tisdag 6 oktober 2015

Mosha e zhvillimeve të vrullshme




Kur fillon dhe përfundon adoleshenca?



Është një pyetje që gjithmonë është shtruar dhe

vazhdon të shtrohet jo pa interes. Adoleshenca
është një fazë e jetës së secilës qenie njerëzore, në të cilën
individi përfiton aftësi e njohuri për përgjegjësitë e të rriturit.
Përvojat emocionale dhe ndryshimet trupore marrin ngarkesë
të lartë drejt vendosjes së raporteve të reja me botën e veten.

Kur nis e mbaron adoleshenca, nga mosha 11-18 vjeç
apo 20-25 vjeç? Për këtë e mjaft probleme të tjera ka ide
dhe mendime të ndryshme, të cilat janë me nuanca të veçanta,
por në trajtim të përgjithshëm nuk kanë dallime thelbësore.

Adoleshenca është periudha e jetës, e cila përfshin vitet

ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së rritur. Ajo shoqërohet

me ndryshime rrënjësore, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me
rritjen biologjike, por edhe me zhvillimin mendor, sjelljen,
komunikimin etj. Në pikëpamje psikike, adoleshenca është
një periudhë krize, që përfshin njëkohësisht ndarje,
shkëputje, zhvillim e vetaktivizim të vrullshëm në një klimë
shndërrimesh e shpërthimesh të mëdha.


Adoleshenca nuk është thjeshtë një stinë e jetës, por
një mënyrë ripërtritjeje e psikikës, ku pasiguria dhe ankthi
për të ardhmen, ndikimi i instinkteve, nevoja për përkujdesje
dhe dëshira për liri, japin të gjitha së bashku mundësitë e
shfaqjes mbi të cilat mund të zhvillohet vetë jeta. Por në kushte
të ndryshme jetese, kemi vështrime të ndryshme. P.sh., në
vendet e zhvilluara nga ana ekonomike rritja biologjike në
ditët tona bëhet më shpejt nga ç’ndodhte vite më parë, edhe
shkollimi që u ofrohet të rinjve është i ndryshëm, është më i
gjatë. Pavarësia ekonomike arrihet më vonë, përtej moshës
20 vjeç. Ndonëse pjekuria biologjike është realizuar, statusi i
të rriturve ende nuk u njihet. Vetë të rinjtë nuk ndjehen të
rritur. Ata, siç i trajton shoqëria, janë në rrugën drejt formimit.


Pra, adoleshenca përfaqëson një kohë kalimtare nga
fëmijëria në pjekurinë relative. Ajo është një moshë kritike
ndryshimesh dhe përjetimesh, prandaj ndikimi i faktorëve
shoqërorë në të është shumë i rëndësishëm. Kohëzgjatja e
adoleshencës mund të mos korrespondojë e njëjtë për të
gjithë njerëzit përsa u takon karakteristikave të tyre të
ndryshme të zhvillimit.


Në vështrim të përgjithshëm, adoleshenca është një
dukuri e përbashkët për të gjithë individët, por natyrisht për
secilin individ ose grup individësh ka ndryshime, që i
ndeshim rëndom. Ato ndodhin për shkak të nivelit kulturor,
periudhës historike dhe veçorive individuale të çdo subjekti.


Duke u mbështetur në këto argumente, mund të arrijmë në
përfundimin se adoleshenca pavarësisht mospërputhjeve
kohore në mënyrë të plotë, përbëhet apo kalon në tri faza
apo pjesë, të cilat janë: paraadoleshenca, adoleshenca
e hershme dhe adoleshenca e vonë.



Në etapën e parë, paraadoleshenca, që lidhet me
rindërtimin e organizmit, zhvillimi fizik dhe fiziologjik nuk
bëhet i njëtrajtshëm. Prandaj koha e pubertetit shfaqet jo në
të njëjtën kohë, duke e shtrirë krizën. Ritmet e zhvillimit janë
të larta, por në planin e formimit të personalitetit ka
paqëndrushmëri të madhe, megjithëse bie në sy e shprehet
ndjenja e të rriturit. Shfaqen dyzime e lëkundje në karakter,
të rinjtë dashurojnë vrullshëm dhe urrejnë papritmas, binden,
nënshtrohen, por edhe rebelohen, paraqiten të sjellshëm e
idealistë, por edhe brutalë e materialistë. Ata manifestojnë
gjendje të ngritur emocionale dhe pa u kuptuar shndërrohen
në pesimistë e kokëfortë, jo rrallë hutohen, përfshihen nga
ndjenja e të qenit i pavlefshëm (kjo ndikon të mbyllen në
vetvete). Në këtë moshë zhvillohet të menduarit teorik
refleksiv, shkallë-shkallë ngrihen në një nivel më të lartë
veprimet mendore: analiza, sinteza, klasifikimi, përgjithësimi
etj. Lindin elementet e logjikës së të rriturit, duke u ngritur
cilësia e perceptimeve, të kujtesës dhe imagjinatës.


