ndihmojnë klientëve të vet në zgjidhjen e problemeve të tyre dhe

në ndryshimin e sjelljes së papërshtatshme me aplikimin e psikoterapisë dhe të

terapisë biheviorale.


Psikologët shkollorë dhe arsimorë
Psikologët shkollorë janë të punësuar në sistemin shkollor dhe u ndihmojnë
atyre që kanë të bëjnë me problemet që e pengojnë të mësuarit. Problemet e tilla
përfshijnë problemet sociale dhe familjare, problemet emocionale dhe vështërsitë
specifike të të mësuarit. Psikologu shkollor i konstaton problemet e nxënësve me anë të
intervistës me mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit.

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.