tisdag 6 oktober 2015

Vlerësimi i motivon të rinjtë


Nëse adoleshentët nuk vlerësohen apo dyshojnë se
mendimet e tyre u lihen pas dore, pasqyrimi i kësaj gjendjeje
do të ndikojë në marrëdhëniet me prindërit, si dhe me të
tjerët, duke u bërë gjithnjë e më problematikë në familje dhe
në shoqëri. Krijimi i një sistemi sa më të drejtë vlerësimi, pa
teprime, fyerje, por dhe pa sentimentalizëm, krijon kushte
dhe jep mundësi për ta kthyer atë në një mjet të vërtetë
motivues edukimi. Vlerësimi në adoleshencë ka lidhje
sidomos me motivimin mësimor. Prandaj në disa raste kur
në këtë proces nuk tregohet kujdesi i duhur, lindin

keqkuptime dhe shkaktohen përjetime të rënda.
Koncepti për vetveten ndikon vazhdimisht gjatë gjithë
veprimtarisë njerëzore, por në momente të caktuara
vetëvlerësimi bëhet më i dukshëm. Pikëpamjet teorike dhe
studimet bashkëkohore rreth këtij problemi janë të shumta
dhe të ndryshme. James ka thënë se vetëvlerësimi bazohet
në vlerësimin që i bën individi mënyrës së funksionimit të tij
në vende të rëndësishme për të. Nëse ai frekuenton mjedise
që nuk kanë ndonjë interes për të, vërejmë se vetëvlerësimi
është në nivele të ulta. Mead, një tjetër studiues i kësaj fushe,
thekson se për formimin e vetëvlerësimit një rol të veçantë
kanë gjykimet dhe vlerësimet e të tjerëve. Për këtë arsye
vërejmë shpesh se individi bën të vetat sjellje që nuk i
përkasin atij, të cilat janë të të tjerëve. Psikologia Suzan Tharter
mbështet idenë se vetëvlerësimi është i ndikuar drejtpërdrejt
nga ajo si individët ndjehen të aftë, të frytshëm dhe të
nevojshëm në mjedise ku suksesi ka shumë rëndësi për ta.
Edhe vlerësimi që ata bëjnë ndaj sjelljeve të të tjerëve, është
i lidhur me vlerësimin që kanë për veten e tyre. Kjo dukuri
është e dukshme në adoleshencë, megjithëse vazhdon të
ndeshet edhe më vonë, gjatë gjithë jetës. Adoleshenti kur
ndjehet i vlerësuar dhe i mbështetur nga faktorë që i vlerëson
të rëndësishëm, nxitet e fiton energji të reja. Problemet fizike,
sidomos për vajzat, janë faktorë vendimtarë për përcaktimin
e vetëvlerësimit. Paraqitja e jashtme ka më tepër vlerë
krahasuar edhe me aftësinë shkollore apo sjellje të tjera. Në
adoleshencë prindërit dhe mësuesit ndikojnë në mënyrë të
ndjeshme për zhvillimin e vetvetes, shkallë-shkallë rritet edhe
roli i moshatarëve dhe i të njohurve në rrethe të ngushta në
këtë fushë. Për t’u theksuar është fakti se ka një vartësi të
veçantë ndërmjet faktorëve kulturorë, shoqërorë dhe vetjakë
në formimin e konceptit të vetëvlerësimit.


Ideja e vetes lind dhe zhvillohet gjatë gjithë qenies së
njeriut. Ajo është një ndër elementet më të rëndësishme që
ndikon jo thjesht për mbijetesë, por për një prirje pozitive
identifikimi. Me shpresën se do të lënë përshtypje të mira tek
të tjerët, jo pak njerëz shpenzojnë shumë energji, mund të
bëjnë sakrifica të mëdha dhe kufizime të vazhdueshme. Ata
shqetësohen për vetëparaqitjen, vëzhgojnë me vëmendje
sjelljen e të tjerëve për të qortuar sjelljen e tyre. Adoleshentët
shqetësohen nga fakti si i perceptojnë të tjerët, si i vlerësojnë
ata. Nga ana tjetër, ata luftojnë të paraqitet sa më dinjitozë
dhe të aftë në lidhjet që realizojnë. Secili adoleshent shpreh
interes se çfarë mendojnë shokët dhe prindërit e tij për të.
Për të lënë një përshtypje të mirë, nga secili prej tyre mund
të mbahen qëndrime dhe të kryhen veprime te të cilat nuk
besohet plotësisht, por veprohet vetëm se shtyhen më tepër
nga ideja e administrimit të mendimit të të tjerëve. Prandaj
është me vlerë t’i ruajmë të rinjtë nga vlera e mendimeve
dhe e përshtypjeve të të tjerëve, që ato të mos kthehen në
mënyrë të menduari dhe të vepruari, pasi reagimi dhe
rregullimi i marrëdhënieve shoqërore vetëm mbi këtë bazë,
nuk jep ndonjë përfundim të dëshiruar.