Adoleshenca e hershme është koha e vërtetë kalimtare
ndërmjet paraadoleshencës dhe rinisë. Në këtë moshë
krijohet një përfytyrim fillestar për orientimin profesional, gjë
e cila krijon një tendosje e frikë, pavarësisht nga zgjedhjet që
mund të bëhen. Gjatë saj marrin përparësi vlerat vetjake në
krahasim me ndikimet e jashtme, ndërtohet plani jetësor dhe
nevoja për intimitet është e papërballueshme. Ndjeshmëria
emocionale e adoleshentëve është e lartë. Prandaj në këtë
moshë shfaqen reagime të forta në çaste të papritura. Vlerësimi
dhe vetëvlerësimi janë mekanizma nxitës, por në pranimin e
tyre real ka luhatje të mëdha.


Ndryshimet fizike dhe emocionale të ndjeshme e të
shpejta ndodhin në një hapësirë kohe të caktuar. Ato zgjasin
deri në arritjen e autonomisë së plotë, atëherë kur vendosen
raporte emocionale instinktive të shpejta me grupe të tjera
dhe me mjedisin shoqëror. Megjithatë është disi e vështirë të
përcaktojmë kufirin kohor të mbylljes së adoleshencës. Frojdi
e ka përcaktuar këtë afat kohën kur “adoleshenti është i aftë
të dojë e të punojë,” ndërsa Erikson e përcaktoi si kohën kur
i riu “është i aftë të përfshihet për një raport intim me një
tjetër, duke realizuar një takim ndërmjet dy “unë-ve” të
ndryshëm”. Pra, adoleshenca mbyllet kur individi është i aftë
të krijojë raporte të qëndrueshme me veten, me grupin e afërt
dhe gjithë mjedisin ku jeton. Ky koncept i bazuar në aftësinë
e përshtatjes me veten, me të tjerët apo me botën, tregon si
ndodhin ndryshimet, që e detyrojnë individin të sillet e të
formohet në bazë të raporteve që ka me mjedisin ku bën
pjesë, me grupin më të afërt dhe me shndërrimet e tij të
brendshme. Adoleshenca mund të karakterizohet si fazë e
kalimit nga bregu i frikës dhe i ankthit në atë të strukturës
funksionuese të sigurisë së të të rriturit. Ky kalim nuk bëhet
në një ditë, as në mënyrë të rrufeshme. Për të duhet të
shmangen a të kapërcehen një mori pengesash një nga një
dhe jo të grumbulluara në mënyrë absurde.


Një i ri, edhe pse është i gatshëm të jetojë i pavarur
nëpërmjet punës së tij, ende trajtohet adoleshent dhe mbetet
për një farë kohe nën ndikimin e të tjerëve, veçanërisht të
prindërve të tij jo vetëm për forcën e zakonit, por për efekte
të tjera, kryesisht psikologjike, shoqërore dhe ekonomike.


Prandaj themi që adoleshenca vazhdon e zgjatet. Kjo na
bën të bindemi që edhe pse arrihet mosha 20 vjeç, individi
ende nuk e ka mbaruar këtë fazë kritike, pra ai nuk është i
gatshëm të futet në botën e të rriturve. Pikërisht përballë kësaj
zgjidhjeje ekziston rreziku i tërheqjes, veçanërisht kur të rinjtë
nuk arrijnë të ndërtojnë raporte të drejtpërdrejta me realitetin.
Për këtë arsye, në momente të tilla mund të paraqiten mundësi
për t’u shfaqur te adoleshentët edhe prirje neorotike. Në të
kundërt, ka nga ata të rinj që rriten përpara limiteve të
caktuara kohore për arsye mbijetese, megjithëse kapacitetin,
gjykimin e kritikën ende nuk e kanë të zhvilluar në nivelin e
dëshiruar.


Një tipar tjetër i këtij ndryshimi, është rritja e
adoleshentëve me shfaqje e prirje mbrojtëse, maniake e
paranojake, dukuri këto të mundshme gjatë zhvillimit, të cilat
shfaqen ose jo gjatë kësaj periudhe. Prandaj me të drejtë
nga shumë studiues adoleshenca është përcaktuar si moshë
e cila shoqërohet me probleme tepër të ndjeshme.


E marur nga libri: Adoleshenca stina e shpërthimeve .
Ndue Kaza

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.