Madje shpesh qëndrime të tilla të stërzmadhuara, duke
mos e përputhur sjelljen me situatën konkrete, i kthejnë
adoleshentët në njerëz qesharakë, në mizantropë a don
kishotë të kohëve moderne. Të rinjtë që drejtohen nga
bindjet e tyre të brendshme, që veprojnë ashtu siç besojnë,
kanë rezultate më të larta në të gjitha fushat e jetës. Prandaj
mënyra e sjelljes, qëndrimet apo veprimet është mirë të
ndryshojnë vetëm pasi i riu të ketë motive të qarta, pa ndonjë
trysni për të rivlerësuar qëndrimet dhe sjelljet e mëparshme.
Këtu do treguar kujdes edhe përsa i takon
vetëvlerësimit. Në përgjithësi, ai zhvillohet në vartësi të asaj
që individi kupton se shkon mirë në mjediset, të cilat për të
kanë rëndësi, pasi në to ai ka sukses. Në ato veprimtari që
vlerësohen të pasukseshme, ndikimi në vetëvlerësim
s’përmban ndonjë motivim të brendshëm. Të rinjtë që nuk e
mbajnë veten për të zotin në veprimtarinë mësimore, shfaqen
me pasoja edhe në zhvillimin e personalitetit. Vetëvlerësimi,
pra për të qenit i aftë, është domosdoshmëri për të krijuar
atmosferën e ngrohtë psikologjike, përkrahjen dhe nxitjen
për arritje të kënaqshme. Në këtë drejtim, jo pak interes
paraqesin edhe gjykimet e të tjerëve. Ajo çka ata mendojnë,
vlerësojnë e shprehin, ndikon dukshëm në qëndrimin dhe
sjelljen e të rinjve. Kjo nuk duhet vlerësuar thjeshtë dhe vetëm
si ndikim i mendimit të të tjerëve në kuptim të tij klasik, por si
një shtysë reale, vlerësuese që na nxit për të ecur përpara.


Këtë proces nuk duhet ta ngatërrojmë me manitë që kanë
disa individë, të cilët për nga vlera që i japin vlerësimit të
çfarëdoshëm të të tjerëve, duket sikur jetojnë për botën, jo
për veten e tyre. Pavarësisht nga lëkundjet në nivelet e
vetëvlerësimit, mund të flasim për një farë stabilizimi të
personalitetit të adoleshentit, që lidhet me formimin e
konceptit “unë” në kufinjtë e paraadoleshencës dhe të
moshës së rritur. Në këtë moshë respekti për veten është më
i lartë, rritet aftësia vetërregulluese dhe vetëkontrolluese për
sjelljet, qëndrimet dhe emocionet. Kemi një qëndrushmëri
morale të personalitetit që dallohet në veprimet dhe sjelljet e
adoleshentëve në shkollë, familje dhe në kryerjen e detyrave
të ndryshme.


Prirja e vlerësimit nuk është karakteristike vetëm
për periudhën e adoleshencës, por edhe më tej, gjatë gjithë
jetës së njeriut. Pavarësisht se në çfarë moshe e shkalle
zhvillimi është individi, ai ka nevojë të brendshme të ndjehet
i vlerësuar jo thjesht për kënaqësi, por si një tregues për nxitje
të mëtejshme.
Njeriu që ndjehet i mbështetur e i vlerësuar nga
bashkëpuntorët e tij, të cilët natyrisht mbahen të rëndësishëm
për të, do të ketë më tepër shtysa për të përjetuar një vlerësim
pozitiv për vetveten. Perceptimi që kanë individët mbi sjelljen
e të tjerëve, është i lidhur me vetëvlerësimin e tyre. Natyrisht
që shkalla e këtij ndikimi ndryshon në vartësi me nivelin e
formimit dhe me moshën e subjektit.


Në konceptin e vlerësimit të vetes ka një kuptim
domethënës gjendja fizike, pranimi nga ana e
bashkëmoshatarëve, aftësia shkollore, sjellja etj. Problemet
që lidhen me anën fizike, kanë më tepër vlerë për vajzat se
për djemtë. Prandaj në shumë raste ato bëhen në mënyrë të
menjëhershme të pakënaqura me një situatë të pafavorshme,
qoftë dhe e krijuar rastësisht. Ky qëndrim te to ndeshet me
shpesh se te meshkujt. Është kjo arsyeja që një adoleshente
sapo fillon të ndjehet se nuk është e këndshme, tërheqëse, e
bukur, do të ketë edhe një nivel më të ulët vlerësimi nga
moshatarët e saj djem. Ky fakt sjell një lloj nënshtrimi e
tërheqjeje në vetvete, të cilat shkaktojnë dhimbje dhe në
ndonjë rast edhe brenga, të cilat mund të lënë gjurmë e të
mbarten për një kohë të gjatë.


Në shumë analiza pas studimesh të njohura, të kryera
në vende të ndryshme me një nivel të lartë shkollimi,
vërtetohet fakti se prindërit dhe mësuesit ndikojnë mjaft dhe
kanë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e konceptit
të vetvetes. Kjo ka të bëjë me të gjithë të rinjtë që bëjnë jetë
të organizuar. Ndërsa për pakicat e detyruara nga kushte të
caktuara për të jetuar nëpër rrugë, janë moshatarët e tyre, të
cilët ndikojnë më shumë në këtë drejtim. Një dukuri e tillë
shpjegohet me faktin se shpesh bashkëshoqëruesit e tyre
mbeten e vetmja pikë referimi për ta. E njëjta gjë ndodh gjatë
rritjes së individit, sepse lidhjet shoqërore sjellin mënyra të
reja të të menduarit dhe të sjelljes. Ky moment vlerësohet jo
vetëm në konceptimin e një shembllimi që mund të kopjohet
apo të modelohet, por në drejtim të përvojës së fituar.


E marur nga libri: Adoleshenca stina e shpërthimeve .
Ndue Kaza

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.